Intervistë me Naim Rashitin: Themelimi i Tribunalit çështja më e dhimbshme për Kosovën

0
777

Tribunali po themelohet për shkak se prokurorët dhe gjykatësit vendor asnjë raste të krimeve të luftës se kanë hetuar dhe dënuar. Në momentin kur është caktuar Prokurori Clint Williamson për të hetuar pretendimet e Dick Martyt është ditur se do të ketë një Gjykatë. Ndaj këtij procesi liderët e Kosovës janë sjellë me injorancë dhe tash s’po kanë përgjigje për Tribunalin. Qeveria e ka humbur legjitimitetin në momentin kur ka dështuar privatizimi i PTK’së. Shqiptarët po shkojnë në luftën e Sirisë për 62 euro në ditë. Analisti i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, flet për Express.

Express: Kush prej liderëve të partitë politike mund ta marrë barrën për pranimin e Tribunalit ndërkombëtar për dënimin e krimeve që dyshohet se janë kryer nga UÇK’ja?
N. Rashiti:
Kjo është çështja më e dhembshme me të cilën Kosova do të ballafaqohet në muajt dhe vitet e ardhshme. Uroj shumë që ky Tribunal ose Gjykatë të mos vendoset jashtë juridiksionit të Kosovës. Nëse ndodh ndryshe do të ishte tmerrësisht e dëmshme për imazhin dhe qëndrueshmërinë e Kosovës. Kosova dhe institucionet duhet të bëjnë gjithçka që kjo Gjykatë të vendoset brenda juridiksionit të Kosovës për të ruajtur integritetin shtetëror dhe për ta ruajtur imazhin e vendit. Nuk e besoj se është më çështje liderësh se cili dhe kush do të udhëheq me Qeverinë. Duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes liderve dhe një qëndrim i përbashkët i tyre.

Express: Por, një pjesë e udhëheqësve të partive kanë dalë edhe kundër Tribunalit?

N. Rashiti: Besoj se të gjithë janë kundër dhe besoj që ata nuk do të mund të jenë kundër Gjykatës e cila do të ishte në kuadër të juridiksionit të Kosovës nëse ka dëshmi se janë kryer krime gjatë luftës.

Express: Pse po vjen deri te themelimi i Tribunalit kur dihet se në Kosovë është EULEX’it…?
N. Rashiti:
Momenti kur është caktuar Clint Williamson si Prokuror për të hetuar pretendimet e Senatorit Dick Martyt është ditur se në fund të ketë një rezultat. Shumica kanë shpresuar se ky prokuror do të heq dorë nga hetimet sepse nuk do të gjejë dëshmi. Me gjasë, Prokurori Willimason e ka bindur BE’në dhe një pjesë të strukturave se ka dëshmi dhe se për t’i vërtetuar ato dëshmi duhet një Gjykatë. Besoj se këto pretendime do të duhej dhe mund të gjykohen në kuadër të juridiksionit të Kosovës.

Express: Pse duhet të frikësohemi nga një Tribunal ndërkombëtar për pretendimet që mund të ngritën?

N. Rashiti: Çështja është se pse duhet të jetë jashtë juridiksionit të Kosovës. Mandati i Kryeprokurorit së çështjes derivon nga mandati i EULEX’it. EULEX’i ka një mandat të vetin për të punuar në kuadër të juridiksionit të Kosovës. Mandati i prokurorëve dhe gjykatësve të EULEX’it derivon nga Kushtetuta e Kosovës. Pretendimet e Prokurorit Williamson duhet të zbardhen sepse kjo i kontribuon imazhit të Kosovës. Por, fakti se apriori insistohet për një Tribunal ndërkombëtar fatura e të cilit për pesë vite është 150 milionë euro. Besoj se liderishipi dhe institucionet duhet të jenë shumë të pjekura dhe të përkrahin një proces hetues brenda juridiksionit të Kosovës qoftë edhe ekskluzivisht të udhëhequr nga EULEX’i.

Express: Kur është pyetur Kryeministri Thaçi për Tribunalin është përgjigjur se Kosova i ka institucionet e veta të drejtësisë…

N. Rashiti: Deri në këtë fazë të gjithë liderët dhe përfaqësuesit e Kosovës janë sjell me injorancë ndaj Tribulait. E kanë injoruar Raportin e Martyt, fillimin e hetimeve në tërësi dhe nuk kanë bërë asgjë që në kuadër të institucioneve të drejtësisë t’i hetojnë këto pretendime dhe këto krime.

Express: Por, nuk mund të ketë hetime prej dy palë institucioneve për një rast të njëjtë?

N. Rashiti: Një prej arsyeve pse faktori ndërkombëtar kërkon Tribunal jashtë juridiksionit të Kosovës është që gjykatësit dhe prokurorët e Kosovës nuk kanë hetuar asnjë raste të krimeve të luftës e posaçërisht të kryera nga shqiptarët… Shqetësuese është sjellja me injorancë e liderëve dhe tani s’kanë përgjigje për situatën e re. Nuk ka as komunikim të mirëfilltë, as nuk ka elaborim, nuk ka koordinim të mirëfilltë. Themelimin e Tribunalit do ta shfrytëzojnë shumë media ndërkombëtare dhe shtete të ndryshme kundër ambicieve të Kosovës për anëtarësime në institucione ndërkombëtare.

Express: Çka duhet të bëjnë tash liderët e Kosovës sa i përket këtij Tribunali?
N. Rashiti:
Se do të ketë Gjykatë kjo është çështje e kryer. Dilema është se a do të ketë brenda apo jashtë vendit. Besoj se insitucionet e Kosovës duhet të kenë një plan dhe strategji për t’ua ofruar gjithë mbështetjen politike dhe institucionale një trupi të gjykatësve ndërkombëtar në kuadër të EULEX’it, apo çfarëdo strukture europiane në Kosovë, për t’i zhvilluar hetimet dhe gjykimet dhe për të dhënë verdiktin filan ndaj këtyre pretendimeve.

Express: Si i shihni lëvizjet e fundit të Kryeministrit Thaçi, i cili themeloi Forcat e Armatosura të Kosovës, po i rrit pagat… Pse po i bën këto veprime?

N. Rashiti: Defektet serioze të qeverisjes e kanë përcjell këtë Qeveri gjatë gjithë procesit të negociatave me Serbinë, ku Kryeministri dhe Qeveria nuk kanë arritur të mbajnë fokusin e zhvillimeve të brendshme ekonomike. Sikur qeverisja i ka rrëshqitur Kryeministrit. Në momentin kur Qeveria ka dështuar ta privatizojë PTK’në e ka humbur legjitimitetin për të qeverisur. Besoj se të gjitha lëvizjet tjera, edhe rritja e pagave, të cilat nuk kanë qenë të planifikuara mirë, janë betejë parazgjedhore, të cilat shumë Qeveri i bëjnë. Por, në këtë rast kam frikë, edhe pse do t’i ndihmojnë shumë Qeverisë të ketë rritje të përkrahjes ose të ruajë përkrahjen nga një strukturë e madhe e shërbyesve civile, qytetari ka filluar t’i marrë vesh këto lojëra ad-hoc parazgjedhore. Shumë qytetarë gjatë ndërtimit të sheshit në Prishtinë e kanë kuptuar se ish-Kryetari i Komunës, Isa Mustafa po e pret inaugurimin e sheshit m’u në kohë të fushatës zgjedhore. Nuk e besoj se do t’i ndihmon z. Thaçi ashtu siç e paramendojnë ata.

Votuesit e ndëshkuan PDK’në, LDK’në, VV’në dhe AAK’në

Express: Cili është vlerësimi juaj për zgjedhjet e fundit ku pati shumë ndryshime sa i përket udhëheqjes së komunave?

N. Rashiti: Së pari zgjedhjet ishin aq të mira saqë rrëzuan efektin dhe çështjen e Kodit dhe Ligjit zgjedhor ose reformën zgjedhore. U kuptua se Ligji nuk është problem por është vullneti politik i garuesve për të pasur zgjedhje të mira. E dyta, kësaj radhe faktori ndërkombëtar ishte i gatshëm të drejtonte gishtin drejt atij që do t’i manipulonte zgjedhjet. Dhe, e treta, ishte organet e drejtësisë janë ballafaquar me seriozisht me problemet e zgjedhjeve. Ishte edhe prezenca e vëzhguesve ndërkombëtarë në numër më të madh që ndikoi vetvetiu që liderët të mos nguteshin me deklarata për t’i përshëndetur pa e ditur si kaluan zgjedhjet.

Express: Çka flet rezultati i këtyre zgjedhjeve?
N. Rashiti:
Zgjedhjet demokratike treguan megjithatë semund të bëhet garë më e mirë dhe mund të jetë befasi dhe mund të krijohet hapësirë qytetarëve që të vendosin për fatin e tyre. E veçanta ishte fitorja e kandidatëve më autonom brenda partive politike.

Express: Për shembull?
N. Rashiti:
Shpend Ahmeti brenda Vetëvendosjes. Mimoza Kusari brenda AKR’së. Kandidati i Vetëvendosjes në Viti Salih Salihu. Rasti i Gazmend Muhaxherit në Pejë, Lutfi Hazirit në Gjilan… dhe kjo tregoi që populli nuk është i drejtuar vetëm te përkrahje e partive në mënyrë vertikale, por të përkrahë më shumë individin. Rezultatet kanë befasuar të gjithë, duke filluar nga Vetëvendosje, e cila doli keq shumicën e vendit me përjashtim të Prishtinës dhe Vitisë. Pra, arriti rezultate të mira pikërisht aty ku kishte autonomi më të madhe dhe kualitet më të mirë të kandidatëve. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po ashtu, ka pësuar keq në këto zgjedhje për shkak të një politike të ndjekur nga Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinajt në raport me Qeverinë. Votuesi i Aleancës e ka dëshmuar se nuk është votues ose përkrahës i PDK’së, por është më shumë i afërt me LDK’në. Këtë proces nuk e kanë menaxhuar mirë. PDK në disa qytete ka bërë gabime serioze gjatë qeverisjes. Ka pasur ndasi dhe konflikte brenda Degëve, si në Gjilan, Mitrovicë, Viti…. Në ditët e fundit të fushatës bëri një fushatë më agresive dhe kjo nuk u prit mirë nga votuesit, të cilët e dënuan sidomos në Gjilan, Mitrovicë e Viti. Ndërsa, LDK’ja jashtë Prishtinës ka krijuar një atmosferë të fitores. Isa Mustafa e ka krijuar një imazh nëpër komuna se është lideri i ardhshëm. Në Prishtinë ka pësuar një humbje të papritur. Strukturat e LDK’së në Prishtinë janë shpartalluar në masë serioze për shkak të pakënaqësive. Pavarësisht kësaj, Isa Mustafa ka një numër të madh të votave në Prishtinë. Por, pritjet e përkrahësve të LDK’së që kjo parti të artikulohet më mirë pas zgjedhjeve nuk janë realizuar. Kjo do t’i hakmerret LDK’së.

Express: Por, të gjitha partitë pas zgjedhjeve dolën dhe thanë se janë fituese?

N. Rashiti: Partitë politike në tërësi kanë dalë nga këto zgjedhje shumë më fragjile. Partitë politike janë më fragjile se sa që ishin para zgjedhjeve lokale. Kanë vështirësi në mobilizimin e strukturave. E vërteta është se zgjedhjet e përgjithshme po ndodhin shumë shpejt pas zgjedhjeve lokale dhe ka një entuziazëm më të vogël për zgjedhjet nacionale dhe rrjedhimisht edhe dalja e votuesve do të jetë më e vogël se sa në zgjedhje lokale.

Express: Cili do të jetë koalicioni pas zgjedhjeve të ardhshme nacionale?
N. Rashiti:
Besoj që të tri partitë kryesore shqiptare, përvec Vetëvendosjes, janë tërësisht të hapura përkoalicion me njëra-tjetrën përkundër deklaratave. Do të detyrohen të jenë të hapura sepse rezultati nuk do t’i kënaq asnjërën. Beteja është mes PDK’së dhe LDK’së se kush do të dalë e para. Besoj se partia e parë do të ketë Kryeministrin. Një rezultat dëshpërues mund të krijoj mundësinë ku do të kemi Qeveri të përkohshme deri në zgjedhje të reja. Në çdo rrethanë ku PDK dhe LDK bien nën 25 deputetë krijon jostabilitet. Pra, nëse PDK del e parë do të udhëheq me Qeverinë dhe është e hapur qoftë për LDK’në, qoftë për AAK’në, qoftë për Qeveri të madhe.

Express: Kjo po i bie se Ramush Haradinaj nuk mund të llogarit pozitën e Kryeministrit nëse AAK nuk del e para?

N. Rashiti: Partia që fiton dhe del e para me më shumë se 25 deputetë do të udhëheq me Qeverinë. LDK’ja besoj se do të mundohet të krijojë koalicion me minoritetet, por prapë, Kryeministrin do të insistoj ta mbajë për vete. Aleanca do të mund të jetë pjesë e Qeverisë dhe do të vendos një lloj matematike qeverisëse. Por, nuk do ta ketë fuqinë që të marrë pozitën e Kryeministrit dhe as t’i kushtëzojë partitë tjera me këtë pozitë. Besoj se edhe Vetëvendosje gradualisht do sheh se duhet të bëhen pjesë e matematikave sepse koha kur i kanë bërë opozitë ndaj gjithkujt po përfundon.

Gjasat e mëdha për koalicion PDK-LDK

Express: Sa janë gjasat për një përsëritje të koalicionit PDK-LDK pas zgjedhjeve nacionale?

N. Rashiti: Gjasat janë shumë të mëdha të përsëritet koalicioni. Sikur serbët të kishin vendet e rezervuara, atëherë, hapësira për koalicion të një blloku do të ishte shumë më e madhe dhe mundësia e një koalicioni PDK-LDK do të zvogëlohej shumë. Nuk besoj se LDK dhe PDK do të arrijnë numrin 30 të deputetëve dhe kjo periudhë ka treguar se qeverisja s’mund të marrë vendime dhe të bëjë shumë si Qeveri minoritare. Besoj që të gjitha partitë, ose partia e cila fiton mandatin për të udhëhequr me Qeverinë do të kërkojë mbështetje më të madhe se sa 61 vota.

Express: Sipas jush, pse minoriteve nuk iu vazhduan vendet e rezervuara edhe për një mandat?
N. Rashiti:
Ky është një gabim i madh i partive politike për të mos ua vazhduar mandatin e vendeve të rezervuara minoriteteve edhe për një mandat. Vendet e rezervuara kanë pasur një qëllim që të integrohen serbët e Kosovës në jetën institucionale dhe politike. Dy mandatet e kaluara nuk e kanë arritur qëllimin pasi edhe një mandat do ta arrinte qëllimin dhe do të implementohej ai thelbi i Ahtisaarit. Publikisht vetëm LDK dhe Vetëvendosje kanë kundërshtuar vendet e rezervuara, ndërsa, faj kanë edhe PDK dhe AAK, të cilat publikisht nuk i kanë përkrahur asnjëherë këtë proces.

Express: A mund te ketë bllokadë nga serbët në Parlament edhe sa i përket themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës për të cilat duhen 2/ e votave të deputetëve për ndryshimet Kushtetuese?

N. Rashiti: Këto bllokada mund të ndodhin edhe në të ardhmen pas zgjedhjeve të ardhshme. Votat e 2/3 të deputetëve të pakicave i duhen Kuvendit sa herë që dëshiron ndryshime kushtetuese. Prandaj, për interesat e të dy palëve do të duhej të ishte një proces dialogues dhe pikërisht vendet e rezervuara mund ta hapnin një platformë për dialog. Nuk e besoj se në fund të fundit partitë serbe nuk do ta kenë legjitimitetin e bllokimit të Forcave të Armatosura por mund të kenë vetëm manovrime politike, siç po bëjnë tash disa nga partitë shqiptare për të marrë kohë. Por, mund të bllokojnë për një kohë por jo gjithmonë sepse edhe për disa çështje të serbëve duhen 2/3 e votave të deputetëve shqiptarë.

Shqiptarët po shkojnë në Siri për 62 euro në ditë

Express: Prej kujt rrezikohet stabiliteti i Kosovës?

N. Rashiti: Kosova rrezikohet prej dy zhvillimeve. E para, mungesa e zhvillimit ekonomik, gjendja sociale, niveli i papunësisë. Mungesa e një reforme të madhe politike. Kjo po e mbyllë shpresën përkundër gjendjes së rëndë ekonomike se mund të ketë një shpresë se për pak kohë mund të vijë një situatë më e favorshme. E dyta, në mungesë të një perspektive më të mirë dhe një gjendje të rëndë ekonomike gjithnjë e më shumë të rinj dhe qytetarë e gjejnë vetën te një identitet të ri. Identiteti i ri është feja ose artikulimi më radikal i fesë. Unë vijë nga Presheva dhe në rajonin tim qytetarët e kanë gjetur fenë si zgjidhje për të ruajtur identiteti e tyre ndaj një konteksti politik, të cilin Serbia e ka bërë pa shpresë. Këtu është më ndryshe, por individualisht shumë qytetarë po ndihen të ngulfatur nga gjendja ekonomike këtu dhe po gjejnë zgjidhje diku tjetër. Kam takuar shumë qytetarë të Kosovës, të cilët kanë shkuar në luftë në Siri. Disa prej tyre kanë qenë ish-pjesëtarë të UÇK’së dhe në një fazë e kanë pasur një jetë të mirë. Njëri prej tyre ka qenë futbollist dhe s’ka mundur t’i ketë mjetet e mjaftueshme për mbijetese. Ai ka shkuar në Siri fillimisht për ideologji, por më vonë ka luftuar për shumën prej 65 eurosh në ditë, duke shpresuar se do të bëjë para për familjen e tij.

Express: Sa është numri i shqiptarëve të Kosovës që kanë shkuar në luftën në Siri?
N. Rashiti:
Është vështirë të dihet, por besoj se është më shumë se njëqind. Informatat ndërkombëtare janë se500-600 janë nga Ballkani. Mbi 200 janë nga Bosnja dhe llogaritet se mbi 200 janë edhe nga Maqedonia. Ata nuk mund ta mobilizojnë shoqërinë për të bërë një luftë të tillë, por që kjo ideologjia e sheriatit është në mendjet e atyre që kanë shkuar në Siri. Ata janë ndarë në dy grupe. Grupi i parë mendon se si të shtrihet sheriati në shoqërinë kosovare dhe grupi tjetër është ai që mundohet t’i mobilizojë sa më shumë njerëz në luftën për sheriatin…. Sa më e rëndë të jetë gjendja në arsim, në shëndetësi, në ekonomi aq më i madh do të jetë rreziku për të fragmentuar shoqërinë. Sa i përket atyre që luftojnë në Siri – është konfirmuar ndërkombëtarisht – se ish-luftëtarët kur kthehen nga lufta bëhen më agresiv dhe jo ideologjikisht do ta atakojnë ndokënd, por që vijnë të traumatizuar dhe kërkojnë të marrin veprime të njëjta siç kanë bërë gjatë luftës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu