Ilegalët cenojnë sovranitetin

0
653

(E plotësuar) Strukturat ilegale serbe cenuan sovranitetin e shtetit të Kosovës. Ato i organizuan zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, pavarësisht paralajmërimeve të Qeverisë së Kosovës dhe planit të ministrit Bajram Rexhepi për pengimin e tyre.

Në komunën e Zubin-Potokut dhe Zveçanit, ashtu siç patën lajmëruar strukturat paralele serbe, janë hapur edhe qendrat e votimit për zgjedhjet lokale.

Qytetarët serbë kanë votuar në këto dy komuna të papenguar nga askush.

Por për zyrtarët e Qeverisë së Kosovës këto zgjedhje janë të dështuara. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ndonëse kishte paralajmëruar plan konkret për pengimin e këtyre zgjedhjeve, të dielën ai ka thënë për RTK-në se ka pasur disa tendenca për t’i mbajtur zgjedhjet lokale në Zveçan dhe Zubin-Potok, siç kanë paralajmëruar. Ai nuk ka folur për planin e famshëm që kishte paralajmëruar tash e sa muaj.

“Kanë provuar nëpër objekte private, mirëpo ka qenë një numër shumë i vogël dhe se këto nuk paraqesin kurrfarë legjitimiteti. Procesi ka kaluar shumë mirë, përkundër analizave të ndryshme të cilat kanë parashikuar se do të ketë dhunë dhe probleme”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka ripërsëritur se pavarësisht nga votimi për zgjedhje lokale, ato nuk prodhojnë kurrfarë efekti.

Por Krstimir Pantiq, kryetar ilegal i Mitrovicës, për dallim nga ministri Rexhepi, thotë se kanë hapur qendrat e votimit në dy komunat për zgjedhjet lokale, Zveçan e Zubin-Potok dhe gjithçka ka shkuar në rregull.

Ai nuk ka treguar lokacionet, por ka thënë se qytetarët në veri kanë qenë të njoftuar për vendvotimet prej fillimit të procesit. Njëjtë ka folur edhe kryetari jolegjitim i komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, i cili ka thënë për media serbe se pos zgjedhjeve parlamentare e presidenciale, në këtë komunë është votuar pa problem edhe për ato lokale.

Ndërkohë që “Zëri”, ka kuptuar se zgjedhjet lokale serbe janë zhvilluar në shkollën e mesme në Zveçan, pastaj në vilën e quajtur “Jelen” si dhe në disa shtëpi private.

Kështu, plani operativ i Policisë së Kosovës për të ndalur këto zgjedhje nuk ka funksionuar. Por për dështimin e tyre policia kishte përgatitur edhe një arsyetim.

“Sa u përket zgjedhjeve lokale, edhe ashtu ato njihen si jolegjitime. Prandaj ne kemi dy mundësi, ose të ndërhyjmë dhe t’i ndalojmë, ose thjesht t’i injorojmë”, është përgjigjur kah mesdita e së dielës, Besim Hoti, zëdhënës për rajonin e Mitrovicës.

Ai ka shtuar se me rëndësi është se në vendvotimet e ligjshme për ato presidenciale dhe parlamentare ku është prezentë OSBE-ja, nëse ka përpjekje për të mbajtur zgjedhjet lokale, atëherë ato vendvotime do të mbyllen nga ky mision.

Informata për mbajtjen zgjedhjeve lokale kishte marrë edhe OSBE, por siç deklaroi shefi i saj Uerner Almhofer, ky mision nuk ka bërë ndonjë ndërhyrje në këtë drejtim.

“Përgjegjësia jonë është që të reagojmë nëse shohim përpjekje për mbajtjen e zgjedhjeve lokale afër vendvotimeve tona. Por, ju siguroj se deri më tani nuk kemi vërejtur asnjë vendvotim për zgjedhjet lokale afër lokacionit ku jemi ne”, tha Almhofer, para mediave në Graçanicë, ku kishte shkuar për të parë nga afër procesin në fjalë.

Zgjedhjet të qeta, por me shkelje

Sa u përket atyre presidenciale dhe parlamentare nën organizimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), 109 mijë qytetarë serbë të Kosovë me të drejtë vote kanë pasur mundësinë që të votojnë në 90 vendvotime, të cilat janë hapur në gjithsej 28 lokacione në Kosovë.

“Zëri”, ka qëndruar për një kohë në qendrën më të madhe votuese në Graçanicë, me ç’rast ka vërejtur një fluks të madh të qytetarëve serbë që shkonin për të votuar, ku shumica e tyre shprehnin të njëjtin mendim “kemi dalë për një jetë më të mirë”.

Ndërkohë që nuk është shënuar ndonjë incident apo prishje e rendit, sa i përket sigurisë.

Si shkelje e rregullave të përcaktuara nga qeveria kosovare është vlerësuar edhe përdorimi i flamujt e Serbisë në secilën prej sallave brenda shkollës, ku mbaheshin zgjedhjet në Graçanicë.

Përveç në Graçanicë, flamuj serbë janë parë edhe në shkollën fillore “Sveti Sava” në veri të Mitrovicës dhe në shkollën fillore “Jovan Cvijiq”, po ashtu në veri.

Arsyetimi i ambasadorit të OSBE-së, Almhofer, lidhur me përdorimin e simboleve serbe brenda objektit në Graçanicë, është se sipas tij, “marrëveshja e sqaron se simbole të tilla nuk do të lejohen jashtë objektit ku mbahen zgjedhjet”.

“Marrëveshja e sqaron se simbole serbe nuk do të ketë jashtë objektit ku mbahen zgjedhjet, e jo brenda saj”, tha Almhofer për “Zëri”.

Por kjo deklaratë e tij, bie ndesh me atë që është paraparë në dokumentin me të cilën është pajtuar ekzekutivi kosovar që të lejojë mbajtjen e tyre.

“Asnjë simbol i Republikës së Serbisë nuk mund të shpaloset në qendrat e grumbullimit e as në kutitë e votimit”, thuhet në njërën prej pikave të dokumentit të Qeverisë së Kosovës.

Por zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi i ka thënë gazetës se zgjedhjet serbe kanë shkuar ashtu siç janë marrë vesh me OSBE-në dhe nuk ka pasur asnjë shkelje.

“Gjithçka ka shkuar në mënyrë të mirë. Ka pasur pjesëmarrje të madhe të votuesve. Në Graçanicë votonin grupe pa ndalur, po ashtu edhe në Llapna Sellë është vërejtur fluks i madh i qytetarëve që kishin dalë për të votuar. Informata për pjesëmarrje të mirë kemi edhe prej lokacioneve tjera, por për më saktësisht duhet të presim deri në fund të procesit”, është shprehur zëdhënësi i OSBE-së, Nikola Gaon.

Ndërkohë në orët e mbrëmjes në veri të Mitrovicës rreth orës 17:00 janë dëgjuar breshëri të shtënash nga armët automatike. Ndërkohë, nuk është njoftuar për ndonjë të lënduar apo për dëme materiale të shkaktuar.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti ka thënë se policia ka regjistruar një rast të të shtënave me armë zjarri. “Policët e stacionit të Policisë së Kosovës në veri janë duke kërkuar vendin nga ku është shtënë me armë por deri më tani nuk kemi munduar ta lokalizojmë vendin e ngjarjes”, ka thënë Hoti.

Dëshirat dhe ankesat e votuesve serbë

“Kemi dalë për një jetë më të mirë, për një të ardhme më të mirë, së bashku të gjithë”, tha një qytetare serbe derisa votonte në Graçanicë.

Kjo grua e moshuar e quajtur Milica Nedeljkoviq, thotë se dëshira e saj është të jetojë gjithmonë në Kosovë, pavarësisht se kush e udhëheq atë, mjafton të bëjë jetë të mirë.

“Me rëndësi është të jetojmë mirë, veç këtë duam”, u shpreh edhe djali i saj, Momcilo Nedeljkoviq, i cili kishte dalë me tërë familjen për të votuar.

“Duam të bëhet mirë për të dyja anët, nuk ka rëndësi si, me rëndësi të jetojmë mirë, mundësisht të gjithë së bashku”, u shpreh një tjetër qytetare serbe e Kosovës, Vuqica Tabajkoviq.

Ndërkaq, Krstimir Pantiq, kryetar ilegal i komunës së Mitrovicës citohet të ketë thënë për media serbe, se në listat e votuesve në vendvotimet e organizuara nga OSBE, mungojnë shumë emra të votuesve.

“Kemi vërejtur se një numër i madh i qytetarëve nuk janë përfshirë në listat e votuesve dhe ka mjaft probleme. Përfaqësuesit e OSBE-së nuk i kanë organizuar mirë zgjedhjet”, ka thënë Pantiq, duke shprehur shqetësimin se një gjë e tillë do të mund të vërë në pikëpyetje legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve.

 

Besiana Xharra, Fadil Sertolli

(Tekstit i ka kontribuar edhe Bekë Abazi)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu