Ilmi Kasemi: Pranë Butrintit, monument për masakrën greke mbi çamët

0
737

Çam për nga origjina skuptori Ilmi Kasemi, sot po i shërben atdheut të tij. Një memorial për masakrën e vitit 1944, ka marrë jetë në duart e tij. Simbolet e memorialit përjetësojnë masakrën, udhën, mbijetesën dhe vuajtjet e popullit që u përndoq nga vendi i tij. Teksa sjell në vëmendje vuajtjet e popullit të tij, nuk nguron ta krahasojë kalvarin e çamëve me atë të hebrenjve.
Me ç’rast po bëhet ky monument për çamët?
Ky monument do të bëhet për Çamërinë dhe çamët fatkeq të vitit 1944, për njerëzit e pafajshëm që qëndruan për disa muaj pranë Qafë-Botës, në pritje për t’u kthyer në shtëpitë e tyre. Të mashtruar kushedi nga kush, më 1945 ata u kthyen në Çamëri nga të njëjtat shtigje e rrugë nga kishin ardhur. Pasi mbrapa kishin lënë qindra të vdekur nga epidemitë, vuajtjet fizike e marazi, përpara ata gjetën ferrin. Ky memorial nuk do përshkruajë masakrat që ndodhën nga kthimi tragjik, por do të kujtojë pafajësinë në arrati, të pleqve e plakave, të fëmijëve, vajzave dhe grave, të pjesës më të pambrojtur e më të pazotë për luftëra. Thuhet, dhe kjo është e saktë, pa pasur nevojë për dokumente historike, se në ditë hapeshin 5-6 varre dhe varroseshin 5-6 njerëz. Këta nuk i vrau greku drejt për së drejti, por të ftohtët, sëmundjet, vuajtjet që ju erdhën nga murtaja e emigrimit dhe lëvizjeve të paimagjinuara për ta. Këto ngjarje kanë ndodhur në një teatër gjigant, pranë Qafë-Botës dhe pikërisht në fshatin Xarrë, e cila ishte qendra e llavës “së vullkanit njerëzor” më së shumti të gjinisë femërore. Po burrat ku ishin?! Djemtë trima me fustanella të bardha kishte vite që kalonin në sitën e seleksionimit, duke u vrarë për arsye pa arsye?! I njëjti arkitekt së fundi i kishte shpërndarë në çeta, brigada e batalione të majta e të djathta, ca me grek ca me shqiptar, sigurisht edhe këta të gënjyer se do luftonin armikun e përbashkët, ushtrinë naziste. Kur burrat dhe djemtë leventë të Çamërisë e kuptuan se duhet të mbronin shtëpitë, nanat, motrat, gratë dhe bijtë e tyre jo nga nazifashistët, e them me keqardhje, por nga naz-elitë grekë, ishte tepër vonë. Ata qenë mashtruar e tradhtuar pabesisht. Të zbresësh nga mali i veshur si partizan i brigadave të EAMIT, që luftonte gjermanin dhe të gjesh shtëpinë të djegur e më tej ti gjesh të gjysmuar familjarët në shtetin amë e më tej akoma të akuzohesh si kolaboracionist, kriminel i pabesë, kësaj i thonë që burri nuk përballon dot më, s’mban dot më shumë se dhe guri çahet.
Kush e ka shpallur konkursin dhe ku do të vihet monumenti?
Këtë konkurs e ka shpallur Shoqëria “Çamëria” dhe është menduar të vendoset në varrezën më të uritur të të gjitha kohërave, që përpiu për 6 muaj aq shumë jetë njerëzish, saqë në kohë paqe nuk mjaftojnë 60 vjet. Konkretisht ajo ndodhet në një kodrinë pranë fshatit Xarrë,siç ju thash më lart, jo shumë larg nga qyteti i Butrintit.
Boceti juaj ç’formë e paraqitje ka?
Duke ndjekur modele në religjion e në art kam bërë një projekt, që esencialisht ka formën dhe paraqitjen e nënës time, jetës së saj. Kur ju më kërkuat këtë intervistë, ndjera nëna ime kishte të dyzetat. Në gusht kisha vendosur të rikthehesha në Qafë-Botë, por nuk arrita ta çoja tek varri i nënës së saj. Për fat të mirë, kur unë shprehja pengun që nuk e çova dot nënën tek varri e më tej të përpiqesha dhe ta çoja në Çamëri me pasaportën e saj biometrike që mbeti pa asnjë vulë (edhe sikur ta kthente polici grek) daja im më qetësoi duke thënë “Varri i gjyshes tënde ishte tamam tek porta e varrezave të rrethuara provizorisht”. Tamam aty kishin gërmuar e prishur varret, pikërisht aty ku i tregova tre fëmijëve të mi ngjarjen, duke u thënë “Këtu duhet të jetë varrosur nëna e nënës sime, që atëherë kishte moshën e nënës tuaj”. Djemtë e mi në Qafë-Botë mësuan të tronditur se kush ishin rrënjët e tyre. Vizita në Çamëri më bëri më entuziast, që t’i jepja formë e paraqitje figurës qendrore të memorialit, sipas imazhit gruas sime. Daja, që asokohe kishte qenë 7-8 vjeç dhe i mbante shumë mirë në memorie ngjarjet, më tha se pas heqjes së dherave nga buldozerët e regjimit, varri paskësh qenë në nivelin e zemrave tona. Pikërisht aty, unë kam menduar të vendos nënën e re me djep mbi kokë, me këtë “sarkofag” të çuditshëm dhe unikal për një varrezë, që në fakt është shtrati me gjethe lisi, në të cilin fle i qetë fëmija i nënës së re. Pra, kam kompozuar njëkohësisht figurën humane, djepin si simbol të jetës, ku të dyja rrinë në bazën e një kolone, në të cilën është shkruar “Dodona” dhe po kjo në një bazë tjetër kubike, ku çdo faqe do të përfaqësojë katër lumenjtë e Çamërisë, njëri prej të cilëve, përveç Akeronit mitik, është lumi Thiamis, prej ku shumë studiues nxjerrin prejardhjen e emrit Çiamis. Siç e shihni, e pata shumë të thjeshtë ta kompozoja në këtë mënyrë, pasi mendoj se ky figurim është mënyra më e mirë, tingulli më i bukur, metafora sfidante, gjithmonë sipas meje e vuajtjes, tmerrit, e tragjedisë. Nëna e re e ulur rri si “Sfinks” dhe mendoj se kjo çlodhje, ulje provizore, dëshmon rrugën që është akoma e zënë pasi ende fati tragjik dhe lodhja e nënës së re vazhdon. E pata të thjeshtë gjithashtu, pasi gjyshja ime i dha vajzës së saj të re, porosi “Amanet fëmijët””, pra vëllezërit e nënës time që ishin më të vegjël nga ajo. Kësisoj, nëna ime e mbajti amanetin, e mbajti djepin në kokë për vëllezërit e saj, për fëmijët e tjerë që iu vdisnin nanat, për mua dhe për të gjithë fëmijët e çamëve në arrati. Memoriali ka, sipas projektit tim, veç të tjerave që nuk po i publikoj për të ruajtur etikën e konkursit, edhe dy porta monumentale: Porta e Nderit dhe Porta e Ferrit. Më është dashur të tregoj plastikisht me vëllime arkitektonike e skulpturore edhe fatin më tragjik se vdekja nga marazi e gjyshes sime, pra të atyre nanave e vajzave të reja që në trupin e tyre, thikat e hanxharët e bastexhinjëve, nxirrnin fëmijët nga barku i nënave, si të ishin mami. Dhe kur nuk fitonin bastin, i shtypnin fëmijët me këpucët me prroka (gozhdë) e thoshin “Sto dhjavolo” (në djall vafsh).
Si e keni paraqitur këtë?
Në portën e ferrit do të figurojë bastexhiu me thikën në dorë, që i pret njërin gji të bardhë vajzës së re si të qe amazonë, ku edhe kësaj here bastexhiu e humbi këtë bast sepse vajza lakuriq e gjakosur pati fuqi që të vraponte dhe më tej të binte përdhe. Fëmija i shtypur nga këpucët me prroka dhe vajza amazonë e që nuk vdiq menjëherë në duart e bastexhiut, si dhe nëna e varur me kokë poshtë, mbeten atje në Çamëri. Kjo lloj vdekje asistuar nga spektatorët e tmerruar, do të gjejë vend në portën e ferrit. Natyrisht, me pak skena dhe ilustrime të kësaj natyre, pasi memoriali i dedikohet pjesës që vdiq në pritje për t’u kthyer në Çamëri. Figura qendrore do të shoqërohet me 9 kolona, të cilat do të përfaqësojnë qytetet kryesore të Çamërisë, si dhe do të vendoset sipër çdo kolone, në vend të kapitelit, nga një portret i personazheve më tipike të krahinës përkatëse, duke shkruar edhe emrat e njerëzve të vdekur sipas qyteteve e fshatrave respektivë. Këto kolona, do të jenë në kuptimin simbolik, vashëza të reja që rrethojnë nënën e re, si muzat e jetës që rilind. Do të jenë kënga e përjetshme ninullore e tyre.
Sa të përfaqësuar e shihni kulturën çame në Shqipërinë amë?
Nuk mundem momentalisht të japë një përgjigje me vlerë, pasi nuk di as si ta nis e as si ta bitis. Kjo jo për mungesë argumenti, por mendoj që nuk është as koha dhe as momenti im i koncentrimit ngaqë jam në valën e punës për projektin në fjalë.
A e keni vizituar Çamërinë kohët e fundit? Si jeni ndjerë? Si e gjetët vendin tuaj?
Po. E kam vizituar një pjesë të saj. Si t’ju them? E kam të vështirë ta përshkruaj. Kam hyrë në Qafë-Botë dhe ndjeja familjen time, sikur të qe e se njëjtës kohë të subjekteve të memorialit, madje s’e di, pse po ajo që karakterizoi mendimin tim dhe gjendjen shpirtërore qe fraza të cilën ja thashë gruas dhe fëmijëve; me duket sikur të ishim një familje hebraike, që kanë ecur korridoreve e hyrë portave të hapura dhe të mbyllura të dymijëvjetëve në kalvarin e tyre tragjik. Si mund ta gjeja vendin tim në këtë gjendje shpirtërore? Këtë gjendje, duhet ta dijë Brukseli, që ka miratuar lëvizjen e lirë të shqiptarëve, duhet ta dijë mirë madje se për doganierët e racës në doganat në vijën e kufirit që përshkruan e ndanë në mes kraharorin e Çamërisë, paska akoma familje “hebreje” që duhen pyetur nga je, si ta quajnë babain, nënën, gjyshin, stërgjyshin deri tek Pirro?!?
A mendoni se ka mbetur gjurmë shqiptare atje? Ku duken më së shumti?
Ah! Më bëtë të flasë edhe njëherë edhe pse nuk doja të zgjatesha. Sapo kalova lumin Thiamis, në krahun e majtë në faqe të kodër-malit të argjendtë me lisa të rrallë që tregonin një gjendje të shkretë, qe një fshat i braktisur, i cili quhet KOSK. Shtëpitë pa çati, me dy dritare të vogla që dukeshin si dy sy drejtuar nga deti Jon, ishin vendosur kaq drejtë dhe në harmoni, saqë ndonëse vija nga Shqipëria, gjeta dhe atje më shumë Shqipëri të modeluar në mënyrë të mahnitshme. Ata që i kanë ndërtuar këto shtëpi, nuk e kanë njohur urbanistikën, se kjo është shkencë e re. Pyetja e parë brenda çudisë dhe disiplinës volumetrike e hapësinore qe: Ku është otomanizmi në stil e në vendosjen e fshatit malor me sy nga perëndimi, ashtu siç është i vendosur thuajse çdo qytet i Shqipërisë, KOSKA (ossa – it.), që ne çamët nuk i themi kocka, kaq më pëlqeu, sa që thashë “Ish-pronarët duhet t’i drejtohen UNESCO-s, e jo të kërkojnë pronat në Athinë. KOSKA, në qoftë se quhet gjurmë siç e thoni ju, ajo është vërtetë kockë shqiptare. Unë nuk vazhdova më tej, më mjaftoi KOSKA, për të vërtetuar se Çamët janë pellazgë. Çdo nofkë për ta del nga mitra e mashtrimit.

 

Shkruan: Fatmira Nikolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu