Isa Mustafa heshtë për murin. Edhe pak orë ka afat sipas Rezolutës!

0
938

Në kohën kur kanë mbetur vetëm edhe pak orë deri në përfundimin e afatit që ka qeveria sipas Rezolutës së nxjerrë nga Kuvendi për rrëzimin e murit në afërsi të lumit Ibër, nuk shihet ndonjë veprim konkret.

Për më tepër, askush nga zyrtarët qeveritar nuk e ka thënë as edhe një fjalë në lidhje me rrënimin e këtij muri.

Gazeta Blic ka provuar që të flas me zëdhënësin e Qeverisë Arban Abrashi dhe më këshilltarin për media të kryeministrit, Faton Abdullahu, nëse sot do të veproj qeveria për rrënimin e murit, mirëpo asnjëri prej tyre nuk është përgjigjur.

I vetmi nga zyrtarët e lartë shtetëror i cili është deklaruar për murin është presidenti i shtetit, Hashim Thaçi.

Megjithatë, as ky i fundit nuk ka dashur të deklarohet nëse muri në veriun e Mitrovicës do të rrënohet sot, ashtu siç është paraparë me rezolutën e miratuar para një muaji në Kuvendin e Kosovës.

Thaçi është shprehur se gjatë bisedimeve në Bruksel më 1 shkurt nuk do të diskutohet lidhur me murin. Kjo ngase sipas Thaçit është çështje e brendshme e Republikës së Kosovës.

“Në bisedimet e Brukselit nuk do të diskutohet lidhur me ndërtimin apo rrënimin e murit. Kjo është çështje e brendshme e autonomisë së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, përfaqësues të partive opozitare kanë vlerësuar se muri mund të bjerë vetëm nëse bie kjo qeveri.

Time Kadrijaj, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, konsideron se nuk është hera e parë që ekzekutivi nuk po e respekton rezolutën, pasi që sipas saj një gjë e tillë ka ndodhur edhe me rezolutat e më parshme të nxjerrura nga Kuvendi.

Kurse Donika Kadaj Bujupi, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, konsideron se muri i ndërtuar në mënyrë ilegale në veri të vendit mund të rrënohet vetëm atëherë kur ndërpritet dialogu me Serbinë dhe bie Qeveria e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa.

Ata kanë theksuar për Gazetën Blic se nuk është hera e parë që qeveria nuk i ka zbatuar rezolutat e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka dhënë një afat tjetër se kur do të rrënohet muri në veri. Ai ka thënë se muaji shkurt është koha kur do të rrënohet muri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu