Inva Mula nga Opera e Parisit tek “Marie Kraja”

0
995
Inva Mula

Mbrëmë ajo hoqi petkun e Margaritës. Jehona e duartrokitjeve është kaq e freskët, kaq e prekshme. Përkundër fatit tragjik të heroinës, asaj qysh herët i ka shndritur një tjetër yll. Ishin plot 12 shfaqje impenjative, të veprës emblemë në operistikën franceze. Prej datës 22 shtator deri më 25 tetor, u shfaq në Operën Nacionale të Parisit, opera me 5 akte “Fausti”, me muzikë të Charles Gounod e me libret të Jules Barbier e Michel Carre, ku sopranoja Inva Mula, në krah të këngëtarëve më në zë lirikë sot në botë, si Roberto Alagna, apo Paul Gay, interpretoi rolin e Margaritës. Dhe ende pa shkarkuar emocionin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme në karrierën e saj, Inva Mula vjen në Tiranë, enkas për “Marie Krajën”. Ajo do të jetë presidente nderi e jurisë, kryetar i së cilës do të jetë sërish Luca Targeti, drejtori i Akademisë së La Scala-s. Inva Mula rikthehet pranë këtij festivali pas katër vjetësh mungese, e kushtëzuar nga një kalendar i ngjeshur artistik. Hera e parë e prezencës së saj në këtë festival ka qenë në edicionin e katërt të “Marie Krajës”, në rolin e kryetares së jurisë, më pas në edicionin e 6-të e të 7-të, në të njëjtin pozicion, si kryetare jurie. Megjithatë, si një adhuruese e skenës, ajo asnjëherë nuk e ka kufizuar ardhjen e saj në karrigen e jurisë dhe vlerësimin e të rinjve. Gjithnjë ajo ka ndarë me publikun bravurën e saj operistike, përmes interpretimeve të arieve të njohura nga bota, apo nga muzika qytetare shqiptare. Përveçse i ka joshur të gjithë me magjinë e zërit të saj, ajo ka bërë që edhe konkurrentët e huaj të këndojnë jaret shkodrane apo dhe pjesë të atyre pak veprave operistike shqiptare, të risjella në jetë nga repertori i harruar i kompozitorëve tanë. Veç të tjerash, kësaj here Inva Mula ka edhe një mision tjetër. Në emër të Fondacionit “Hi Classic”, që ajo drejton, që ka për synim mbështetjen e talenteve të reja, Inva Mula do të japë një çmim special për konkurrentët e këtij edicioni. Kjo është një nga surprizat e këtij edicioni, krahas çmimeve të përvitshme.
Festivali
Edicioni 12-të i Festivalit Ndërkombëtar Operistik, i cili zhvillohet në 28 dhe 29 tetor, përkon me 100-vjetorin e lindjes së këngëtares Marie Kraja, emrin e të cilit mban ky festival, organizatorët kanë menduar një program të veçantë, për të përkujtuar sopranon e madhe shqiptare. Ndër të tjera, producentja Zana Çela ka menduar që krahas konkurrimit të 17 artistëve nga e gjithë bota, përgjatë dy netëve të festivalit, i cili do të shfaqet në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar, t’i bëjë një rekuiem traditës së muzikës operistike shqiptare. Siç është kthyer tashmë në një traditë, do të nderohen edhe personalitete të muzikës shqiptare, të cilët kanë dhënë një kontribut të shquar në operistikën shqiptare. Por sigurisht ajo që do t’i japë tonin këtij aktiviteti është gara, prej nga do të dalë dhe më i miri. Mësohet se në fazën e parë kanë marrë pjesë 150 këngëtarë që janë përzgjedhur nga 5 juri profesioniste të stacionuara në kryeqendrat botërore New York, Paris, Madrid, Milano dhe Tiranë dhe në fazën finale janë përzgjedhur 17 këngëtarë lirikë. Ata vijnë nga Amerika, Afrika, Azia e Europa. Nuk bëhet fjalë për shkollarë, por për emra që tashmë kanë nisur karrierën e tyre artistike dhe numërojnë kryerole në skena të rëndësishme operistike. Konkurrentët do të këndojnë live të shoqëruar nga Orkestra e Radio-Televizionit shqiptar, nën baketën e dirigjentit të famshëm italian, Leonardo Quattrini. Në gjykimin e festivalit, si çdo vit do të bashkohen drejtuesit më të famshëm të operave evropiane, por dhe një divë e muzikës operistike botërore që vjen për herë të parë në Shqipëri. Festivali i këtij viti zhvillohet me kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili është edhe president nderi i këtij aktiviteti.

Shqiptaret e “Marie Krajës”
• Mes 17 konkurrentësh që vijnë nga e gjithë bota, janë edhe katër shqiptare. Ka nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e diaspora, duke mbuluar kështu thuajse gjithë arealin shqiptar.

• Blerta Zhegu është diplomuar shkëlqyeshëm në Akademinë e Arteve në Tiranë. Është fituese e çmimit special të jurisë në kategorinë “Canto lirico”, në edicionin e 6-të “Rasegna concertistica”, në Montichiari. Së fundi ka qenë pjesëmarrëse në Operastudio-n LTL me “Opera per tre soldi”, Pisa.

• Ardiana Bytyqi është një tjetër konkurrente shqiptare në këtë edicion të “Marie Krajës”. Ka kryer studimet në Akademinë e Muzikës në Detmold të Gjermanisë. Ka marrë pjesë në audicionin prestigjioz “Hans Gabor Belvedere” në Vjenë, ku mes 3500 konkurrentëve u kualifikua për në finale, për operën dhe operetën në mesin e 20 më të mirëve. Ka interpretuar “Karmen”, “Falstaff” “Arabella”, “Cosi fan tutte”, “Rigoletto” etj.

• Dëshira Ahmeti vjen nga Dibra e Maqedonisë, e diplomuar në Akademinë e Tiranës. Pas studimeve u kthye në Maqedoni, ku filloi të punojë si soliste në Teatrin e Operës në Maqedoni, duke qenë e para dhe e vetmja shqiptare soliste në këtë institucion. Ka interpretuar në këtë teatër role dhe koncerte te ndryshme, si rolin e Mikaeles nga opera “Karmen” dhe më pas në rolin e Paminës në operën “Flauti magjik”, rolin e Nedës në operën “Paljaci”, apo dhe Leonorën në operën “Forca e destinit”.

• Flaka Goranci është kosovarja të cilën lufta e solli në Tiranë për të gjetur udhën e saj drejt muzikës, për të nisur studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë. Fati e priu që në krye të herës. Ende pa mbaruar studimet, interpretoi në Teatrin e Operës rolin e Rozinës tek “Berberi i Seviljes”. Ndërsa, menjëherë pas diplomimit fitoi bursën nga shkolla e Filarmonisë së Izraelit. Gjatë studimeve në Tel Aviv filloi dhe aktivitetin koncertor dhe operistik.

ALMA MILE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu