Ilir Gjoni: Po ngrihen mure ndarëse mes tre besimeve fetare

0
440

Partia Socialiste ka shprehur shqetësimin dje për situatën e krijuar në vend për shkak të rritjes së kriminalitetit, duke e konsideruar këtë si diçka jashtëzakonisht alarmante. Për këtë qëllim, selia rozë organizoi dje një tryezë të grupit të punës së programit të politik socialist për rendin dhe sigurinë, i cili drejtohet nga Ilir Gjoni. Në këtë takim, ishte dhe kryetrari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili në fjalën solli në vëmendje shifrat që selia rozë disponon për rritjen e kriminalitetit në vend. “Krimi po e mbyt Shqipërinë dita-ditës. Pas shifrave e grafikëve në rritje të të gjitha formave të kriminalitetit qëndron një shoqëri e kërcënuar përditë në sigurinë e saj dhe e privuar dita-ditës nga mundësia për punësim, për edukim të vërtetë, për shërbim shëndetësor normal, për një jetë kulturore reale”,- deklaroi kreu i opozitës. Në tabelën e paraqitur nga selia rozë vihet re trendi i rritjes së kriminalitetit vjetor, krimeve kundër personit, vrasjet, krimeve kundër pronës, vjedhjet me dhunë, vjedhjet me armë, vjedhjet e banesave, vjedhjet e kompanive private, armëmbajtjet pa leje dhe vjedhjet e tjera. “Vrasjet, shpërthimet me eksploziv, vjedhjet e pasurisë së shqiptarëve janë kthyer në lajme që nuk përbëjnë më asnjë lajm duke thyer çdo ekuilibër të luftës ndaj krimit. Qeveria me vendimmarrjen e vetë të errët, me sulmet barbare ndaj prokurorisë që nuk kanë reshtur gjashtë vjet më radhë dhe me gradimin e pinjollëve të krimit në postet e policisë, nuk ka bërë gjë tjetër veçse e ka inkurajuar krimin. Policia është zyrë punësimi për shërbëtoret e partisë në pushtet”,- tha Rama

Për kreun e grupit për programin mbi rendin dhe sigurinë, Ilir Gjoni, rreziku më i madh që i kanoset Shqipërisë është përçarja e popullsisë dhe mungesa e kohezionit social. “Janë thelluar ndarjet veri-jug; Po punohet për ngritjen e mureve ndarëse mes tre besimeve kryesore fetare. Disa prej tyre po tentohet të vihen nën kontrollin e rrymave ekstremiste; dhe ç’është më e keqja, shoqëria e ndarë në përkrahës të partive politike i ka kapërcyer kufijtë dhe caqet e funksionimit demokratik dhe po bëhet gjithnjë e më evidente ndarja ‘armiqësore’ dhe urrejtja mes përkrahësve të njërës apo tjetrës forcë politike”, shprehu shqetësimin Ilir Gjoni. Deputeti i Partisë Socialiste, njëherësh nënkryetar i Komisionit të Sigurisë vlerësoi se “rreziku tjetër është kërcënimi real ndaj integritetit të kufijve të Shqipërisë”. Për zyrtarin socialist një tjetër rrezik për vendin është dhe zhdukja “artificiale të vetë kompaktësisë etnike që po tentohet të realizohet përmes politikave klienteliste e në dëm të interesave kombëtare të ndjekura nga elemente politikë me influencë dhe veprimtarisë së pareshtur të agjenturave të huaja”.

 

Nga, Denis Dedej

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu