Ish-prokurori i Hagës: Gjykata Speciale do t’i shërbejë interesave të Serbisë

0
627

Gjykatesi i Hages

Ish-prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, Sir Geoffrey Nice, thekson se Gjykata Speciale nuk mund t’i sjellë ndonjë dobi imazhit të Kosovës.

Sir Geoffrey Nice, ish-Prokuror në Tribunalin e Hagës, thotë se është mjaft e qartë që kjo gjykatë, së paku jo në afat të shkurtër, nuk pritet të sjellë ndonjë dobi a përfitim për Kosovën apo qytetarët e saj, jo në kuptimin e imazhit që ka në botë.

“Nuk do të sjellë ndonjë dobi, e në të vërtetë do t’i shërbejë interesave të Serbisë. Më duhet ta përsëris, kjo gjë po imponohet për arsye politike, e nuk mund të dihen variablat e këtij ekuacioni, të këtij vlerësimi, në mendjet e atyre që janë të vendosur që kjo gjykatë duhet themeluar dhe duhet të jetë efektive”, ka thënë Nice në një intervistë dhënë televizionit publik.

Sir Geoffrey Nice tha se ajo që mbetet ende e paqartë janë benefitet që do t’i ketë Kosova me krijimin e kësaj gjykate, përveç heqjes së njollave të cilat i janë mveshur vendit me publikimin e raportit të ish senatorit Dick Marty.

Ai u rekomandon liderëve politikë të vendit që të kërkojnë sqarime në mënyrë që të dinë benefitet dhe humbjet e Kosovës me krijimin e kësaj gjykate.

“Nëse Kuvendi i Kosovës nuk e miraton Gjykatën, atëherë ajo që vjen si kërcënim është që kjo do të mund të vendosej nga Kombet e Bashkuara, përmes Këshillit të Sigurimit. Ka njerëz që besojnë që kjo gjë do të ishte më e mirë, pasi që do të ishte organ i OKB-së, do të merrte parasysh të gjitha palët, e kështu me radhë. Por, megjithatë, kjo mund të mos ndodhë, mund të mos ndodhë që OKB-ja të themelojë një gjykatë të tillë, si dhe kam dëgjuar shpesh njerëzit të thonë që ka shumë pak gjasa që OKB-ja të ketë mundur ta bënte këtë gjë ndonjë herë”, ka thënë Nice.

Ndërkaq, i pyetur nëse kjo do të ishte arsye e mirë për të mos miratuar Gjykatën Speciale, Nice tha: “Nuk e di, varet plotësisht nga ajo që pritet të jetë si dobi për Kosovën nga themelimi i Gjykatës, apo cila është pasoja nëse nuk themelohet ajo”.

Ndër të tjera, Sir Geoffrey Nice nuk e përjashton mundësinë që krijimi i Gjykatës Speciale për Kosovën të jetë reflektim i dështimit të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë.

Britaniku ka folur edhe për gjykimin e diktatorit serb, Slobodan Milosheviq, i cili pati vdekur pa marrë një ndëshkim nga Tribunali i Hagës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu