Intervistë| Jahja Koka: Një klasë e re politike e shkencore e shpëton UP’në

0
883

Jahja Koka

Shumë shpejt do të vijnë klasa e re politike me kompetencë për t’i kryer reformat në të gjitha universitetet. Këta njerëz do të jenë me kompetencë profesionale e shkencore e jo me meritokraci historike. Sidoqoftë, në Universitetin e Prishtinës s’ka kultivim të mendimit shkencor dhe kreativ. Kjo po ndodh për shkak se profesorët që janë sot në kulmin e arritjeve shkencore janë shkolluar nëpër bodrume. Mjeku, kimisti, fizikani, biologu kanë kryer studimet pa parë kurrë laboratorë. Duhet të bëhet zëvendësimi total i teksteve ekzistuese në universitete dhe në shkollat e mesme. Duhet të përdoren tekstet profesionale në nivel shkencor-didaktik. Profesori i Universitetit Amerikan në Kuvajt, Jahja Kokaj, flet për Express.

Çka duhet bërë për të ecur edhe Universitetet tona drejt universiteteve shkencore e jo siç janë tash më shumë universitete mësimore, ku studentët shkojnë më shumë për të mësuar se sa për të studiuar?

Jahja Koka: Mësimi ne universitetet tona ka karakter ekskluzivisht narrative, transmeton njohuri te vjetruara te cilat gjenden ne librat e autoreve shqiptar të cilat, me përjashtime shumë të vogla, i kanë përkthyer nga serbo kroatishtja. Ne salla te universitetit mungon ligjërimi qe transmeton shkencën apo njohuritë shkencoro-artistike bashkëkohore. Mungojnë metodat didaktike, sidomos ato që sot ofrojnë teknologjitë aktuale informative. Me përjashtime shumë të vogla, mësimdhënësit e të gjitha niveleve shkencore janë të pa kompetencë shekcore-profesionale për ta kultivuar dinamiken e dëshiruar shkencore-pedagogjike që i përgjigjet kërkesave aktuale teknologjike. Ndaj nuk është i pritur kultivimi i mendimit shkencor dhe kreativ ne amfiteatrot e universitetit tonë.

Cilët janë faktorët që kanë kushtëzuar këtë gjendje të universitetit tonë?

Jahja Koka: Nuk dua të fajësoj kuadrin që sot jep mësim në të gjitha nivelet, kam respekt për ata, pa mundshmen, si askush nga paraardhësit e tij, për të mbajtur sadopak një nivel të caktuar në UP. Por gjendja ekzistuese është ndërtuar në fatkeqësinë tonë historike e cila karakterizon të gjitha segmentet e jetës sonë shkencoro-ekonomike-politike në Kosovë. Kjo histori më se dydekadëshe që ka sjellë këtë gjendje drastike e cila është e karakterizuar një mbindërtim shumë të dobët të kuadrit dhe personalitetit të individit që sot reflektohet më së shumti në universitete. Të jem më i qarte. Profesorët që sot kanë arritur kulminacionin e pjekurisë shkencore kanë kaluar nëpër këto etapa mësimore që në fakt kanë qenë kuazi mësimore, kane qenë fatkeqësi apo mjerim i yni kombëtar. Këta profesorë në fund të mundohen të bëjnë më të mirën. Të themi që në kushtet ekzistuese Rektor Zejnullahu po mundohet të bëjë të viteve të 90-ta, kur Milloshevici sulmoi ideologjikisht universitetin ishin studentë apo asistentë. Ne këtë kohë mbretëronte atmosferë frike e ndjekjeve “ndjekjes se shtrigave apo armiqtë e jashtëm dhe brendshëm” të regjimit serbo-sllav, ishte atmosferë që degradonte mësimin dhe zhvillimin normal mendor në universitet.

Pastaj vijohet me fazën kohore të “Universitetit te Mbijetesës”. Ne mburremi me ekzistencën e atij universiteti dhe nga pikëshikimi politik duhet me mburremi, por e vërteta është që studentët e atij universiteti, de fakto nuk kanë kryer universitete. Mjeku, kimisti, fizikani, biologu kanë kryer studimet të ulur në tulla apo kushte improvizuese te shtëpive private, nuk kanë parë laboratore. Le të shpresojmë qe nuk ke fatin te shkosh ne shërim te ata mjekë që nuk e panë spitalin , laboratorin apo trajnimin adekuat. E njëjta gjë vlen edhe për lëmitë tjera.

Pastaj vijon koha e pas luftës, ku ngarendja ishte “hiç djalë” kush munde të pasurohet, të merren sa më shumë diploma, sikurse se grabitja e dyqaneve shtetërore, të merren diploma duke i blerë jashtë apo këtu në Kosovë. Duke dalë nga situata e tranzicionit edhe në Shqipëri ishte komercializuar dhe degraduar shkolla e universiteti. Në këto kushte u ngritën kuadrot që sot bartin barrën e shkencës dhe transmetimit te dijes në universitetet tona. Pra edhe ata që kanë marrë grada në Prishtinë apo Tiranë, kanë qenë shumica improvizime dhe nuk kanë përgatitje shkencore, nuk janë profesorë kompetentë për transmetimin e njohurive bashkëkohore shkencore-teknologjike. Pas luftës pra mbretëroi një ngarendje pasurohu dosido me çfarëdo mjete që mundesh, shkollohu pa mësuar dhe merr grada shkencore pa dije e rezultate. Kjo është stihia qe u krijua në të gjitha lëmitë jetësore në Kosovë. Se pari në ato politike, ekonomike, por me e ndjeshmja dhe drastike është kjo universitare.

Fatkeqësia vijuese qëndron në faktin që këta arsimtarë dhe kjo klimë është ajo ku po shkollohen gjenracionet vijuese në Kosovë. Pra sëmundja po shndërrohet në epidemi të gjeneracioneve.

Te ju jap një të dhënë sasiore komparative konkrete që të shihni gjendjen trishtuese që gjendet universiteti: Ne Vitet e 70-ta niveli i mësimdhënies, ai shkencor dhe pedagogjik, përkushtimi i studentëve dhe puna akademike ishte shumëfish më e avancuar sesa që është sot. Pra kemi një regres e jo një progres disa dekadash të zhvillimit shekcoro-pedagogjik në universitetin tonë.

Si të ndërpritet ky degradim, apo zhvillim regresiv zinxhiror i gjeneracioneve në Universitetet dhe shoqërinë tonë kosovare, si të fillohet dhe avancohet zhvillimi ynë?

Jahja Koka: Pajtohem me konceptin e juaj zinxhiror. Tërësia e një zhvillimi jo të shëndoshë, ka karakter zinxhiror në tri etapat kohore të përmendura, të sulmit ideologjik që Serbisë që pat ushtruar kundër universitetit, me mbylljen, me të ashtuquajtur mbijetesës të univeritetit dhe në zhvillimin e pasluftës së bazuar gjoja se në sistemin e konkurrencës kapitaliste, por në fakt i bazuar në korrupsion, nepotizëm dhe dukuri degraduese. Por ekziston edhe një lidhshmëri hapësinore në mes të segmenteve apo lëmive të ndryshme siç janë ato politike, ekonomike, shkencore-mësimore etj. Bazuar ne thënien që “peshku prishet duke filluar nga koka” mendoj që edhe shërimi duhet të fillon nga koka. Klasa politike duhet të fillojë reformat e mirëfillta shkencore-mësimore, pedagogjike por edhe të lëmive të tjera të ndërlidhura të shoqërisë Kosovare. Por sot pedagogët universitarë, sikur se edhe klasën politike, klasën politike në skenë e formojnë dy kategori: ata qe iu bashkuan ndihmës për universitetin e mbijetesës, që vepruan mjaft mirë dhe ata qe ishin në UÇK që vepruan shkëlqyeshëm. Por të dy kategoritë siç shohim nuk kanë fundament mësimore, nuk kanë ngritje të shëndoshë profesionale zinxhirore që në shkencë dhe metodike bashkëkohore quhet “mbi ndërtim gradacional i dijes”. Atyre iu mungojnë disa apo tërësisht hallkat e dëshiruara zhvillimore për të bartë proceset zhvillimore dhe bërë reformat shkollore-universitare, ekonomike etj. Pra mungon kompetenca e tyre profesionale.

Jam i bindur që së shpejti do të hapet një kapitull i ri, ku do të vijnë një klase politike me kompetence për t’i kryer reformat e dëshiruara pra edhe ato universitare. Ata që do të dinë dhe munden. Shumica dërmuese e kësaj klase të re politike shpëtimtare nuk do të jenë as nga ata që dolën nga rezistenca në kohën e mbijetesës e as ata të UÇK. Do të jenë njerëz me kompetencë profesionale –shkencore e jo me meritokraci historike të këtij apo atij tabori.

Si ndikon numri i madh i studentëve në UP i universiteteve në Kosovë dhe numri i universiteteve private?

Jahja Koka: Sipas konstatimeve te Bankës Botërore, dhe analistëve ndërkombëtarë, duke marrë në konsiderim injektimin e të hollave në Kosovë, gjatë dekadës së fundit, kontributet nga diaspora, resurset energjetike, bujqësore, e ngjashëm, Kosova gjer tani duhet të kishte një ekonomi sadopak të zhvilluar. Duhej të kishte ushqim të mjaftueshëm, ndoshta edhe për eksport, duhej të shiste energji, duhej të kishte bujqësi të zhvilluar dhe sisteme industrial. Kështu që, një numër i vogël më pak se sa 2 milionë banorë që ka Kosova, duhej të kishin një jetë më dinjitoze. Por gjatë tërë kësaj kohe janë mbushë xhepat e individëve. Thesari që duhej të formohej ka dalë jashtë. E tërë kjo sasi apo potencial, material apo vlerave monetare munde të llogariten me një matematike te thjeshte: të krahasohen ardhurat mujore te politikanëve apo kuazi biznesmenëve të sanksionuar, me pasuritë që ata kanë aktualisht. Urra burra…, ishte parulla, të pasurohet çdo kush si të mundet, por jo sipas ligjeve dhe dhe rregullativave ekonomike. Kjo gjë në mënyrë më fatkeqe u reflektua në sistemin shkollor – universitar. Të rinjtë duke mos pasur ku të punësohen gjenin një satisfaksion në atë që “të sudiojnë” të marrin diploma. Pastaj disa nga ata me nepotizëm, lidhje e ryshfet do të punësohen e kështu vazhdon zinxhiri i së keqes. U formua klasë komerciale në UP ku në një vëllim mësimor dëgjojnë mësim qindra studnetë. U formuan universitete politike, pa kuadër mësimore pa laboratore dhe kushte akademike. Kjo formë e komercializimit shumë negative procedon në mënyre drastike me hapjen, si kërpudhat pas shiut, të universiteteve private. Krijohen situata tragjikomike për ardhmërinë e fëmijëve apo studentëve tanë. Pronari i Universitetit privat, njeri i pa shkolle, kontrollon sistemin akademik dhe shkencore e programor te një universiteti. Ai me te hollat qe ka, degradon personelin mësimdhënës, nënçmon atë, degradon studentët dhe ardhmërinë zhvillimore të mendimit shkencore, ekonomik. Ai blen licenca, regjistron studentë pa kryer shkollën e plote apo diplomuar ne provimin final shtetërore, imponon arsimtaret qe te falin nota pa kurrfarë dije, bën gjera qe degradojnë individin dhe shoqërinë. Këto nuk dua ti përgjithësoj te gjitha universitetet private. Disa nga ato kane edhe infrastrukture mësimore apo shkollore dhe mësimdhënës me te avancuar se universitetet shtetërore. Si eliminohen këto dukuri negative? Duke eliminuar korrupcionin dhe dukuritë negative ne te gjitha nivelet sidomos ne shkence dhe arsim

Si duhet te fillohet me reforma te mirëfillta arsimore-universitare dhe cilat janë ato?

Jahja Koka: Siç përmenda, me ardhjen e klasës politike profesionale qe do te ketë vlera te dëshiruara morale dhe profesionale për te bere ndryshime, do te fillohet me reforma te mirëfillta universitare. Ministrat e gjertanishëm te arsimit , shkence e teknologjisë, ne baze te padijes apo mos sinqeritetit te tyre deklaronin vite me radhe për zhvillimin e universitetit tone ne universitet Europian e ndërkombëtare dhe gjepura të ngjashme. Me universitetin tone, u fillua që në kohën e UNMIK’ut, sikur se me “mijte e Pavllovit” me eksperimente të Bolonjës e ngjashme. E quaj kështu nga se Sistemi i Bolonjës ka për qëllim unifikimin e programeve dhe gjenerimin e një vijimësie apo unifikimi programor dhe akademik te universiteteve Europiane. Është ironike për Universitetet e Kosovës të mendohet që to do të futeshin në rrjetën Europiane shkencore-akademike te sistemit të Bolonjës, kur gjendja apo jeta shkencore, didaktike dhe ekonomike në Universitetet tona ishte e mjerueshme. Niveli i dijes së të diplomuarve duke mos pasur laboratore, mjete përkatëse mësimore, mësimdhënës me reputacion ndërkombëtar dhe premise, kurrsesi nuk munde te ishte kompatibil me kolegët apo universitetet tjera në Europë e gjetiu.

Por ti kthehem pyetjes sesi të ndryshohet gjendja. Atëherë, klasa e re politike që patjetër do të vjen së shpejti, do të dinë së pari të investon me përqindje të dëshiruar në shkencë dhe në jetën akademike në përgjithësi. Sot përqindja që investohet për shkencë dhe kërkime shkencore edhe trishtimisht më e vogla. Është më e vogla në Ballkan. Kroacia e ka më të lartin. Kurse Gjermania më të lartin në Europë. Pastaj do të rekrutohen kuadro universitarë që dinë anglishten dhe janë në gjendje që tekstet ekzistuese të përkthyer para disa dekadave nga gjuha serbe, të zëvendësohen me tekstet shkencore që përdoren në Botë.

Kurikulumet duhet të sinkronizohen me trende dhe kërkesat e shkencës dhe konkurrencës ndërkombëtare e jo si gjer tani lëndët dhe numri i tyre kryesisht i përshtatet individëve në Departamente, për të siguruar punësimin e tyre.

Do të formohen laboratorë shkencorë ku mendimi shkencor i gjeneruar dhe kultivuar do të transmetohet ke studentët tanë, brezi i cili do ti jetë i njëjtë me studentët tjerë në Europë e gjetiu.

Do të bëhet internacionalizimi i mirëfilltë i shkencës dhe universiteteve tona. Në praktikën ekzistuese. Dekani i caktuar ngre flamurin apo trumbeton për një nënshkrim të bashkëpunimit të Universitetit me universitete të caktuara në Europë apo Amerikë, është bërë Minsitri apo universitetet private apo shtetërore. Kjo është një show, që nuk ka të bënë aspak me bashkëpunimin e mirëfilltë shkencor. Për këtë duhet se pari të krijohet një nivel i dëshiruar shkencor në laboratorët tona që akoma nuk ekzistojnë dhe me profesorë të rekognisuar në botë të cilët akoma nuk ekzistojnë ( me përjashtime te vogla).

Pra t’i vargojmë në mënyrë eksplicite karakteristikat e reformimit te shkencës dhe jetës pedagogjike–akademike në Universitetet tona:

Ndryshim rrënjësor i Kurrikulave në përputhshmëri me kërkesat bashkëkohore shkencore, zëvendësimi total ë teksteve ekzistuese në universitet dhe shkolla te mesme me tekste që janë profesionalisht në nivel shkencor–didaktik, formimi dhe pajisja e laboratorëve shkencore me teknologji bashkëkohore dhe gjenerimi i atmosferës hulumtues e në mesin e profesorëve dhe asistenteve, lidhshmëria e mirëfilltë dhe praktike e atyre laboratorëve me laboratorët simotra në botë, këmbimi i kuadrit me qëndrime studiuese dhe veprime te ngjashëm që bëjnë internacionalizimin e hulumtime dhe universiteteve tona, Shfrytëzimi i “ Masering Physics” “Black Board” dhe forma tjera te teknologjisë informative, ngritja e kritereve pranues të studentëve, asistenteve dhe profesorëve në universitet. Te seleksionohen vetëm ata që kanë vërtetë interes për punë shkencore universitare e jo pse nuk kanë ku të punësohen dhe vijnë në universitet.

Reformimi i perënduar i universitetit dhe ngritja e tij ne nivel ndërkombëtar do të gjeneronte kuadro me aftësi konkurruese në nivel ndërkombëtar. Stabilizimi i përmendur i universitetit si njëra nga hallkat me të rëndësishme të shoqërisë do te kishte impakt pozitiv në ngritjen e cilësisë së mësimit ne shkolla tëmesme dhe fillore, në njërën anë, por edhe në zhvillimin e ekonomisë se bazuar në mendimin shkencor, do të kishte impakt në zhvillimin e hallkave tjera të shoqërisë kosovare, sidomos në prodhimin e gjeracioneve apo klasave të dëshiruara politike që do ta çojnë shoqërinë tone jo si bisht të Europës por si partner të barabartë dhe konkurrent.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu