Intervistë me Nait Hasanin: Tribunali s’duhet të krijohet, koalicioni PDK-LDK e dëmton Kosovën

0
709

Themelimi i Tribunalit për dënimin e shqiptarëve është i papranueshëm. Kjo tregon ndikimin e Serbisë dhe gjendjen tonë të mjerueshme. Mekanizëm tjetër të drejtësisë s’duhet të themelohen pasi në Kosovë është e tërë bashkësia ndërkombëtare dhe EULEX’i. Është e tmerrshme nëse Tribunali krijohet me dëshirën tonë. Koalicioni PDK-LDK e ngufatë Kosovën. Limaj e Krasniqi e kanë dëmtuar PDK’në në zgjedhjet e fundit lokale. Deputeti i PDK’së, Nait Hasani, flet për Express.

Express: Para disa ditësh, ish-Nënkryetari i Parë i PDK’së, Fatmir Limaj dhe ish-Sekretari Jakup Krasniqi themeluan një parti. Çka flet kjo për PDK’në?
N. Hasani:
PDK deri më tani ka qenë një parti unike me gjithë kundërshtitë e brendshme, të cilat kanë reflektuar një demokraci të brendshme, me gjithë kundërshtitë kanë ardhur në përfundim që Sekretari dhe Nënkryetari dolën me një subjekt të ri. Kjo do të thotë se partitë janë pjesë e zhvillimeve dhe proceseve e në këtë proces edhe individi është ai që pretendon ndryshimin ose mos-ndryshimin e subjektit të caktuar. Interesat e individëve që të shtyjnë interesat përpara në krahasim me vendet ku janë në shumë raste teoritë e ndryshme e shpjegojnë se kur ka pasur edhe mbyllje ka pasur njerëz që kanë kërkuar të lëvizin. Por, këtu s’kemi të bëjmë me mbyllje. Këtu nuk kemi ndryshim të koncepteve. Çdo parti e ka një koncept, qoftë e majtë, apo e djathtë, qoftë e mesit, qoftë e qendrës. Të gjitha e kanë bazë ndërtimin e shtetit të Kosovës…. Kosovës i duhet një parti e profilizuar qartësisht. Të gjitha partitë dhe edhe këto nismat janë të një modeli dhe nuk ka një ndryshim të koncepteve.

Express: Sa e dëmton PDK’në largimi i Limajt e Krasniqit?
N. Hasani:
Ndoshta është herët për të folur me të dhëna. Rezultatet e zgjedhjeve lokale kanë treguar se ka pasur ndryshime në zgjedhje ku PDK ka qenë pjesë e pushtetit. Në disa komuna e ka humbur pushtetin por jo edhe votuesin. Kemi një humbje, por kjo humbje duhet ta rigjeneroi PDK’në nëse dëshiron të ruaj epërsinë ndaj partive tjera.

Express: Janë përmendur disa matematika për koalicionet e ardhshme. Sa është e mundshme të përsëritet koalicioni PDK-LDK pas zgjedhjeve nacionale?

N. Hasani: Tash, nuk jam për një koalicion të tillë. Jo pse s’mund të ndodhin, por për shkak se Kosovës i duhet një opozitë e fuqishme dhe kushdo që është në pozitë duhet të ketë mundësinë e zhvillimit të shoqërisë. Nëse do të kemi një koalicion të tillë do të kemi përsëri ngulfatej të pushteteve dhe ai pushtet do të jetë në shërbim të miqve dhe jo të interesave të qytetarëve. Ky koalicion PDK-LDK është i dëmshëm për Kosovën.

Express: A ka ardhur koha që pas dy mandateve PDK të shkojë në opozitë?

N. Hasani: Në shtetet demokratike nuk matet pushteti me pozitë apo opozitë. Në shtetet demokratike maten me vlerat, me realizimin e objektivave të prezantuara. Në Gjermani kemi edhe 17 vjet që kanë qenë në pushtet forca demokratike, por kemi edhe forca që kanë humbur pushtetin brenda një mandati. Vetëm në SHBA është e ndaluar të jesh më shumë se dy mandate President, në shtetet tjera të BE’së nuk është i kufizuar në mandate….

Jo Tribunalit, Jo bashkë PDK-LDK

 

Express: Kohëve të fundit është hapur debati për themelimin e një Tribunali për dënimin e krimeve të dyshuara nga UÇK’ja. Cili është vlerësimi jua për këtë Tribunal?

N. Hasani: Tema më e rëndë në Kosovë, tash për tash, është Tribunali që është kërkuar. Mendoj se ky Tribunal është kërkuar prej Serbisë e prej Serbisë i është prezantuar Bashkësisë Ndërkombëtare dhe ka shkuar deri në Këshillin e Sigurimit. Janë dy opsioni kur do të krijohet ky Tribunal me dëshirën apo pa dëshirën e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës. Është një reflektim negativ për Kosovën. Është një reflektim që privon se gjendja jonë është e mjerueshme. Është një reflektim, po ashtu, se ne nuk mund të prezantojmë fuqi dhe qëllime pranë kësaj kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare. Është një kërkesë e tyre që t’i dënoi njerëzit që e kanë çliruar Kosovën. Nëse do të krijohet një Tribunal me vullnetin e Kosovës, kjo do të ishte një tmerr për qytetarët e Kosovës. Nëse do të krijohet një Tribunal nga bashkësia ndërkombëtare, ne jemi pjesë e vogël që mund të ndikojmë në këto rrjedha. Megjithatë, ai Tribunal reflekton apetitet e Serbisë ndaj Kosovës. Ai Tribunal tregon se Serbia është faktor destabilizues.

Express: Si po sillen udhëheqësit e Kosovës me këtë Tribunal?
N. Hasani:
Të gjithë udhëheqësit përfshirë ata të pozitës dhe ata të opozitës nuk e vlerësojnë pozitivisht këtë Tribunal. Ky është një presion i madh që i ushtrohet Kosovës dhe kjo do të thotë se prej viteve të 90’ta e deri më sot është një vlerë negative që i vjen Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare. Sepse me këtë tentohet të dënohet lufta jonë. Ndërsa Serbia të jetë pjesë e luftërave çlirimtare. Se Serbia ka bërë krime në Kroaci, Bosnje, Kosovë dhe ka vrarë më shumë se 200 mijë njerëz dhe mijëra të tjerë i ka terrorizuar të tjerë…. dhe prapë Serbia është pjesë e faktorizimit dhe stabilitetit dhe vlera të shoqërisë dhe në këtë rast Kosova dhe shqiptarët me luftën e tyre dalin prapë humbës.

Express: Zyrtarë të ndryshëm kanë thënë se bën edhe të themelohet Tribunali me kushtin që ai të jetë në Kosovë?

N. Hasani: Unë jam kundër që ai të themelohet qoftë në Kosovë, qoftë jashtë shtetit tonë. Kosova nuk ka nevojë për Tribunal. Ata që kanë qenë pjesë e Tribunalit e kanë kryer njëherë këtë proces. Kryeministri i Kosovës ka shkuar në Tribunalin e Hagës dhe është liruar i pafajshëm. Sot ai është lider i një partie. Në Tribunal ka qenë Nënkryetari i PDK’së, Fatmir Limaj, i cili është liruar i pafajshëm. Vetëm dy persona janë dënuar në Tribunalin e Hagës. Nuk ka nevojë në Kosovë të krijohet një Tribunal i tillë kur kemi një bashkësi ndërkombëtare të drejtpërdrejtë këtu. Ku kemi një mekanizëm të Sundimit të Ligjit të Bashkimit Europian. Krijimi i një mekanizmi tjetër do të thotë se në Kosovë s’kemi më një sistem të drejtësisë, por kemi një sistem të drejtësisë i bazuar represion dhe terror europian në Kosovë. Nuk mund të pastrohemi nga ndjenja e lirisë. Nuk mund të pastrohemi që të jemi nën një Jugosllavi të re. Të gjitha këto teori që dalin nga vendet e BE’së, ne nuk mund të jemi eksperiment i europianëve. Edhe ne e duam jetën tonë dhe e duam Kosovën.

 

Express: Të kthehemi pak te zgjedhjet e fundit lokale. Pse s’kandiduat për Kryetar të Prizrenit?

N.Hasani:Unë kam qenë një ndër kandidatët për Degën e Prizrenit dhe për Kryetar të Komunës së Prizrenit. Në marrëveshje me Kryetarin e PDK’së, ai kërkoi që unë të mos jem kandidat. Unë kam qenë gjithmonë pjesë e proceseve dhe edhe brenda subjektit politik të ketë ndryshime. Jo gjithherë i njëjti person mund të qëndroi si udhëheqës. Kryetari ka vlerësuar se në Prizren janë ende disa rrethana për shkak të specifikave dhe e kanë vendosur në qendër të vëmendjes pjesën e multietnicitetit, edhe ende mendohet se duhet të jemi pjesë e reflektimeve.

Express: Ju e keni bërë një kallëzim penal për njerëzit që i kanë shërbyer sistemit komunistë. Çka ka ndodhur me atë kallëzim penal?
N.Hasani:
Nuk e kam bërë kallëzimin penal ndaj individëve të caktuar por ndaj sistemit komunistë të kohës. Njerëzit që janë marrë me atë çështje është kërkuar si sitem të dënohet për shkak se ne jemi pjesë e Europës dhe BE kërkon kritere që pa dalë me një Rezolutë për dënimin e krimeve të komunizmit që kanë ndodhur s’mund të anëtarësohemi në BE.Sistemi komunistë në Kosovë që ka qenë ka bërë krime të ndryshme deri te shpërngulja e shqiptarëve, dënimet, vrasjet… të gjitha këto duhet të ketë një vendim që këto krime të dënohen. Derisa nuk ndodh një rezolutë e tillë ne tregojmë se s’kemi ndryshuar dhe njerëzve që kanë qenë pjesë e UBD’së, pjesë e sistemit. Unë nuk jam që ata të dënohen si individë, ajo është çështje e drejtësisë që duhet të merret me ta, por jam që të dënohet një sistem i kaluar.

Express: Çka është duke ndodhur në Prevallë?
N. Hasani:
Prevalla është një fshat turistik në bazë të një vendimi të Komunës së Prizrenit në vitit 2006. Me Planin Rregullues janë paraparë të ndërtohen rreth 360 shtëpi në pjesën turistike dhe të jetë një pjesë atraktive e Kosovës dhe të ketë mundësi të vizatohet nga qytetarët e Kosovës. Ky plan ka dështuar për shkak se kompania, e cila ka marrë ndërtimin e objekteve dhe në kombinime të ndryshme me njerëz të caktuar është stopuar ky plan për shkak të çmimeve të pronave dhe kjo ka ndikuar negativisht. Komuna e Prizrenit nuk ka marrë vendimet e duhura as në kohën kur pushtetin e ka marrë PDK’në pas Eqrem Kryeziut. Ndryshimet në Qeveri kanë qenë, po ashtu, negative sepse kanë ardhur disa ministra që nuk kanë marrë përgjegjësi për çështjen e Prevallës. Është reflektuar gjithnjë negativisht kjo pjesë e Kosovës. Është debatuar në Kuvendin e Kosovës si të bëhet më tutje me Prevallën derisa ka ardhur një vendim i Qeverisë që atje objektet që kanë qenë të përkohshme duhet të rrënohen dhe duhet të rirregullohet plani i ndërtimeve në Prevallë… Unë kam kërkuar që objektet që i kanë plotësuar kriteret për shkak se ka qenë ngatërresa me Ligjin e pronës dhe Ligjin e ndërtimeve. Dikush ka mundur ta ndërtoj objektin, por nuk ka qenë prona e tij dhe Ligji nuk ia ka lejuar….

Express: Agjencia e Pyjeve të ka paditur për shkak se s’keni paguar qiranë në një objekt që e keni në shfrytëzim. Pse s’e keni paguar qeranë?

N. Hasani: Paguaj qera për çdo vit për objektin që e kam me qera. Ka qenë pjesë e Agjencionit të Pyjeve dhe është objekt i izoluar ku pronat tjera që e rrethojnë janë prona private. Ky objekt është i viteve 60’ta e ka rrugën kur s’ka pasur asnjë objekt atje. Tash, atje është ndërtuar dhe ai objekt është izoluar. Kam kërkuar nga Agjencia e Pyjeve që të më hap rrugën që të shkohet deri te objekti që unë të paguaj qera. Unë ju kam thënë nuk ua paguajë qeranë nëse nuk më hapni rrugën. Nuk kanë pranuar të më hapin rrugën dhe unë ju kam thënë nuk mund t’u paguajë qeranë. Ata kanë bërë një Kallëzim dhe e drejta ime është që unë kur paguajë duhet edhe ta kem në shfrytëzim atë objekt. Agjencia nuk më ka dhënë atë mundësi dhe unë e kam paguar qeranë pavarësisht kallëzimit penal.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu