Inkurajimi i hegjemonizmit serb

0
787

Më shumë pushtet, edhe nëse kjo është në më pak territor – e këtillë është logjika e kësaj Qeverie të Kosovës

Në vitin 2008 Boris Tadiqi i pati fituar zgjedhjet për president të Serbisë kundër Tomislav Nikoliqit. Asokohe Nikoliq thoshte që Serbia duhet të zgjedhë ndërmjet Kosovës dhe BE-së dhe se ky është për Kosovën. Në anën tjetër, Tadiqi thoshte se ka edhe një mundësi shtesë: edhe BE-ja, edhe Kosova!

Boris Tadiqi i fitoi zgjedhjet me një diferencë të vogël në raundin e dytë: 50,31% kundrejt 47,97%. Katër vjet më vonë ishte Tomislav Nikoliqi ai që po thoshte “edhe Kosova, edhe BE-ja”, duke ngadhënjyer kësaj radhe ai mbi Tadiqin me diferencë ca më të madhe: 50,21% kundrejt 46,77%.

Me fjalë të tjera, Serbia po forcohet në aspektin e saj hegjemonist dhe rezultatet e zgjedhjeve atje janë edhe pasojë edhe sforcim shtesë i kësaj.

Këtë qasje të Serbisë hegjemoniste po e mundëson edhe Brukseli me kërkesat e vazhdueshme për dialog të Kosovës me Serbinë, pavarësisht sjelljes së Serbisë. Mbështetja e Brukselit për Tadiqin teksa ky po radikalizohej u përkthye në vota për atë që është edhe i vetëshpallur si radikal.

Me gjasë, kur qytetarët e Serbisë e panë që BE-ja s’po e kritikon dhe akuzon Tadiqin përkundër radikalizimit të tij, ata menduan që Nikoliqi është radikali i vërtetë dhe zgjedhja e duhur. Ivica Daçiq rrëmbente shqiptarë në kufijtë e Kosovës e brenda tyre, thoshte hapur se këto janë hakmarrje, Tadiqi e përkrahte ose heshtte, ndërkaq Brukseli reagonte butë ose zakonisht heshtte.

Sa më shumë që tolerohet Serbia nga BE-ja, aq më shumë do të duhet të tolerohet ajo. Tolerimi i Tadiqit e solli tolerimin e Tadiqit dhe të Daçiqit, kurse kjo e fundit po shpie te tolerimi i Nikoliqit. Njëkohësisht, dihet e shihet se koncesionet e Qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë nuk e kanë zvogëluar përçmimin dhe dhunën e Serbisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

Para se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë të bisedojnë në Bruksel, Robert Cooper vjen nga Brukseli në Beograd dhe në Prishtinë. Dhe, pikërisht me këtë renditje: së pari në Beograd, në Serbi, e pastaj në Prishtinë, në Kosovë. Atë që s’e pranon Beogradi, s’vjen në konsiderim. Atë që e pranon Beogradi, bëhet trysni e shtuar e Brukselit mbi Prishtinën. E, kur marrëveshjet nuk i zbaton Beogradi, atëherë ai nuk ndëshkohet porse kjo shndërrohet në arsye të re për vazhdimin e dialogut.

Zaten, në bisedime të Qeverisë së Kosovës me Serbinë, pa kushte për Serbinë dhe për çështje të brendshme të Kosovës, nuk ishte e mundur ndonjë rrjedhë tjetër e procesit. Kur hipën në autobus për Pejë, nuk arrin dot në Gjilan, apo jo?

 

Marrëveshjet e Qeverisë së Kosovës me Serbinë, por edhe vetëm dialogu me të, janë nisur e zhvilluar gjersa Serbia ishte hegjemoniste dhe nacional-shoviniste. Pa u suprimuar ky karakter i regjimeve në Serbi, kurrfarë bisedimesh e marrëveshjesh nuk mund të jenë as të drejta e parimore dhe as të mira e të dobishme.

Deklaratat e Qeverisë së Kosovës për kinse bisedime me serbët e veriut janë gjepura. Dihet që atje s’ka përfaqësues të lirë të serbëve. Pa i hequr strukturat shtetërore dhe armiqësore të Serbisë, pa i hequr mekanizmat ilegalë dhe kriminalë të saj, s’mund të ketë përfaqësues të serbëve që janë përcaktuar në mënyrë të lirshme dhe demokratike.

Gatishmëria e këtillë e Qeverisë është gatishmëri për bashkëpunim me strukturat e Serbisë, përkatësisht vetë Serbinë, në zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës. Kjo gatishmëri e Qeverisë së Kosovës, më tutje, ka prodhuar kërkesat ndërkombëtare për një plan të Qeverisë për veriun. Mirëpo, çfarëdo plani që propozon kjo Qeveri për veriun, përfundon në tryezë me Serbinë (edhe nëse ky nuk ishte qëllimi fillestar).

Plani i Qeverisë së Kosovës do të ishte veçse ofertë për Serbinë. Plani i atillë s’do të ishte plan i Kosovës për veten e saj (sepse janë kushtetuta e ligjet për këtë), por ofertë e Kosovës për Serbinë mbi Kosovën. Serbia kontrollon territor të huaj dhe ushtron dhunë mbi shqiptarët, ndërsa Qeveria e Kosovës harton plane për territorin e vet që bëhen propozime në bisedime me Serbinë.

 

Pushtetarët kosovarë, në përgjithësi, gjithnjë kanë qenë të prirur drejt thellimit të pushtetit të tyre vertikalisht, duke e shtuar kontrollin deri në nivelet më të ulëta të institucioneve dhe shoqërisë, dhe jo ta mbrojnë ose zgjerojnë territorin e vendit ku do ta kishin pushtetin, pra jo zgjerim horizontal.

Më shumë pushtet edhe nëse kjo është në më pak territor – e këtillë është logjika e kësaj Qeverie të Kosovës. Pikërisht këtë gjë po e shfrytëzon ndërmjetësi Robert Cooper karshi Kosovës. Ai po e toleron thellimin e pushtetit të Qeverisë së Kosovës në një territor gjithnjë e më të rrudhur të shtetit të Kosovës.

Nga BE-ja, vetëm Serbia po përfiton si shtet, ndërsa Kosova po përfiton vetëm si Qeveri. Jetësimi i pavarësisë së Kosovës mbeti simbolik si për nga karakteri, po ashtu edhe për nga përmbajtja.

 

Shkruan: Albin Kurti

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Zëri”)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu