“Ismail Qemali i papërlyer, s’ka dokument që vërteton ujdi me grekët”

0
669

Emrat e mëdhenj përveç lavdisë herë-herë i ndjekin edhe akuzat. Kështu ndodh edhe me Ismail Qemalin, të cilin përveç vlerësimeve për meritat e tij të padiskutueshme në shpalljen e pavarësisë, e ndjekin nga pas edhe disa kritika… Kundërshtarët e tij politikë, e kanë kritikuar për faktin se kërkoi një Shqipëri në kantone. Nga ana tjetër, disa syresh pretendojnë për një marrëveshje të dëmshme të tij me Greqinë… Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë, teksa flet për këto akuza, mohon të jenë gjetur ndonjëherë dokumente që vërtetojnë një marrëveshje të tillë. Përkundër pretendimeve të kundërshtarëve të kohës, apo edhe atyre të grekëve, askush nuk disponon një dokument të vetëm që përlyen Ismail bej Vlorën me grekët, e rrjedhimisht me “tradhtinë” ndaj Shqipërisë. Por, si qëndron e vërteta e akuzave ndaj plakut të urtë të Vlorës? Si shihet sot kjo çështje dhe çfarë thonë arkivat për këtë figurë? Beqir Meta sqaron si më poshtë…
Prof.Meta, është folur shpesh për “disa mëkate” të Ismail Qemalit. Si qëndron e vërteta rreth tyre?
Dy kanë qenë akuzat që i janë bërë Ismail Qemalit. E para ka të bëjë me idenë e tij që Shqipëria të ishte e ndarë në kantone. Sipas zërave kundër, kështu Shqipëria nuk do të ishte e bashkuar, sepse kantonet nuk do të mund të bëheshin një shtet. Nga ana tjetër, edhe pse Ismail Qemali e korrigjoi shpejt këtë ide të vetën, ai duket se ka pasur frikë edhe nga përçarja e brendshme e shqiptarëve kur ka kërkuar këtë, por edhe për shkak se asokohe në vend vepronin agjenturat e huaja që ishin kundër bashkimit të Shqipërisë e pavarësisë së saj. 
Po akuza tjetër, ajo që ka të bëjë me marrëveshjen me grekët? 
Kundërshtarët e kohës së tij si Faik Konica apo Fan Noli patën deklaruar se Ismail Qemali bashkëpunoi me grekët asokohe. Kjo akuzë e tyre nuk është vërtetuar asnjëherë, nga asnjë dokument. Ai u akuzua që bëri një aleancë me grekët në dëm të Shqipërisë, çka nënkuptonte që për “ndihmën” që mund t’i jepte ajo, do të merrte toka në jug… Faik Konicën ne e vlerësojmë për punën e bërë në të mirë të Shqipërisë, për botimin e “Albanias”, por ai si kundërshtar politik e dimë se qe shumë i ashpër. 
A lidhen këto deklarata të rënda me faktin që ai qe martuar me një greke?
Mbase, por ai qe politikan i një kalibri të lartë, dhe nuk besoj të ketë bërë ujdi të tilla. Vendi ynë në atë kohë kërcënohej edhe nga Serbia edhe nga Greqia, e nëse kjo e fundit kërkonte vetëm jugun, ajo në veri kërkonte shumë territore shqiptare, përveç Kosovës. Por një marrëveshje e tillë nuk është dokumentuar. 
Atëherë mbi ç’baza e pretendon historiografia greke këtë?
Ajo ka spekuluar për një marrëveshje të tillë në mungesë të dokumenteve, dhe këtë e ka bërë në kuadër të pretendimeve të njohura që ka pasur për jugun. Por, Ismail Qemali është i pastër!

 

Shkruan: Fatmira Nikolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu