Isë, ku janë milionat? (Një portret i paautorizuar i kryeministrit të Kosovës. Pj.II)

0
733

Isa ne Gazeten Dita

Vijon nga numri i kaluar

Shumëkush mund të mendojë se Lidhja Demokratike, si alternativa e parë politike e Kosovës, u krijua pas ngjarjeve të mëdha të vitit 1989, pra pas demonstratave të pazakonta që e tronditën regjimin serb. E vërteta është ndryshe: Ajo u sajua për të shuar lëvizjen çlirimtare. Mendimi për krijimin e saj lindi në zyrat e redaksisë së gazetës “Rilindja”, organ në strehëz i Lidhjes Komuniste të Kosovës, nga disa gazetarë, shumica të njohur, por mes tyre edhe një kontigjent i shërbimit të fshehtë serb. Ky konstatim nuk është i imi, ai vjen nga njëri ndër ata që e mendoi edhe e ideoi krijimin e kësaj alternative, shkrimtari dhe akademiku Mehmet Kraja. “Çdo gjë filloi në “Rilindje” dhe u zhvillua me një shpejtësi marramendëse. Ishte e patolerueshme që të numëroheshim anëtarë të Lidhjes Komuniste, edhe pas kësaj që kishte ndodhur (anëtarë të Lidhjes Komuniste ishin shumica dërrmuese e gazetarëve dhe organizata themelore e LK-së në “Rilindje” numërohej ndër më të fortat në Kosovë). (Vite të humbura, fq.162).

Në të gjithë këtë krijesë nuk ka asgjë historike dhe asgjë spektakolare. Tre gazetarë të “Rilindjes” në fundin e vitit 1989, kur e gjithë Kosova ishte skuqur, mendojnë krijimin e një alternative politike dhe Jusuf Buxhovi u sjell programin, të cilin nuk e kishte shkruar ai, as ndonjë ekip, por njëri ndër figurat autonomiste të Kosovës, njeri i afërt i Millosheviçit. Propozohet Rexhep Qosja për kryetar i Lidhjes, por ai refuzon, ndoshta duke u nisur nga ideja se nuk është e mundur që e gjithë Lidhja Komuniste e Kosovës, që u bë Lidhja Demokratike e saj, ka ndërruar mendësinë e vjetër. Aty janë futur tashmë të gjithë; të ndershëm, intelektualë, frikacakë, bashkëpunëtorë të shërbimit të fshehtë, ëndërrimtarë. Aty futet edhe Isa Mustafa, i cili sapo e ndjen se koha e tij si ministër ka ikur, nuk heq dorë për të bërë një kohë të dytë…

Qeveria e fundit e Kosovës, e cila ishte zgjedhur me bekimin e Millosheviçit, ndoshta nga që kishte mbetur tashmë pa “dorën e fortë”, Rrahman Morinën, ikën e gjitha jashtë Kosovës. Largohet edhe parlamenti kukull. Në Kosovë mbesin “titullarët” e rinj, që premtojnë të bëjnë Republikën e Kosovës përmes konferencave të shtypit. Isa Mustafa bashkohet me këta të fundit. Në asnjë ditë të jetës së tij ai nuk ka rrezikuar asgjë, as majën e thoit për Kosovën, nuk ka asnjë lidhje me lëvizjen çlirimtare; në të kundërtën, të gjitha herët, ai është shfaqur kundërshtar i rreptë i saj. Në vitin 1982, ai së bashku me Agim Zadriqin, dy drejtuesit më të rëndësishëm të Rinisë Komuniste të Kosovës, do të jenë në Zagreb, për të bindur studentët shqiptarë të atjeshëm se demonstratat e vitit 1981 duhen dënuar ashpër, se duhen dënuar nacionalistët dhe irredentistët. Fehmi Lladrovci, drejtuesi i studentëve, Heroi i ardhshëm i Kosovës, do u thotë të shkojnë nga kanë ardhur, sepse nuk mund të dënohen ata që duan vendin e tyre. Isa Mustafa bën më tutje. Megjithëse në kohën e ministrimit të tij janë vrarë dhjetra vetë e janë plagosur qindra e qindra të tjerë, asnjëherë nuk i ka shkuar mendja se duhet të tërhiqej fillimisht, e më pas, të kërkonte ndjesë. Përkundrazi, e ndjen veten të lumtur se ka qenë pjesë e regjimit kundër popullit të tij, dhe kjo lumturi e mban ende sot e kësaj dite.

Asnjë nga ministrat e fundit të Jusuf Zejnullahut nuk ka qenë i rrezikuar nga regjimi serb. Më së paku, dy prej tyre, Mustafa dhe Bicaj, u bënë ministra edhe të qeverisë hije “Bukoshi”, një qeveri në mërgim, me gjysmën e ministrave në Tiranë, ku luanin pingpong, dhe me gjysmën tjetër në Perëndim, ku vilnin mjete të mëdha financiare. Kjo është një histori tjetër, ku bëhen bashkë solidariteti i njerëzve të thjeshtë dhe mashtrimi i madh i tyre; në të cilën, ashtu si gjen fisnikërinë e njerëzve të zakonshëm, gjen edhe përvetësimet e jashtëzakonshme.

Çdo gjë filloi që në vitin 1992, me të ashtuquajturin aksion për mbrojtjen e Kosovës. Në perëndim janë ngritur me shpejtësi në qindra e qindra aktivet e LDK-së, shumë nga të cilat kanë sinqeritetin dhe devotshmërinë. Ndaj japin gjithçka për mbrojtjen. Nën zë u thuhet se kanë krijuar ministrinë e Mbrojtjes, se kanë krijuar ministrinë e Brendshme, se do të kenë furnizime me mjete moderne, tanke, avionë, raketa dhe njerëzit japin nga vetja. Vetëm një aktiv i vogël, në afërsi të Shtutgartit, do të mbledhë në pak ditë mbi 70 mijë marka gjermane. Të hollat dorëzohen përmes një proçesverbali të zakonshëm. Vetëm nga një përllogaritje e rastit del se janë mbledhur në pak ditë mbi 210 milion marka gjermane. Askush nuk e di fatin e tyre. Ministri i Financave Isa Mustafa, edhe kur vjen koha e llogaritjes së tyre, nuk i përfshin në të ardhurat. Heshtja i ka mbuluar edhe sot e kësaj dite.

Njerëzit rrinë me shpresë, kur befas, në emisionet e lajmeve dëgjojnë se janë arrestuar disa nga ata që do të përbënin ministrinë e Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme. Emrat janë të njohur: Shumë prej tyre kanë qenë edhe më parë punonjës të shërbimit të sigurimit, por nën diktatin e Millosheviçit. Dhe befas, deklarata dërrmuese se “Serbia i shpiku ministrinë e Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme”. Atëherë për cilën mbrojtje mblodhën ministri i Financave Isa Mustafa dhe shefi i qeverisë qindra miliona marka?

Shefi i tashëm i qeverisë, në një polemikë me profesor Qosjen, as më shumë e as më pak, tha se ka qenë i ndjekur për 9 vite rradhazi nga qeveria serbe. Ky është humor i zi. Nëse kanë qenë të ndjekur ministrat, kush ishte i lirë? E vërteta flet krejt ndryshe. I përkëdheluri i djeshëm, mbeti i tillë edhe pas krijimit të qeverisë hije dhe të alternativës politike, por tashmë jashtë Kosovës. Ata që rebelohen, si Ukshin Hoti, denoncohen dhe dënohen dy herë rradhazi, deri sa zhduken. Ukshin Hoti nga salla e gjyqit drejton gishtin pikërisht tek krimi i sojit të Isa Mustafës, të shndërruar në një alternativë politike. Të tjerët dënohen në vite të gjata burgimi. Kush e ndoqi Isa Mustafën në perëndim? Luksi në të cilin jetonte? Bollëku që ishte pjesë e jetës së tij? Shtëpia që u ble për qeverinë në Ulm? Makinat dhe rojet në dispozicion?

Qeveria e Kosovës e ka një moment të sajin për të dëshmuar se veç arsimit që e mbulon me të holla, mund të bëjë shumë më tepër. Në skenë është shfaqur Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Bukoshi, megjithëse e mohon në shtypin e botës, e di se ekziston, e di edhe se cilët janë ata që mbartin këtë vizion dhe përcaktim, i njeh disa nga liderët dhe ka vendosur kontaktet me ta. Në të vërtetë, liderët e lëvizjes çlirimtare, duke u nisur nga disa sinjale të ardhura nga Prishtina, kanë më shumë besim tek Bukoshi se sa tek të tjerët. Kontaktet e para janë të ftohta, deri sa arrihet një marrëveshje që sot, shumë kujt mund t’i duket qesharake. Forcat çlirimtare kërkojnë nga Bukoshi një ndihmë financiare mujore prej rreth 30 mijë markash. Në fond janë disa qindra milionë. Bukoshi dhe Isa Mustafa premtojnë, por japin fare pak. Për të mos thënë se kanë bllokuar çdo ndihmë. Lëvizja çlirimtare dërgon tek Bukoshi një njeri të autorizuar, Shaban Mujën. Deklarata e tij e mëvonshme do të jetë shokuese. Bukoshi i premton ndihma të mëdha, nëse UÇK-ja merr përsipër eliminimin e Rugovës. Çdo gjë ndërpritet. Askush nuk e ka mendjen të ndezë një sherr brenda shqiptarëve. Ndërkohë “qeveria” lëviz drejt bankës “Dardania”, pra fillojnë edhe sherret e mëdha me LDK-në. Jo për parime, po për të holla. Puna shkon aq thellë sa që njerëzit e Bukoshit, edhe këshilltarë të afërm si Mujë Rugova, nuk lejohen të flasin në takimet e mërgimtarëve.

Një aktiv i LDK-së, në qytetin e Achenit në Gjermani, krijoi një fond për të ndihmuar Kosovën. Një ide e disa njerëzve të mirë, që kapet shpejt nga LDK-ja dhe qeveria njëkohësisht, dhe krijojnë një fond të madh me këtë emër: Fondi i Achenit. Aktivistë dalin dyerve dhe mbledhin të holla. Të tjerë mendojnë të krijohet një përqindje e qëndrueshme, tre përqind, dhe fondi merr emrin e trepërqindëshit. Nis dilema: I kujt është fondi? Në qendrën e LDK-së në Prishtinë, në një muaj, vetëm për biseda telefonike, harxhohen mbi njëqind mijë marka. Për luftën, mjerisht, dyert janë të mbyllura. Isa Mustafa e ka mbyllur buxhetin dhe kjo është e natyrshme: Ai që në fillimet e jetës së tij politike ka qenë kundër irredentës kosovare, kundër nacionalistëve, kundër Republikës së Kosovës.

Dhjetra emra sajuan “ministrat” e Bukoshit për të zhvatur njerëzit e zakonshëm. Çdo pikë të gjakut të Adem Jasharit e njerëzve të tij e kthyen në qindra mijra marka, përmes aksionit “Gjithçka për Drenicën” të nisur menjëherë pas vrasjes së liderit të pashoq të luftës.

Në cilën qeveri ishte pjesë isa Mustafa? Po sjell një shembull. Ishte 25 maj. Nëse ishte viti 1995 apo 1996, ministri i Informimit, Xhafer Shatri dhe ministri i Financave duhet ta dinë më mirë. Shatri mblodhi shumë nga ish policët, që ishin tashmë jashtë Kosovës, për të formuar Shoqatën e Policëve të Kosovës. Se çfarë pune kishin “Ministri i Informacionit” dhe “Ministri i Financave” me policinë e Kosovës dhe se çfarë do të bënte kjo polici në mërgim, kjo është temë tjetër. Po të dojë Isa Mustafa, edhe e hapim. Fjalën përshëndetëse e mbajti po ashtu zoti Shatri, i cili i përgëzoi policët për shërbimin që ia kishin bërë Kosovës!!! (Shumë nga të cilët kishin qenë gardianë të egër të djemve të lëvizjes çlirimtare). Pas përshëndetjes së Shatrit në emër të “qeverisë” drejtimin e tubimit e merr Jonuz Terstena, ish polic i njohur. Fjala e tij e parë ishte nëse kishte në sallë ndonjë me shkollë që të mbante protokollin e mbledhjes, sepse “na kena ditë veç me rrahë e me mbytë”. Ky njeri, që kishte ditë veç me rrahë e me mbytë, na u bë më pas “ministër”, si edhe zoti Mustafa, dhe ishte po ashtu, pjesë e “institucioneve”. Çfarë donte Isa Mustafa me rrahësin e Kosovës, sepse ishte larg mendsh se Terstena dhe shokët e tij kishin rrahur serbët nëpër burgjet e Kosovës. Ata kishin torturuar deri në vdekje, si do të ndodhte pak më pas me Besnik Restelicën, apo si do të ndodhte nga polici Fadil Sulejviqi, që pasi rrëmben mjekun e lëvizjes çlirimtare, Hafir Shala, e zhduk pa lënë asnjë gjurmë. Në të vërtetë këta ishin shokët, bashkëpunëtorët e miqtë e Isa Mustafës dhe kjo nuk do të ndryshonte edhe më pas.

E gjithë kjo do të ishte një denoncim pa mbulesën e plotë, nëse nuk do të kishte edhe një denoncim nga brenda. Kjo vjen nga njeriu nr.2 në qeverinë Bukoshi, nga ish ministri i Informacionit, Xhafer Shatri, dhe është bërë menjëherë pas luftës, kur gjërat ishin ende të freskëta dhe mashtrimi nuk kishte mbuluar një pjesë të madhe të ngjarjeve. Deri tani askush nuk ka guxuar ta përgënjeshtrojë atë; për më tepër, të dhënat e fundit, dalë nga brenda “kalasë” së fondit të qeverisë, e kanë rënduar edhe më shumë.

Zoti Shatri: “Fondin e Republikës së Kosovës, ku kanë milituar me mijra patriotë, e ku, në emër të luftës për liri, ishin grumbulluar qindra miliona marka gjermane, kopukët arritën ta privatizojnë. Ndërkohë që në kufi vriteshin si qingjat njomakët që kishin ardhur për armë, paratë e këtij fondi ruheshin për “ditë të zeza”, ruheshin për Kosovën e pasluftës për të mbijetuar politikisht kryekopukët “institucionalë” duke blerë me paratë e popullit vota e parti të ndryshme. Duke zhvilluar hapur e me pare të popullit, veprimtari kundër tij”.

Ky është denoncimi më i rëndë që i është bërë ndonjëherë një “qeverie” ku zoti Mustafa ka qenë ministri i Financave i saj. Pra, njeriu që i ka ruajtur paratë e popullit për të bërë veprimtari kundër tij.

Zoti Mustafa, ju nuk keni qenë korrier në këtë “qeveri”, por njëri ndër më të besuarit e saj, e pa dyshim, më i besuari i zotit Bukoshi. Unë kam shkruar shpesh herë për për qeverinë “Bukoshi”, por kopuk nuk i kam thënë. Ju, që keni qenë bashkë me të, duhet të dini më shumë. Duhet të dini edhe të vërtetën, përse, kur ndërkohë vriteshin si qingjat njomakët e Kosovës që kishin ardhur për armë, ju i fshehët paratë e popullit.

Unë e kam akuzuar për shumë gjëra qeverinë “Bukoshi”, por që me para të popullit ka zhvilluar veprimtari kundër tij, dhe veprimtaria kundër popullit quhet tradhti, këtë nuk e kam thënë. Do të isha i lumtur të dija: Kur zoti Shatri flet për kopukë dhe kryekopukë institucionalë, për cilët e ka fjalën?

Së fundi, ju nuk jeni fajtor që u bëtë shefi i ri i qeverisë së Kosovës. Fajtorë janë një pjesë e rëndësishme e shokëve të mi, të cilët, të marrur sysh pas pushtetit, po harrojnë se janë aty ku janë në sajë të gjakut të derdhur, dhe se ky gjak nuk është derdhur që njerëzit e regjimit të Millosheviçit të rikthehen në pushtet, por për një Kosovë fisnike, të njerëzve të ndershëm dhe të aftë, që e duan atë më shumë se gjithçka tjetër, që e kanë bërë një herë betimin, atë që shkroi Fehmi Lladrovci në qelitë e burgut, se “atdheut ia kemi borxh jetën, jetën edhe pasurinë”.

Ndaj ju nuk jeni fajtori i vetëm, jeni pjesë e fajit, por jo faji vetë.

Nga Bedri ISLAMI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu