Ikja – punë mafie

0
841

Duke ikur nga Kosova

Teza dhe antiteza

Emigrimi masiv i kosovarëve merr përmasa dramatike. Nëpër media mbizotërojnë shpjegime nga më të ndryshmet dhe më të çuditshmet. Një analizë nga Jon LEKA dhe Linda BEKTESHI

Ende pa mbaruar konsolidimi i Qeverisë plotë kosovarë u nisën Serbisë. Ata vazhdojnë të ikin. Shumica përfundon kampeve të Hungarisë e një numër jo i vogël strehimoreve të Gjermanisë. Me autobusë, në këmbë, me fëmijë, me pleq. Gjykuar për nga veshja, pajisjet dhe buxheti i domosdoshëm për të ndërmarrë një odisé të tillë nuk mund të flasim për njerëz të pabukë. E mëhiç nuk janë të përndjekur politikë, as të rrezikuar nga normat e kanunit të vjetër nuk janë të rrezikuar as nga grupet islamoradikale, siç tentojnë jo pakë ikës intervistave në Serbi, Hungari e Gjermani ta justifikojnë emigrimin e tyre. Çka ndodhë në të vërtetë? Si të shpjegohet kjo histori e ngarkuar me histeri e komplote nga më të çuditshmet. Tashmë ekziston një tonelatë me hipoteza, pandehje, (para)gjykime. T’i ekzaminojmë një nga një:

TEZA I: Pasi nuk ndodhi ndryshimi i pritur politik shumë kosovarë kanë humbur shpresën se do të hapet ndonjë perspektivë ekzistence dhe kanë vendosur të braktisin vendin drejt Perëndimit.

ANTITEZA I: Historikisht, madje duke bërë krahasime edhe të viteve më fundit, shqiptarët nuk kanë ikur në këtë mënyrë as atëherë kur e kanë pasur shumë më keq qoftë ekonomikisht apo politikisht. Jo kështu në mënyrë të organizuar. Diçka tjetër do të jetë në lojë.

TEZA II: Firmat multinacionale kanë nevojë për forcë punëtore në të zezë prandaj kanë nxitur lobet e tyre qeverive për të shkaktuar shpërthim ikjesh, mundësisht brenda evropiane – Kosova është burimi më adekuat. Se kjo qëndron shihet nga qëndrimi pasiv i Gjermanisë dhe toleranca e Hungarisë.

ANTITEZA II: Që nga kolapsi dramatik financiar global dhe ndërhyrja e shteteve për t’i shpëtuar, këto lobe kanë humbur çdo ndikim në sferën e konfigurimeve politike. Janë qeveritë ato që diktojnë e jo anasjelltas. Teza është konspirative dhe absurde kur kihet parasysh se vetëm vendet e synuara nga ikësit derdhin miliarda në vit në luftën e tyre kundër punës në të zezë. Papunësia e madhe e emigrantëve tashmë të integruar në Gjermani – që mund të punësoheshin në të bardhë apo të zezë – është kundërfakti edhe më konkret. Shtoi këtyre edhe qindra mijë me statusin e ilegalit në vend e që s’mund të dëbohen për shkak krizave në vendet e tyre atëherë “komploti” i analistëve dhe politikanëve ballkanikë nuk vlen as si material i denjë për romanet me spiunë të John le Carre-së apo Konsalikut e lere më si analizë serioze.

Gjermania nuk tregohet pasive por respekton Konventën Ndërkombëtare për Refugjatë dhe një varg Marrëveshjesh të ratifikuara që kanë të bëjnë me të Drejtat dhe Liritë e Azilkërkuesve. Procedura juridike është e garantuar në shumicën e vendeve të perëndimit dhe varion nga 48 orë (Zvicra që de facto shkel këto ligje) e deri në 9 muaj e më shumë. Hungarisë tashmë – që me rastin e valëve tjera të refugjatëve poashtu si Greqisë – i është tërhequr vërejtja nga instanca të OKB për Refugjatë se do të dënohet ashpër nëse nuk respekton po këto Konventa. Ato as që kanë alternativë tjetër përveç kësaj sjelljeje. Urdhrat e kthimit, ndalimi nuk janë praktikë e Evropës së sotme. S’ka mundësi.

TEZA III: Ikja masive është pasojë e marrëveshjeve Serbi-Kosovë-BE. Hashim Thaçi ka garantuar se do bëjë çmos që të kthehen 200 mijë serbë e malazezë në Kosovë. Kaq edhe do të ikin nga Kosova për t’iu bërë vend të parëve.

ANTITEZA III: Me këtë BE do të bëhej bashkëfajtore e një deplasimi kriminal demografik në favor të ashpërsimit të konflikteve etnike. As që mund të parafytyrohet një aktivitet i tillë i BE-së, kur kihet parasysh se jo vetëm një shtab i komisioneres së ngarkuar në BE ka kyçje dhe autoritet ndikimi brenda dialogut por një seri shtetesh pro e kundër Kosovës. Një praktikë e tillë absolutisht nuk është e mundshme. Dhe Emigrantët më së paku janë nga përreth enklavave serbe apo viseve nga kanë ikur serbët apo malazezët e favorizuar nga ish aparati serb në Kosovë.

TEZA IV: Qeveria kosovare nëpërmjet ikjeve donë ta gjunjëzojë Evropën në dy segmente: të shpëtojë veten nga kosovarët duke i integruar ata sa më shpejtë qoftë nëpërmjet vizave apo anëtarësimit të tyre sa më shpejtë në BE.

ANTITEZA V: Rrezik shumë i madh. Duke pasur parasysh nivelin e diplomacisë dhe kualitetin e shërbimeve të Kosovës një aksion i tillë do ta dënonte edhe më keq Kosovës pas zbulimit të një “intrige” të sojit. Në BE shkohet sipas plotësimit të katalogut të kushteve të parashtruara e jo ndryshe. Po të ishte kështu metodën do ta kishin përdorur shtetet me aparate më të sofistikuara e me traditë në këtë drejtim. Kosova është larg praktikave të tilla mosadeske.

TEZA V: Ikjet janë nxitur nga Serbia, e cila donë ta frikësojë BE-në në dy drejtime: se Kosova pa asistimin e tyre nuk mund të ofrojë kurrë siguri dhe se Kosova edhe gjatë nuk është për në BE.

ANTITEZA V: Serbia është ndër kandidatet më të survejuara sa i përket hyrjes në BE. Në rast të zbulimit të një intrige të tillë do t’ia sistonte vetes të drejtën e dialogut dhe përfundimisht do të duhej të drejtohej drejt Rusisë, me të cilën ka marrëdhënie jo aq të këndshme aktualisht. Këtë ndoshta do ta dëshironin shqiptarët, mirëpo askush nuk beson se serbët të jenë kaq naivë.

ANALIZA: Autorët e gjithë këtyre tezave shihet se nuk njohin historinë, dinamikën dhe aktualitetin e emigracionit në Evropë. Shpërthime të tilla, për arsye ekonomike Evropa njeh që nga ditët e pas luftës së dytë botërore e deri sot. Në vitet e 70-ta italianët me trena plot, mijëra nisen drejt Zvicrës, Italisë, Gjermanisë (Pugliese, Enrico: 2002). Portugezët dhe spanjollët në mënyrë kontunitative dhe me disa mijëra në vit vazhdojnë të migrojnë e riemigrojnë që nga viti 1980 e deri sot (Herzog, Tamar: 2003).

Migracioni semilegal (sepse me vizë turistësh që keqpërdoren) nga Evropa e Mesme (Polonia, çekia, Sllovakia) dhe ai nga Bullgaria, Rumania është shumë më problematik për BE-në qe disa vite se çdo tjetër për arsye del i pakontrollueshëm dhe në dorë të krimit të organizuar (Bade, Klaus: 2007), turqit vazhdojnë të migrojnë poashtu në mënyrë të vazhdueshme (pa i llogarit kurdët në këtë drejtim) e me mijëra në vit drejt perëndimit. Gjersa të tjerët si zakonisht që nga italianët dhe jugosllavët e viteve të 70-ta, 80-ta kanë shfrytëzuar ndonjë marrëveshje legale (Kontratat ndërshtetërore) apo konvente hapësinore (Shengeni) për të emigruar, kosovarët janë nis pa një shkas të tillë. E kjo është pika që duhet trajtuar.

Konkluzioni: Shpërthimi i ikjeve masive nuk mund të bazohet vetëm në kushtet e këqija politike ekonomike, sepse shqiptarët e Kosovës sa i përket lirisë politikë dhe asistencës ekonomike asnjëherë më mirë në historinë e tyre dramatike nuk kanë qenë. Më shumë planëzime do të jetë pandehja e Interpolit dhe Europolit se ikjet janë pasojë e një rrejti kontrabandistësh me klandestinë, arrestimi i të cilëve është tashmë një aksion panevropian (https://www.europol.europa.eu/content/german-and-bulgarian-police-arrest-suspected-people-smugglers).

Metoda e tyre e rikonstruktuar nga tashmë të arrestuarit është kjo: përhapja e propagandës se Franca do të pranojë romët (si tash Gjermanët kosovarët). Lidhja e kontratave me politikanë dhe kompani autobusësh, me polici vendesh transite e deri në pikën e paraqitjes së azilit. Kosovarët që ikin kanë rënë në kurthin e kësaj mafie, e cila ka gjetur terrenin për shkak të dështimit politik dhe ekonomik të Kosovës. Në këtë “biznes” duket të jenë të përzier eksponentë politikë, firma e rrjete që siç merret vesh edhe hetohen. Asgjë më shumë a më pak!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu