Investojnë në armë sikur nesër do të shpërthejë lufta

0
678

Fuqitë e mëdha po armatosen me temp të shpejtë

Rusia do që ta forcojë pozitën e fuqisë më të madhe detare, japonezët kanë frikë nga zgjerimi i Kinës dhe nga armët bërthamore të Koresë Veriore

Kriza ekonomike dhe fërkimet e reja politike kanë sjellë deri te një valë e re e armatimit në botë. Fuqitë e mëdha po armatosen sikur nesër të shpërthente lufta e re botërore. Rusët kanë lansuar një nëndetëse tëre bërthamore, e cila do të jetë strukturë e flotës, ndërsa kanë paralajmëruar investime të mëdha në armatim. Nëndetësja e re ‘Jurij Dolgoruki’ mund të bartë 16 raketa balistike ndërkontinentale, ndërsa në zhvillim e sipër është edhe testimi i edhe një nëndetëseje këtillë, ndërsa dy të tjera janë në fazën e parë të ndërtimit.

Rusia forcon flotën detare

Presidenti rus Vladimir Putin ka vlerësuar se anija do të jetë një “armë e fortë” e cila do të garantojë sigurinë e vendit dhe do të mbrojë “interesat kombëtare dhe ekonomike”. Qëllimi është, thotë Putini, që Rusia “ta forcojë pozitën e fuqisë më të madhe detare në botë”. Futja e nëndetëses së re në flotën ruse është pjesë e planeve ambicioze që parashikojnë investimin e 657 miliardë dollarëve në modernizimin e armatimit deri në vitin 2020. Gjatë shtatë viteve të ardhshme Rusia planifikon që të ndërtojë 51 anije luftarake dhe 24 nëndetëse. Kinezët kanë aeroplanmbajtësen e parë të tyre. Kina qysh në vjeshtë edhe zyrtarisht e ka konfirmuar epitetit e superfuqisë sepse, përveç armatimit bërthamor dhe ushtrisë milionëshe, ajo ka edhe një simbol tjetër të padiskutueshëm të fuqisë, aeroplanmbajtësen. Marinës ushtarake i është dorëzuar për shërbim anija ‘Liaoning’ e gjatë 300 metra, aeroplanmbajtësja e parë në histori të ushtrisë kineze e cila në mënyrë dramatike e ka rritur fuqinë e saj në det.

Kina i shqetëson japonezët

Rritja e fuqisë ushtarake e Kinës ka shqetësuar japonezët. Japonezët thonë – e pse edhe ne tani të mos kemi bombë atomike. Tokioja dhe Uashingtoni javën e shkuar kanë filluar bisedimet për të ardhmen e ushtrisë së Japonisë. Amerikanët dhe japonezët kanë filluar pas 15 vitesh që të punojnë në shqyrtimin e bashkëpunimit ushtarak, së pari për shkak të mosmarrëveshjeve me Kinën dhe kërcënimin nga Koreja veriore. Kanë kaluar 68 vjet që nga Lufta e Dytë Botërore dhe Japonia pohon se ka të drejtë për ta zhvilluar ushtrinë e saj, sidomos për shkak të politikës së sotme të Kinës, e cila po zgjerohet në Oqeanin Paqësor. Ua përkujtojmë, në fund të muajit shtator të vitit të shkuar Kina dhe Japonia për pak sa nuk filluan luftën sepse konflikti shumëvjeçar i tyre kishte arritur kulmin për shkak të ishujve, të cilët japonezët i quajnë Senkaku, ndërsa kinezët Diaoju. Kina ka bërë një hartë të re me ishujt e diskutueshëm në pronë të saj dhe ia ka dërguar OKB-së, ndërsa Japonia ka reaguar duke thënë se do t’i mbrojë “ishujt së bashku me SHBA-në”.

Koreja e Veriut e përforcon programin bërthamor

Përveç nga fuqia detare kineze, japonezët ndjehen të kërcënuar edhe nga Koreja Veriore, e cila zhvillon program bërthamor dhe lanson raketa. Pasi që para fundit të vitit të shkuar ia doli që me sukses ta lansojë një satelit, Koreja Veriore është e gatshme që të zhvillojë raketa që mund ta arrijnë SHBA-në, kanë paralajmëruar nga Koreja Jugore. Pjonkjangu para një muaji në mënyrë triumfale ka bërë të ditur se ka lansuar me sukses raketën ‘Unha-3’ dhe në orbitë ka vendosur satelitin shkencor ‘Kwangmyongsong-3’. Kundër këtij lansimi janë ngritur të gjitha fuqitë e mëdha botërore – SHBA-ja, Evropa, Azia, Kina, Rusia, OKB-ja… Irani është halë në syrin e Amerikës dhe botës perëndimore. Me ndihmën e fotografive satelitore vitin e shkuar është zbuluar se në objektet ushtarake iraniane në afërsi të vendit Parshin kamionët kanë transportuar dhe të kontaminuar pas testimit të armës bërthamore. Ekspertët nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore kanë pohuar se ushtria në Parshin sipas të gjitha gjasave do të që zhdukë të gjitha dëshmitë e testimit të armës bërthamore. Ata mendojnë se iranianët kanë testuar një pajisje eksperimentale neutronike me të cilën në fakt shkaktohet shpërthimi bërthamor.

Armatoset Arabia Saudite

Fuqitë perëndimore janë duke e armatosur Arabinë Saudite, në mënyrë që ta shtrëngojnë rrethin rreth Iranit. Qeveria gjermane vitin e shkuar vendosi që të dërgojë 200 tanke të tipit ‘Leopard’ në Arabinë Saudite në mënyrë që ta frikësojë Iranin dhe të nxisë shtetet në rajon që të blejnë armë në mënyrë që të jenë të gatshme ndaj kërcënimeve iraniane. SHBA-ja ka bërë të ditur shitjen e armëve Arabisë Saudite në vlerë prej 60 miliardë dollarëve. Asaj do t’i shiten 84 aeroplanë luftarakë F-15, 70 helikopterë ‘Apache’, 72 helikopterë ‘Black Haëk’ dhe një varg të gjerë të raketave, bombave, hedhësve, radarëve dhe pajisjeve të tjera. Me këtë shitje të armëve, kanë thënë në Pentagon, i dërgojnë një porosi të fortë të përkushtimit të SHBA-së ndaj partnerëve në Lindjen e Mesme të cilët gjenden në një “lagje të rrezikshme”. Kjo, thonë, do ta përmirësojë aftësinë e reagimit dhe mbrojtjes së Arabisë Saudite ndaj kërcënimeve drejt kufijve të saj dhe infrastrukturës së saj të naftës, gjë që është e një rëndësie të veçantë për interesat ekonomike të Amerikës. Prodhuesit e armëve të rënda nuk kanë nevojë që të brengosen për të ardhmen e tyre, ndërsa rritja e armatimit në botë amerikanëve gjithmonë u ka sjellë fitime të mëdha ekonomike.

Kina me aeroplanmbajtëse

Kina qysh në vjeshtë edhe zyrtarisht e ka konfirmuar epitetit e superfuqisë sepse, përveç armatimit bërthamor dhe ushtrisë milionëshe, ajo e ka edhe një simbol tjetër të padiskutueshëm të fuqisë, aeroplanmbajtësen.

24

nëndetëse i ndërtojnë rusët, kinezët investojnë gjithnjë e më shumë, Japonia do ushtri të veten, SHBA-ja e forcon Arabinë Saudite.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu