Infiltrohen n’shërbim Informativ

0
1465

Policia ka arrestuar dy persona nën dyshimet se kanë falsifikuar kartat e identitetit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Në krye të këtyre mashtruesve ishte Maksim Ferra, një shtetas shqiptar, ish-pjesëtar i SHISH’it. Ferra kishte rekrutuar 52 persona, ua kishte marrë nga 2 mijë euro dhe i përdorte ata për qëllime të tij. Express sjell rrëfimin për “James Bondin” shqiptar, tashmë i kërkuar nga Policia e Kosovës.

James Bond, agjenti britanik në sagën e njohur të filmit 007, është i vocërr para tij. Madje edhe aktet e vjedhjeve e krimet dalin zero krahasuar me idenë e tij për të bërë para. As më pak e as më shumë, ai e ka shpallur vetën agjent të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës(AKI) dhe ka rekrutuar 52 veta, të cilëve dyshohet se u ka marrë nga 2 mijë euro secilit, nëse ata donin të pranoheshin në punë.

Ky është Maksim Ferra nga Shqipëria. Policia ka arrestuar dy prej tyre, kurse Ferra është vënë në kërkim.

Për më shumë se gjashtë muaj, ata kanë vepruar në tërë Kosovën duke pretenduar se janë agjentë të AKI-së.

Të njëjtit kanë qenë të pajisur me karta identiteti, njësoj sikurse ato që i kanë pjesëtarët e këtij shërbimi, por me një dallim thelbësor-ishin false.

Megjithatë, ata i kanë shfrytëzuar mirë ato “dokumente”, së paku për gjashtë muaj.

Secili prej tyre, sa herë që kanë pasur ndonjë telashe me organet e rendit, ia ka treguar atë “dokument” sikurse xhoker nga xhepi, duke u prezantuar si agjentë të AKI-së.

Sigurisht, kanë kaluar pa telashe.

Nuk ishin pak, por rrafsh 52 anëtarë dhe gjithmonë kanë pretenduar se punojnë në luftë kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Shefi i kësaj “agjencie”, që është thirrur në emër të AKI-së, është Maksim Ferra, një burrë nga Shqipëria, i cili sipas burimeve të Expressit, ka qenë ish pjesëtar i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH).

Burime të mirë informuara të Expressit tregojnë se Ferra ka një organizatë joqeveritare, që synim kryesor ka luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

“Ky njeri, për më shumë se gjashtë muaj, ka operuar duke u thirr në emër të AKI-së me karta identiteti të rrejshme, me staf të rrejshëm e gjëra të tjera….”, thotë burimi i gazetës i mirë informuar.

Maksim Ferra, drejtori i këtij “shërbimi inteligjent”, ka rekrutuar një numër për 52 anëtarësh, të cilët kanë operuar në tërë Kosovën duke u shitur si agjentë të AKI`së.

“Për secilin anëtar që ai ka lëshuar ID kartë, në emër të AKI-së, ky tipi ka marrë nga 2 mijë euro nëse ata kanë dashur të punësohen”, rrëfen ky burim.

Sipas tij, agjentët e rrejshëm të AKI-së e kanë bërë këtë pagesë dhe se mision kryesor kanë pasur luftën kundër terrorizmit dhe krimin e organizuar.

“Janë thirr në emër të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar e në të njëjtën kohë kanë përfituat vetë ata”, tregon ky burim i mirë informuar.

Sipas tij, nga 52 agjentët e rrejshëm të AKI-së, nëntëdhjetë për qind e tyre kanë qenë kandidatë që kanë konkurruar, por nuk kanë mundur të pranohen në AKI.

Megjithëkëtë, marrja me “zanatin” e spiunazhit, për Maksim Ferrajn dhe “agjentët” e tjerë, nuk ka ecur shumë gjatë, meqë ishin Policia e Kosovës dhe agjentët legjitimë të AKI-së që i kanë rënë në fije tërë këtij pështjellimi.

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona nga ky grup dhe ndaj tyre tashmë janë iniciuar të gjitha procedurat e mëtejme ligjore, edhe pse këtë nuk kanë mundur ta konfirmojnë zyrtarët për media të organeve të rendit.

Gazeta të mërkurën ka kontaktuar me kryeinspektorin e AKI-së, Agron Selimajn, për të marrë ndonjë qëndrim rreth kësaj çështjeje, por ai ka qenë mjaft i zënë dhe nuk ka mundur të përgjigjet.

Gazeta ka kontaktuar edhe me shumicën e anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së në Kuvendin e Kosovës. Ata nuk e kanë konfirmuar tërësisht të ketë ndodhur diçka e tillë, edhe pse thanë se kanë dëgjuar diçka për arrestime të personave që kanë falsifikuar ID kartat e AKI-së, por jo për rastin në përgjithësi.

Imri Ahmeti, anëtar në këtë komision nga LDK, ka thënë se para një jave ka qenë në mbledhjen e Komisionit, ku ka raportuar shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, por një gjë e tillë nuk është diskutuar.

“Me sa di unë, dy raste kanë ndodhur në Kosovë për shpërdorim të detyrës dhe janë arrestuar, njëri në Pejë e tjetri në Prizren”, thotë Ahmeti për Gazeten.

E Burim Ramadani, anëtar tjetër në këtë komision nga AAK`ja, thotë se nuk di asgjë rreth kësaj çështjeje.

“Nuk di asgjë. Javën e kaluar jemi mbledhur si Komision … por nuk di për këtë”, tha shkurt ai.

Ai që ka folur më shumë rreth këtij rasti ishte anëtari tjetër i Komisionit Parlamentar, Bekim Haxhiu, nga PDK`ja.

Ai ka thënë se shqiptarët e kanë zakon të thirren në emër të institucioneve.

“Është zakon që njerëzit të thirren në emër të UÇK-së, AKI-së e të tjera. Por, në rast se ka diçka nga kjo, janë organet e rendit që duhet të merren me këtë. Ne kemi dëgjuar për dy persona të arrestuar në lidhje me shpërdorim të detyrës”, thotë deputeti i PDK`së.

Ai ka inkurajuar punën që bënë AKI, duke vlerësuar se anëtarët e tjerë të komisionit e kanë dëmtuar këtë agjenci për qëllime politike.

“Florin Krasniqi e Burim Ramadani e kanë dëmtuar AKI-në për qëllime të tyre politike, e kanë politizuar dhe kjo nuk është aspak mirë. AKI vazhdon punën e vet dhe se shefi i AKI-së dhe kryeinspektori raportojnë në Komision për punën e tyre”, tha Haxhiu.

Nga një kërkim në rrjetin social Facebook dalin disa të dhëna për këtë person të publikuara nga vetë ai, madje edhe të personave që kanë punuar për të, duke iu vendosur edhe “detyrat” përkatëse. Ai ka publikuar disa fotografi si dhe logon e organizatës që drejton. Sipas tij, organizata merret me luftë kundër terrorizmit dhe kundër krimit të organizuar.

“Unë quhem Maksim Xhavit Ferra, jam drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare të Studimit të Luftës Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar. Jemi në aktivitet që prej viti 2005. Kam mbaruar Akademinë e Rendit dhe Akademinë Diplomatike në Universitetin Evropian. Kemi shtrirje në disa vende ku ka komunitet shqiptar në emigrim. Jemi të certifikuar në Mbretërinë e Bashkuar (UK), Kosovë dhe në Francë, ku kemi ngritur dhe filialet tona në këto vende”, shkruan Ferra. Ndryshe nga filmi i agjentit James Bond 007 që gjithmonë fiton, Ferrës kësaj here duket se i mbeti ferra.

AKI

Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), zyrtarisht është krijuar në vitin 2009 me Ligjin numër 03l/-063. Bashkim Smaka është emëruar drejtor i saj. Smaka është emëruar në këtë post pas marrëveshjes ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës në atë kohë, LDK-së e PDK-së. Ai është zgjedhur për një mandat 5 vjeçar, por me mundësi të rizgjedhjes, ashtu siç e parasheh ligji. Në fund të vitit 2009 ka filluar rekrutimi i anëtarëve të saj, edhe pse informacionet nga AKI janë shumë të pakta.

Ekzekutivi i vendit nga buxheti i Kosovës për vitin 2011 kishte ndarë për funksionimin e AKI 5 .6 milionë euro ose më pak se 0.5 për qind të buxhetit të përgjithshëm.

Por, sipas projektbuxhetit të Qeverisë për vitin 2012, AKI ka të punësuar 90 persona, kurse buxheti i saj është sërish i njëjtë, 5.6 milionë euro.

Historia e spiunazhit

I themeluar në vitin 1865 si pjesë e Departamentit amerikan të Thesarit, Shërbimi Sekret është një nga agjencitë më të vjetra inteligjente. Qëllimi i tij fillestar ishte për të luftuar problemin më të madh në atë kohë, të falsifikimit të monedhës, por detyrat e agjentëve të Shërbimit Sekret zyrtarisht më vonë u zgjeruan, duke përfshirë edhe mbrojtjen personale të Presidentit amerikan, pas vrasjes në vitin 1901 të Presidentit William McKinley në Buffalo, New York.

Agjencitë më të forta të spiunazhit në botë

Shumica e shteteve, për të mos thënë gati të gjitha, kanë edhe shërbimin e vet të zbulimit apo inteligjencës. Në gjuhën e përditshme ata njihen si spiunë, të cilët kanë detyra të ndryshme, dukë filluar prej asaj të spiunimit të vetë zyrtarëve të shtetit të vet e deri tek ata që punojnë si agjentë të dyfishtë për shtetin e vet edhe për llogari të një shteti tjetër. Sipas një klasifikimi jozyrtar, bota numëron dhjetë agjenci spiunazhi më të fuqishmet në botë dhe ato janë.

1-ISI– Mund të duket e çuditshme, por Pakistani mban vendin e parë. ISI- Shërbimi inteligjent i këtij shteti është krijuar në vitin 1948, nën juridiksionin e Qeverisë së Pakistanit. Historia e suksesit të këtij shërbimi është shumë e hershme dhe fillon që nga koha e sovjetikëve, ruajtjes së fuqisë kundrejt Indisë, ruajtjen e armëve bërthamore e mbi të gjitha, personali i tyre kurrë nuk është regjistruar nga kamerat. Besohet se ISI ka numrin më të madh të agjentëve krahasuar me shërbimet tjera, me 10 mijë gjithsej. ISI është një “shtet brenda një shteti”.

2-Mossad– Shërbimi inteligjent i Izraelit. Mossad është themeluar në vitin 1949, me 1 mijë e 200 të punësuar dhe me llogari që i jep direkt Kryeministrit. Lista e sukseseve të këtij shërbimi është e gjatë. Por, vlen të përmendet hakmarrja e tyre ndaj Autoritetet Palestinez, të cilët në sulmin e tyre në Lojërat Olimpike të Munich të Gjermanisë në vitin 1972, arritën të vrasin dhjetë atletë izraelitë.

3-MI6-Shërbimi inteligjent britanik është themeluar në vitin 1909 dhe llogari për punën e vet i jep Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Perceptimi i përgjithshëm në opinion është se ky shërbim është mjaft efektiv-ndoshta kjo ndodh edhe nga ndikimi i filmave me James Bond. Shpesh ky shërbim cilësohet si ekuivalent me atë amerikan CIA. Sukseset e MI6 ndërlidhen me raste të rëndësishme, sidomos gjatë dy luftërave botërore.

4-CIA-Shërbimi inteligjent amerikan. Ky shërbim është prej më të mëdhenjve dhe detyra kryesore e tij është mbledhja e informacioneve që kanë të bëjnë me vendet tjera që përpiqen të ndikojnë në politikën amerikane. CIA gjithashtu angazhohet në veprimtari të fshehtë me kërkesë të Presidentit amerikan. Funksioni kryesor i CIA-s është të mbledhë informacion në lidhje me qeveritë e huaja, korporatat dhe individët, dhe për të këshilluar politikëbërësit publikë. Agjencia kryen operacionet e fshehta dhe veprime paramilitare, si dhe ushtron ndikim në politikat e huaja nëpërmjet Divizionit për Aktivitete të Veçanta. Pavarësisht sukseseve të mëdha, në historinë e CIA-, si dështimi më i madh llogaritet mosaftësia në parandalimin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. CIA mbetet shërbimi inteligjent më i financuari në botë dhe me teknologjinë më të avancuar.

5-MSS-është shërbimi inteligjent i Republikës Popullore të Kinës. Kjo agjenci është gjithashtu ndoshta një prej shërbimeve më të mëdha dhe më aktive të zbulimit. Kompetencat që anëtarët e saj kanë janë shumë të mëdha. Misioni i këtij shërbimi është të ruajë “sigurinë e shtetit nëpërmjet masave efektive kundër armikut, agjentë, spiunë, dhe kundër-revolucionarëve, aktiviteteve të dizajnuara për të sabotuar ose përmbysur sistemin komunist të Kinës”. Mbulimi që ky shërbim bën është shumë i madh. Në një moment, selia kryesore e shërbimit në Peking i ka thirrur në vend rreth 120 agjentë të saj që ishin biznesmenë, bankierë, studiues apo gazetarë, që vepronin të mbuluar në SHBA, Kanada, pjesën perëndimore dhe veriore të Evropës e Japoni. Ky fakt sado i vogël, tregon për shtrirjen gjigante të këtij shërbimi.

6-BND-shërbimi sekret gjerman është mjaft i vonë krahasuar me shërbimet amerikane dhe britanike. BND është krijuar në vitin 1956 dhe ka më shumë se 6 mijë të punësuar. Ky shërbim është nën kontrollin e zyrës së Kancelarit.

7-FSB-është shërbimi inteligjent i Rusisë. Është themeluar vonë, vetëm në vitin 1995, pas shpërbërjes së ish Bashkimit Sovjetik. Megjithatë, FSB llogaritet si trashëgimtare e drejtpërdrejtë e ish KGB-së. Në vitin 2006 është raportuar se për funksionimin e saj derdhen rreth 40% të buxhetit të shtetit.

8-DGSE-është shërbimi sekret i Francës. E krijuar në vitin 1982 dhe me llogari që i jep Ministrit të Mbrojtjes, agjencia punon në ofrimin e shërbimit të fshehtë dhe të sigurisë kombëtare, veçanërisht duke kryer operacione paramilitare dhe operacione të kundërzbulimit jashtë vendit. Historia e krijimit të DGSE ndërlidhet me shkrirjen në një vend të disa shërbimeve të ndryshme që në thelb kishin spiunazhin

9-R&AW-Është shërbimi inteligjent i Indisë. Ajo u formua në shtator 1968 dhe i përgjigjet zyrës së Kryeministrit. Funksioni i saj primar është mbledhja e zbulimi i jashtëm, kundër terrorizmit dhe operacionet e fshehta. Përveç kësaj, ajo është përgjegjëse për marrjen dhe analizimin e informacionit në lidhje me qeveritë e huaja, korporatat dhe personave, në mënyrë që të këshillojnë politikë bërësit indian.

10-ASIS-është shërbimi sekret i Australisë. Themeluar në vitin 1952, ky shërbim duket më së shumti transparent kur vjen puna për të dhënat që i duhen treguar publikut. ASIS i jep llogari Kryeministrit dhe buxheti i saj sillet rreth 160 milionë euro në vit (162.5 milionë dollarë në vitin 2007). Interesant është fakti se në njëzet vjetët e para, ekzistenca e agjencisë ishte sekret edhe për vetë qeverinë e vendit.

(Marrë me shkurtime nga thinsoul.wordpress.com).

5 spiunët e të gjitha kohërave

Ka klasifikime të ndryshme se cilët janë dhjetë spiunët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Pavarësisht se ata mund të zënë pozita të ndryshme, pak a shumë të gjithë janë në këtë listë. Fatkeqësisht shumica janë zbuluar dhe janë ekzekutuar sepse ose ishin zënë nga vendet që i spiunonin, ose janë shndërruar në agjentë të dyfishtë.

1-Mata Hari-spiune e Gjermanisë, më vonë edhe e Francës. E pushkatuar në vitin 1917.

2-Çifti Julius dhe Ethel Rosenberg-spiunonin në SHBA për llogari të Bashkimit Sovjetik. Të ekzekutuar në karrigen elektrike në vitin 1953.

3- Aldrich Ames ka spiunuar në SHBA për llogari të Bashkimit Sovjetik. U arrestua nga FBI në aeroport duke u arratisur. U dënua me burgim të përjetshëm. Vdiq më 1994.

4- Giacomo Casanova-dashnori i përjetshëm nga Venice (Itali) spiunoi për Vietnamin, por pasi u zbulua, shpëtoi disi. Vdiq në vitin 1798.

5- Klaus Fuchs spiunoi për Bashkimin Sovjetik. U arrestua në Gjermani dhe u dënua me 14 vjet burg për dhënie sekretesh sovjetikëve në lidhje me bombën atomike. Mbajti 9 vjet dhe u lirua duke jetuar jetë të thjeshtë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu