
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Naser Rugova, ka deklaruar se partia e tij nuk do të lëshojë pe në postin e kryeministrit, prandaj lideri i LVV-së, Albin Kurti, ka filluar të reflektojë sa i përket kësaj pozite dhe rrjedhimisht do ta pranojë kandidaturën e Vjosa Osmanit.
Rugova, i cili kishte gënjyer publikisht kur ishte arsyetuar për mungesën e tij, për votimin e rezolutës që do t’ia dalonte Thaçit negociatat me Serbinë, ka thënë se koalicioni mes LDK-së dhe LVV-së është shpresa e vetme për vendin.
Ish-deputeti i LDK-së Naser Rugova ka deklaruar se pozita e kryeministrit në qeverinë e ardhshme duhet t’i takojë partisë së tij, prandaj partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, duhet ta pranojë këtë fakt nëse dëshiron të lidhë koalicion me LDK-në.
“Tani edhe z. Kurti, edhe LVV-ja e kanë të qartë se nuk ka kandidat më kompetent, më të përgjegjshëm dhe që e do këtë vend sikur Vjosa Osmani. Prandaj unë besoj fuqishëm që edhe z. Kurti tashmë ka filluar të reflektojë, do ta pranojë një kandidaturë, e cila i bën nder edhe LDK-së, edhe LVV-së, por edhe Kosovës dhe institucioneve të saj”, ka thënë Rugova për Zërin.
Naser Rugova kishte gënjyer publikisht kur ishte arsyetuar për mungesën e tij, për votimin e rezolutës që do t’ia dalonte Thaçit negociatat me Serbinë.
Ai kishte thënë se ka qenë në ambasadën e Hungarisë për termin për vizë, në ndërkohë ambasada më 1 nëntor nuk kishte punuar.
Gazetari i Insajderi i kishte telefonuar Ambasadës së Hungarisë në cilësinë e një aplikanti për vizë, ku ka kërkuar sqarime nëse Ambasada ka punuar më 1 nëntor.
Ata kishin thënë se ambasada nuk ka pranuar më 1 nëntor. Ndërkohë edhe në një njoftim që kishte publikuar në web-sajtin e tyre, e kishin konfirmuarse Ambsada nuk kishte punuar.
“Më 1 nëntor ambasadat hungareze dhe austriake në Prishtinë, mbajtën një ceremoni të përbashkët në varrezat ushtarake në Pejë. Ambasadori i Hungarisë, Laszlo Markusz, i Austrisë Gernod Pfandler, ambasadorja e Kroacisë, Marija Kapitanovic, ambasadori slloven Bojan Bertoncelj, Gazmend Syla në cilësinë e këshilltarit të kryeministrit, dhe Gazmend Muhaxheri kanë vendosur kurora lulesh në memorialin në Pejë”, thuhej në njoftimin e Ambsadës të lëshuar më 1 nëntor.