Isa Boletini pa varr, eshtrat e tij në një thes në xhaminë e Mitrovicës

0
967

Jemi në 100 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar dhe ai që erdhi nga Kosova me qindra luftëtarë trima për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, sot i ka eshtrat në një thes të vjetër, në një nga xhamitë e qytetit të Mitrovicës, në Kosovë. Këtë skandal, e pohon nipi i tij direkt që jeton në Tiranë, i cili mban të njëjtin emër me heroin tonë kombëtar. “Shekulli” bëri një vizitë në shtëpinë e Boletinëve. Në kontaktin e parë, sa hapëm derën e apartamentit në një nga pallatet në zonën e Bllokut, ndjejmë erën e Pavarësisë. Ky është viti i tyre.

Teksa bisedojmë me Isën 82-vjeçar, dhe gjendemi të ulur në kolltukun e sallonit, prapa nesh “na shoqërojnë” kryelartë Isa dhe Ismali Qemali, ditën e ngritjes së flamurit, 100 vjet më parë. Duket sikur po na vëzhgojnë ndërsa u hedhim herë pas here vështrimin  fotografive të tyre në mur. Nuk ka se si të mungojnë në shtëpinë e nipit të Isa Boletinit, fotot e 28 nëntorit të vitit 1912. Kanë një ngjashmëri të habitshme, sytë, balli, vetullat…

Isa ynë, mban veshur pantallona xhins e atlete të bardha. E rrallë kjo mënyrë të veshuri për një moshë kaq të thyer. Sa herë që ulet me miq dhe të afërm, nuk mundet kurrsesi, të mos bisedoj edhe për 100 vjetorin e shtetit shqiptar. Pa dyshim mes kontribuesëve më të shquar,  është edhe gjyshi i tij. Ndërsa rreshton gjithë meritat e Isës, është gati të ulëras, kur kujton që eshtrat e tij, prej shumë vitesh nuk kanë gëzuar as respektin më minimal për një luftëtar të shquar të shqiparisë, nuk kanë një varr, ku të prehen.

“Gjyshi im ishte njeri që  donte Shqipërinë natyrale, atë të parëve tanë, luftoi dhe dha gjithçka për të, pasurinë, gjakun e tij, të fëmijëve dhe nipërve”. Kështu e nis fjalën pinjolli i familjes Boletini. Flet gjithë pasion për të parët. Aq sa mban shtrënguar fort pas vetes, librat që janë shkuar për të. “Is Boletini, është i vetmi Rilindas dhe atdhetar, për të cilin janë shkruar 16 libra”-shprehet ai me krenari.

Shumë herë e ka vizituar vendlindjen e gjyshit dhe të të atit, fshatin Boletin afër qytetit të Mitrovicës. Ajo kullë, ka qenë një bazë e madhe e patriotizmit edhe në kohën e luftës për çlirimin e Kosovës nga serbët në vitet 1998-1999. “Kullën e vjetër të fisit tonë, e kam ringritur pikërisht mbi ato themele që ka pasur. Tre herë është djegur kulla e Boletinëve, nga serbët dhe turqit. Shumë djem të rinj e patriotë kanë dalë nga ky fis, por ai që u shqua mbi ta, ishte Isa Boletini”. Emri i tij lidhet fort me kryengritjet e mëdha shqiptare kundër pushtimit turk, në vitet 1908-1912, pa harruar që ka rrëmbyer pushkën që me Lidhjen e Prizrenit. Por mbi të gjitha Isa, do të njihet si personi që vendosi të kontribuojë për Shqipërinë e pavarur. Besnik ndaj Ismail Qemalit, vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë, Isa Boletini futet triumfator në qytetin e Vlorës, bashkë me 105 djem të armatosur kosovarë. Më shumë se forca e tyre, vlente gjesti dhe mbi të gjitha fjala e përhapur, se Ismail Qemalin e ruante Isa Boletini dhe luftëtarët e tij. Kaq mjaftoi që edhe ata shqiptarë gjakprishur që ishin kundër pavarësisë, të mos guxonin të sulmonin plakun e Vlorës, të paktën fizikisht pasi në bisedat e shumta me Ismail Qemalin, Isai kishte dhënë besën se jeta e tij dhe e luftëtarëve që drejtonte, do ishin për Shqipërinë e lirë. Dhe në fakt, nuk e shkeli kurrë atë besë të dhënë. Ai nuk dorëzohej, nuk përulej para askujt, prandaj që në moshën 54-vjeçare, fitoi të drejtë të quhej “bac”, një titull që nuk meritohej lehtë në ato kohë. Ja biseda interesante që bëmë me Isën e dytë..

 

Z. Isa, jemi në 100-vjetorin e pavarësisë. Ju do të shkoni në Vlorë në 28 Nëntor?

Jam shumë i lumtur që po jetoj në këtë vit dhe po shijoj, kontributin e gjyshit tim. Do të shkoj patjetër. Është një ngjarje e madhe historike për kombin shqiptar, por në veçanti për ne si familje që e përjetojmë më tepër. Nuk premtoj që do të shkoj me kalë si gjyshi, por Vlorën do ta prek atë ditë patjetër.

 

Si e njihni ju gjyshin tuaj Isa Boletinin?

Do mjaftohem, duke ju treguar vetëm një rast për të. Ai krijoi gardën e parë shqiptare në vend. Për shkak të besnikërisë dhe asaj që përfaqësonte, pasi ishte i vetmi kosovar me reputacion pranë qeverisë së Vlorës, ai shkon me delegacionin shqiptar në Londër. Mësohet se Ismail Qemali, para se te hipte në vapor i ishte drejtuar mikut kosovar: Isa, a e di që po shkojmë në Europë, nuk do ishte mirë që të vishje rroba të tjera? Sipas dëshmitarëve, Isai i kthehet: Ismail beg, kur njerzit e Evropit vijn’ ka ne, nuk i ndrojn petkat e tyne, as na tonat s’kemi pse! Ismail Qemali ngeli pa fjalë.

 

Me sa dimë, Isa Boletini nuk ka një varr apo jo ?

Ai ka një varr imagjinar, por ende nuk ka një varr konkret.

 

Eshtrat e tij ku janë?

Eshtrat janë në xhamin e Mitrovicës ende. Gjenden në një thes dhe i ruan hoxha i xhamisë së Mitrovicës. Ai ka bërë shumë për Isën dhe për familjen tonë. Ne si familje, nuk dimë çfarë emri ti vendosim këtij skandali. Të kesh një emër kaq të nderuar e ta neglizhosh deri në atë pikë sa të mos i gjesh një varrë. Për ne ky është një super skandal, po ç’të bëjmë!

 

Ju vetë nuk keni kërkuar që Isa Boletini të ketë një varr?

Eshtrat e tij nuk janë më në kompetencën tonë. Ai është hero kombëtar dhe varet nga shteti, ne nuk kemi asnjë lloj aksesi. Një nga këmbëngulësit e mëdhenj që eshtrat e gjyshit të mbërrinin nga Mali i Zi në Kosove, ka qenë Ibrahim Rugova, ish-presidenti që ishte zotuar që eshtrat të  preheshin në fshatin Boletin. Por në momentin që u sollën nga Podgorica me tren, policia serbe nën regjimin e Milloshevicit, kishte marre urdhër t’i ndalonte. Për çudi, nuk u gjetën pas kontrolleve të ushtruara. U fshehën në një xhami dhe qëndruan aty të paprekura, pasi ekzistonte frika se edhe nëse rivarroseshin në Boletin, pjesa e mbetur e familjes, do kalonte raprezalje. Ndërsa sot, as nuk e kuptojmë dhe as nuk e kemi një shpjegim se përse eshtrat e gjyshit, gjenden në një thes. Na kanë thënë që janë duke u bërë disa analiza ADN-je në Amerikë dhe janë duke pritur ato, pa sa mund të zgjasin këto analiza…?!

 

Çfarë dini ju për vrasjen e Is Boletinit?

Ai ka rënë ndryshe nga gjithë të tjerët. Nisi lufta e parë Botërore dhe Boletini gjendej ndërmjet Shkodrës e Malit të Zi. Me 23 janar 1916, në një ditë të ftohtë Isa Boletini me nëntë shoqërues, ndodhej në Podgoricë. Mendohet të ketë pasur një tradhëti të brendshme dhe gisht mund të ketë konsulli francez i asaj kohe. Serbët dhe malazezët nuk ia falnin Isait atë që kishte bërë për Shqipërinë, ndaj në tërheqje e sipër, pasi nuk përballonin forcat auustro-hungareze, vendosen të vrisnin pas një kurthi, atë dhe shoqëruesit e tij. Ai ngarkoi një nga nipërit, Tafilin dhe një tjetër shoqërues që të shkonin në prefekturën e Podgoricës për të merrë pasaportat e tyre. Pikërisht në këtë kohë lajmerojnë Isain, se malazezët do i vrisnin nipin. Isai u nis urgjentisht bashkë me të tjerë, por shpejt e pa veten të rrethuar nga dhjetëra xhandarë. Thirrja e tyre ishte e qartë: Dorëzohu Isa Boletini, bashkë me shoqëruesit. Isai në fillim u lutet dy prej truprojave të tij të largohen, pasi ishin mjaft të rinj. Fjala e bacës nuk kthehej, megjithëse djemtë kërkuan të luftonin e të vriteshin nëse ishte nevoja, pranë tij. Mban armët e tyre të supit dhe u thotë se me të hapur zjarr të largohen, por kurrsesi të dorëzohen. Krisi pushka dhe ashtu siç dinte të shkrehte armë Isai me djem e nipër, ishte e qartë se ata që kishin ngritur kurthin nuk do dilnin pa humbje. Vritet me dy djemtë pas disa minutash shkëmbim zjarri, të vdekur mbesin edhe dy nipërit në moshë fare të re dhe tre truproja. Por gjaku i Isait do kushtonte shumë. Isa Boletini dhe luftëtaret e tij lanë të vdekur 12 xhandarë malazezë dhe dhjetra të tjerë të plagosur.

 

 

Adem Boletini

 

Isa Boletini kishte nëntë djem dhe tri vajza. Një prej djemve të tij ishte edhe Adem Boletini, babai i Isait që rrëfen për “Shekulli”, historinë e familjes dhe jetës së tij. “Babai është vrarë më tre nëntor 1944 dhe asokohe, ishte me gradën kolonel. Gjithsesi Adem Boletini ra në një pritë, të organizuar për atentatin e komandantit të xhandarmërisë së Shkodrës Ndrec Kola. Po atë ditë, komunistët në një trakt të lëshuar i kërkonin ndjesë familjes Boletini, pasi sipas tyre, nuk ishte synimi të vritej Ademi, por komandant Kola. “Në atë kohë isha i vogël dhe e mbaj mend pak, por Ademi kishte dhënë ndihmë të çmuar në përgatitjen e oficerëve të rinj”, shprehet Isai.

 

Intervistë me Isa Boletinin 16 vjeçar. Krenaria për emrin e trashëguar dhe pikat ku do që ti ngjaj Boletinit të parë

 

Tre Isë në një derë

 

Ai përmend emrin e gjyshit të tij, por njëkohësisht, ka edhe një Isa të vogël, nipin. Ai është djali i Adrian Boletinit. “Është normale që të trashëgohet brez pas brezi, emri i atij patrioti të shquar si Isa Boletini, ndaj e kam për krenari që djali im i vogël të mbaj këtë emër”, tregon Adriani.

Ai është 16 vjeç dhe ka një emër të madh. Edhe vetë është i ndërgjegjshëm për emrin që mban dhe ndihet krenar për këtë. Djali që kemi biseduar është i treti që ka këtë emër në brezat e këtij trungu familjar. Me theksin e moshës, premton që do ta nderojë këtë emër të trashëguar dhe dëshiron, t’i ngjajë sa më shumë Isës së parë. Është patriot dhe çdo kujt që e pyet për emrin ka shumë më tepër çfarë t’i tregojë. Po ta shohësh, ka hijen e Boletinëve… Të atij Isa Boletini, që u bë krahu i djathtë dhe një nga mbrojtësit e mëdhenj të Ismail Qemalit. Ndaj, sot kemi rastin të flasim me Isën 16-vjeçar.

 

Kur e kuptove rëndësinë e emrit Isa Boletini?

Në fakt, këtë pjesë e kam me të treguar, dhe tani më duket sikur e mbaj mend edhe vet. Pa filluar të flas akoma mirë, e dija që i përkisja një emri të madh, sa kur më pyesnin, si e ke emrin? Boletini i babit thosha, dhe jo Isi. Kishim një pjatë të zbukuruar që varej në mur, aty ishte portreti i Isa Boletinit me një vështirim të egër. Duke e parë atë, imitoja edhe unë vështrimin e atij. Po shikoja dhe filmat, përshembull, filmi “Nëntori i 2”. Gjyshi më thoshte, ja emrin e këtij mban.

 

Po kur ju pyesnin si e keni emrin, dhe më pas kur përgjigjeshit, reagimi i njerëzve, si ishte?

Sa u thosha Is Boletini, në fillim habiteshin, rrinin të shtangur dhe më pas kërkonin të futeshin në detaje për emrin tim dhe më pyesnin, si është lidhja? Kur u thosha e kam katragjysh, shumpak besonin. Ishin shumë kuriozë, çdokush e ka ditë që ne jetojmë në Kosovë.

 

Po kur ju bëhet apeli në klasë dhe zysha nuk të njeh, është e re, si është reagimi kur ju thërret në emër?

Ka qenë një moment i bukur, ditën e parë të shkollës këtë vit. Zysha e historisë, sapo kishte ardhur në klasë dhe nuk më kujtohet saktësisht se për çfarë pyeti. Më pas, ajo tha kush foli dhe shoku im tha: Is Boletini. Ajo kujtoi se po tallej se ishte zysh historie, dhe filloi duke i bërtitur atij, me kë tallesh ti ë. Kur bëri apelin dhe thirri emrin tim, për një moment ngeli e habitur.

 

Të mbajnë me hatër për emrin?

Jo edhe aq shumë, nuk e kam ndjerë këtë.

 

Në lëndën e Historisë ke hasur edhe emrin e Isa Boletinit, si ndihesh kur lexon emrin tënd në libra?

Ndihem shumë krenar kur lexoj emrin e Is Boletinit dhe gjithmonë me zor pres të them diçka më tepër për atë temë, kur bëhet fjalë për të.

 

Të kërkon zysha të thuash ndonjë gjë më tepër, ndoshta nga ato që nuk janë shkruar në libra?

Po, shumë zysha më pyesin dhe kur kemi kohë të lirë, unë u tregoj shumë për Isa Boletinin. Kanë që të gjithë kuriozitet, si zysha, si shokët dhe shoqet.

 

Po nga ana fizike i ngjani, ju i keni parë fotot e tij?

Po, i kam parë. Ai ka qenë një burrë me pëllëmbë shumë të madhe dhe rreth 1 e 98 cm i gjatë. Por, në fakt, babi dhe gjyshi janë më të shkurtër janë rreth 1 e 70, kjo pasi atë kohë martoheshin fise të fortësh e fisnikësh me fise fisnikësh dhe gruaja e Is Boletinit ka qenë e shkurtër. Në fakt, unë do të jem më i gjatë, pasi që në këtë moshë jam 1 e 72 cm dhe shpresoj që do ta kap në gjatësi.

 

Për shkak të emrit që mban, ty të vjen pas historia, por e ndjen si përgjegjësi që dhe ti vetë të ndërtosh një histori tënden?

Në fakt po, kjo është e vërtetë edhe unë jam shumë nacionalist dhe sa herë shoh në histori se si ka qenë Shqipëria etnike, nevrikosem dhe përbrenda ndjej si një ndjenjë rebelizmi, sikur dua t’i shpall luftë.

 

Je kurioz të lexosh libra mbi të?

Po, për Isa Boletinin po, jam pak më shumë kurioz se sa për librat e tjerë. Isa Boletini ka 16 libra që janë shkruar për të. Libra të shkruar nga autor të mëdhenjtë dhe i kemi të 16 librat në bibliotekën e shtëpisë.

 

Po gjyshin e pyet, kalon shumë kohë me të?

Po, e pyes sigurisht. Shpesh herë ulemi bashkë dhe flasim për Isa Boletinin, ndonjëherë ulemi në ballkon dhe ai më shpjegon shumë gjëra për Isën, për familjen tonë. Gjyshi është shumë i pasionuar pas Isa Boletinit. Një moment t’ia përmendësh emrin e Is Boletinit, ai fillon edhe shpjegon gjithë historinë, një orë, dy orë.

 

Skandali i Kryeministrit Berisha me familjen Boletini

“Në datën 15 të këtij muaji, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, ka pritur në një takim pinjollë të familjeve të patriotëve të shquar nga Kosova, të Hasan Prishtinës, Isa Boletinit dhe Haxhi Zekës, të cilët ndodhen në Tiranë në kuadër të bashkëpunimit për një sërë aktivitetesh kulturore që do të realizohen me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë”. Ky lajm zyrtar, ka shokuar familjen e Isa Boletinit. Ata pohojnë se nuk ka qenë asnjë përfaqësues e familjes së tyre në atë takim. Dhe sipas Adi Boletinit, stafi i kryeministrit ka marrë në takim dy ushtarë garde dhe i ka zëvendësuar me familjarët e vërtetë të Isa Boletinit.

 

Nga Entela Resuli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu