Ismail Qemali, zbulohet promemoria e panjohur drejtuar Garibaldit

0
803

Është zbuluar së fundmi në Arkivat italiane një promemorie e vitit 1903, shkruar nga Ismail Qemali, drejtuar pasardhësit të Garibalidit, Ricciotit. Ka qenë Darling Vlora, pinjolli i plakut të Vlorës, që ka rënë në gjurmët e saj. I shkruar në frëngjisht, teksti i promemories shkon rreth 12 faqe format dhe është shtypur me makinë shkrimi. Vende-vende ka shënime me dorë, nga vetë Ismail Qemali. “Dokumenti është gjetur me shumë vështirësi, pasi nuk është i kataloguar veçmas”, thotë Darling Vlora, teksa falenderon përgjegjësin e Arkivit z. Fabrizio Alberti. Promemoria ruhet në Museo Centrale del Risorgimento (MCRR), në: “Carte Ricciotti Garibaldi”, të grupuara në: “Carte varie riguardi i soccorsi all’Albania, 1902-1905″. Ismail Qemali krijoi shumë herët lidhje me R. Garibaldin për t’i ruajtur deri në fund të jetës së tij. “Promemoria nuk ka datë, ndoshta ajo ka qenë shoqëruar me ndonjë tekst tjetër, por nga përmbajtja e saj kupton se është shkruar në vitin 1903”, thotë Vlora. Pjesë të kësaj promemorieje, Ismail Qemali i publikoi në një intervistë për gazetën italiane “Il Giornale d’Italia” dhënë Vittorio Vettorit, më 16 gusht 1903. Në fillim të promemories, në paragrafin e tretë të saj, duke iu referuar vitit 1878, kohë kur u mbajt Kongresi i Berlinit, I. Qemali shënon ‘historia e 25 viteve të fundit’. Pak rreshta më tutje kur ai flet për vitin 1880, shënon ‘shqiptarët dhe popullsia e tyre shpresuan për 23 vjet rresht’. Të dyja shënimet e mësipërme e bëjnë të sigurt vitin e hartimit të promemories. Nga frëngjishtja, dokumenti është përkthyer nga Thomas Frashëri dhe është redaktuar nga Darling Vlora, ndërsa sqarimet në dokument janë bërë nga Ledia Dushku, historiane pranë Institutit të Historisë në Tiranë. Më poshtë po publikojmë të plotë promemorien e Ismail beut, që flet për një përkushtim më të hershëm se pavarësia për Shqipërinë.
Promemoria, shkruar më 1903
Ngjarjet që po zhvillohen në këtë moment në Gadishullin Ballkanik janë shumë më tepër serioze sesa lëvizjet revolucionare në Lindje, që ndjekin njëra tjetrën prej një shekulli dhe janë bërë për publikun si lajme të zakonshme për shkak të periodicitetit të tyre.
Në fakt, nuk bëhet më fjalë për një provincë turke që ngre krye për të shkundur zgjedhën e vjetër; nuk bëhet më fjalë për një popull të Lindjes që lufton për emancipimin e tij; në të vërtetë nën sytë tanë po ndodh një fenomen pa precedent në analet e Lindjes. Nga njëra anë po vërejmë agresionin e ndërmarrë nga një racë me instinkte gllabëruese, e cila duke patur për qëllim sundimin e saj mbi kombësitë e tjera, instrumentalizon civilizimin jo për të zbatuar rregulla të moralit dhe të drejtësisë, por për të legjitimuar forcën brutale. Nga ana tjetër vërejmë përlindjen e një tjetër race, e cila e dëshpëruar dhe e frikësuar nga perspektiva e humbjes së tërësisë territoriale dhe qenësisë së saj kombëtare është përhumbur në një luftim për jetë a vdekje. Për të mbrojtur çështjen e vet që përkon bash me atë të drejtësisë dhe të kombësive të tjera, ekzistenca e të cilave është gjithashtu e kërcënuar në të njëjtën shkallë dhe nga i njëjti agresor, ajo është përbetuar ta çojë vetëmohimin e saj deri në flijim.
Historia e njëzet e pesë viteve të fundit na zbulon gjenezën dhe na shpjegon arsyet e grishjes së bullgarëve dhe të dëshpërimit të shqiptarëve. Të parët, të favorizuar nga fati, të llastuar nga dashamirësia e mirëbërësve të tyre, që i falnin deri edhe mosmirënjohjen e pacipësinë dhe të mbajtur me pekule nga Evropa, patën kryeneçësinë të mendonin se ishin të çliruar nga çdo detyrim moral a politik dhe të ndjehen të aftë t’i japin duar krejt të lira ambicieve dhe kapriçove të tyre.
Rusia, si shpërblim të fitores së saj, nëpërmjet Traktatit të Shën Stefanit arriti të krijonte Bullgarinë e Madhe; i këputi Trakisë të gjithë pjesën me rëndësi në jug të maleve Ballkan, që shtrihet nga Lindja deri në Detin e Zi, ndërsa në Jug në vijën e përshkuar nga lumi Arda deri në derdhjen e tij në det; Maqedonisë, tërësinë e territorit të saj me përjashtim të qytetit të Selanikut dhe të gadishullit të Kalkidikës; Shqipërisë, një pjesë të territorit të saj lindor, i cili formonte një trekëndësh, që kishte për bazë vijën midis malit Gramoz në jug dhe qytetit të Vranjës në veri dhe për kulm bërrylin që lumi Devoll krijon duke ndërruar rrjedhjen e tij nga Lindja në Perëndim drejt Veriut.
Veçse, ky krijim doli se qe një ëndërr; para se boja e të famshmit Traktat të Shën Stefanit të thahej, Evropa e indinjuar dhe e hutuar nga situata e vështirë ku ndodhej Perandoria Osmane dhe popujt e saj etnikisht jo sllavë, ndërhyri për të shfuqizuar Traktatin e Shën Stefanit duke miratuar atë të Berlinit, i cili duke i dhënë Bullgarisë si kufij vargmalet Ballkan, la shteg në Jug për krijimin e provincës autonome të Rumelisë Lindore, me tagër për sulltanin që të pushtonte ushtarakisht grykat e Ballkanit. Ky Traktat vendosi gjithashtu angazhimin formal të Fuqive [të Mëdha] për pajisjen e provincave të tjera të Turqisë Evropiane me institucione administrative, të afta për t’i garantuar banorëve të tyre ushtrimin e lirshëm të të drejtave politike dhe civile, pa dallim race apo feje…
Sulltani edhe pse gjithmonë i kujdesshëm për interesat e Perandorisë së tij dhe për dinjitetin e një sovrani firmëtar të një akti ndërkombëtar, i braktisi në mënyrë krejt të paimagjinueshme dhe të pashpjegueshme të drejtat e tij absolute për të pushtuar grykat e Ballkanit dhe për t’i imponuar Bullgarisë detyrimet e vasalitetit të parashkruar nga Traktati (i Berlinit). Ai varrosi kështu Ligjin Organik, zbatimi i të cilit do t’i kishte siguruar popujve të tij mirëbërjet e një administrate të rregullt dhe do të kishte ruajtur unitetin dhe autoritetin e Perandorisë. Të gjithë vëmendjen dhe rreptësinë e tij ai e përqendroi mbi shqiptarët, të cilëve u imponoi nën dhunën e armëve, sakrifikimin e territoreve të tyre dhe u shtypi çdo tentativë reforme dhe çdo shprehje lirie…
Shqiptarët, pasi përjetuan pikëllimin e copëtimit të pjesshëm që Europës ju duk me vend t’u impononte trojeve të tyre në emër të paqes së përgjithshme dhe të ekuilibrit ballkanik dhe pasi u përkundën me shpresat e gënjeshtërta që Komisioni Evropian shprehte nëpërmjet deklaratave dhe vendimeve të tij formale, pësojnë sot një zhgënjim të ashpër, duke menduar për fatin që ju rezervon dispozita e re e adoptuar nga dy prej Fuqive firmëtare të Traktatit të Berlinit, me aprovimin e Sulltanit.
Përpara se t’i hyjmë shtjellimit të përmbajtjes së ankesave të shqiptarëve, le të na lejohet shkurtimisht të kumtojmë historikun e Ligjit Organik të parashikuar nga neni 23 i Traktatit të Berlinit.
Turqia, pasi e pat përpunuar projektin e këtij ligji mbi përmbajtjen e të cilit komisionet lokale kishin shprehur në mënyrë të rregullt opinionin e tyre, Ministria e Jashtme, nëpërmjet qarkores së 20 prillit 1880, ftoi Fuqitë firmëtare të Traktatit të Berlinit t’u jepnin udhëzimet e nevojshme delegatëve të tyre që të binin dakord me Portën e Lartë dhe kolegët osmanë për t’u takuar sa më shpejt për të dhënë mendimin mbi këtë ligj, që veç kaq priste për të hyrë në fuqi…
Delegati anglez Lordi Fitzmaurice, i udhëhequr nga shpirti praktik që karakterizon racën e tij, u bë zëdhënësi i kolegëve të tjerë mbi këtë pikë. Duke dhënë si shembull trojet shqiptare, doket dhe nevojat e të cilave kishin nevojë për një administrim krejt të ndryshëm nga provincat e tjera, ai ngriti çështjen shqiptare, e cila u bë çështja kyç në bisedimet e Komisionit. Veçantia kombëtare e kësaj race, uniteti i saj territorial, e kaluara dhe e ardhmja e saj si dhe kushtet që do t’i siguronin një të ardhme më të mirë, qenë çështje që u shtruan dhe u diskutuan me interesin më të madh.
Lordi anglez
Lord Fitzmaurice u bë avokati më i zjarrtë i të drejtave dhe çështjes së shqiptarëve. Që gjatë takimit të parë që pati me Savas Pashën, ministrin e Jashtëm turk me origjinë greke, ai insistoi mbi nevojën dhe avantazhin që do të kishte për Perandorinë Osmane pasja parasysh e këtyre të drejtave. Ai shtoi se Shqipëria nuk ishte vetëm ajo çka nënkuptohej me këtë shprehje gjeografike, pra dy vilajetet e Shkodrës dhe të Janinës, por edhe territoret drejt Lindjes deri në vijën e maleve që ndajnë ujdhesat që përfundojnë në Adriatik dhe në detin Egje dhe që përmbledhin pjesën më të madhe të vilajetit të Manastirit dhe atë të Prishtinës në Kosovë drejt Verilindjes deri në Prishtinë dhe qytetin e Vranjës, siç tregohet në hartën e Kipertit, që konsiderohet në përgjithësi si favorizuese ndaj sllavëve dhe në hartën e Stanfordit, e përpiluar në favor të grekëve.
Më 22 korrik 1880, me anë të një letre dërguar Foreign Office, Lord Fitzmaurice nguli këmbë në opinionet e tij juridike dhe hodhi poshtë pretendimet e ngritura nga serbët mbi origjinën e banorëve të Mitrovicës dhe të Kosovës. Ai përsëriti se të gjitha hartat që kishte konsultuar dëshmonin për origjinën shqiptare dhe jo sllave të këtyre rajoneve, edhe pse këto zona në shek. XVII ishin banuar nga serbë dhe ishin integruar në Mbretërinë serbe, popullsia autoktone indigjene, siç e vërteton edhe Hahn, kishte qenë e përbërë nga shqiptarët, të shpronësuar prej serbëve gjatë sundimit të këtyre të fundit.
Pas përkufizimit të qartë dhe kategorik të territoreve shqiptarë, çështja e qenësisë së tyre politike u diskutua jo me më pak vendosmëri dhe kthjelltësi. Lord Fitzmaurice, i mbështetur nga qeveria e tij dhe i asistuar nga Lordi Goschen, asokohe ambasador i Jashtëzakonshëm pranë Sulltanit, nguli këmbë pranë kolegëve të tij që të njihej si i nevojshëm krijimi i një province të madhe të Shqipërisë, e ndarë në katër vilajete apo sanxhakë: të Shkodrës, të Janinës, të Kosovës dhe të Manastirit.
Kabineti i Saint James e aprovoi plotësisht mënyrën e të vepruarit të Lordit Fitzmaurice dhe pikëpamjet largpamëse të Lordit Goschen, të cilat janë paraqitur në mënyrë shumë kuptimplote në letrën që ky i fundit i dërgoi Lordit Granville, më 26 korrik 1880.
Pasi shprehu mirëkuptim të plotë ndaj mërisë së shqiptarëve të rebeluar, Zotëria e tij Lordi Goschen u shpreh me këto terma: «Kjo racë e moçme dhe e fisme po sheh sesi kombësia e racave të tjera fqinje gëzon mbrojtjen e Fuqive të ndryshme evropiane dhe sesi aspiratat e tyre po realizohen në kuadrin e ekzistencës së pavarur. Pa sesi bullgarët u emancipuan plotësisht në Bullgari dhe pjesërisht në Rumelinë Lindore. U ndërgjegjësua mbi dëshirën e zjarrtë të Europës për të çliruar nga zgjedha turke territoret e banuara nga grekët. Po sheh sesi sllavët në Mal të Zi po mbrohen me shumë këmbëngulje dhe entuziazëm nga perandoria e madhe sllave e Veriut*. Po kupton që Çështja Lindore po zgjidhet nëpërmjet parimit të kombësisë dhe që Gadishulli Ballkanik po ndahet gradualisht në disa raca mbi të njëjtin parim. Në këto kondita, ajo po kupton se është e vetmja që nuk po përfiton një trajtim të ngjashëm. Kombësia e saj nuk njihet dhe territoret e banuar nga shqiptarët në Veri mbahen në dispozicion të malazezëve, nën patronazhin e Rusisë, ndërsa ato në Jug në dispozicion të grekëve, nën patronazhin e Anglisë dhe të Francës».
Pas kësaj mbrojtjeje kaq të paanshme dhe të sinqertë, Lord Goschen shtjelloi avantazhet politike që një Shqipëri e fortë do t’i sillte së ardhmes dhe shtoi: «Nëse arrihet krijimi i një Shqipërie të fortë, në rast shpërbërjeje të Perandorisë Osmane nuk do të kishte më asnjë motiv pushtimi nga ana e një fuqie të huaj. Një Shqipëri e bashkuar do të pengonte kalimin nga veriu të sllavëve dhe do ta mbante Ballkanin në duart dhe autoritetin e popujve të tij. Në të kundërt, fuqia e shqiptarëve përbën një vështirësi të pakapërcyeshme në rast turbullirash. Një popullsi me shumicë myslimane do të ishte burim vështirësish të mëdha për rajonet sllave apo greke që e rrethojnë. Çmoj se mundësia e një ndërhyrjeje evropiane në Gadishullin Ballkanik do të zvogëlohej proporcionalisht me afirmimin e një kombësie shqiptare».
Me gjithë reagimin e rezervuar të delegatit rus dhe oponencën e delegatëve osmanë, opinioni i delegatit anglez u duk se i bindi komisarët e tjerë dhe Lord Fitzmaurice i dërgoi një njoftim Foreign Office, pa fshehur, megjithatë, dyshimet mbi qëndrimin e ardhshëm të Fuqive.
Në fakt, Austro-Hungaria ishte e para që i paraqiti ambasadorit anglez në Vjenë kundërshtitë e saj ndaj formimit të një Shqipërie të Madhe, e cila do të linte pakicën e popullsisë nën thonjtë e tiranisë së shumicës, që në këtë rast do të ishin myslimanët. Ajo shprehu dëshirën që Malësisë së Shkodrës, me një fjalë katolikëve, t’u jepej një administratë e veçantë dhe t’u garantohej mbajtja e privilegjeve ekzistuese. Franca, si mbrojtëse e katolicizmit mbështeti pikëpamjet austriake. Për pasojë, Komisioni u mjaftua me një rekomandim adresuar Portës, për të vënë në jetë një organizim të veçantë për pjesën e malësisë katolike, rekomandim që u redaktua nga delegatët e Austro-Hungarisë dhe të Francës…
Pasi firmosën projektin e Ligjit Organik, komisarët lëshuan dy deklarata, njëra prej të cilave kishte të bënte me Shqipërinë, deklaratë mbi të cilën delegati rus refuzoi të vinte firmën. Nënshkruesit e këtij dokumenti deklaronin se pranonin memorandumin e delegatëve të Austro-Hungarisë dhe të Francës mbi sanxhakun e Shkodrës dhe se shprehnin dëshirën që qeveria perandorake të kishte parasysh imunitetet e malësorëve, kur të zbatonte Rregulloren e re në territoret e tjera shqiptare. Ata shtonin se nuk do t’i kundërviheshin bashkimit të territoreve shqiptare në një vilajet të vetëm, nëse Perandoria Osmane do ta konsideronte të dobishme një gjë të tillë.
Komisari anglez duke përfituar nga objeksionet e komisarit rus mbi Shqipërinë shprehu dëshirën që kur të rifillonte punimet Komisioni i pajisur me detaje të tjera, të merrej më seriozisht me Çështjen Shqiptare. Ai bëri të ditur se këtë deklaratë e lëshonte me qëllim që shqiptarët të kuptonin se Fuqitë shfaqnin të njëjtin interes për ta si edhe për popullsitë e tjera dhe se ata nuk ishin indiferentë karshi fatit të Shqipërisë. Të gjithë delegatët e tjerë, përfshi edhe atë rus, deklaruan se ndanin të njëjtat ndjenja në raport me shqiptarët…
Shqiptarët
Veçse më kot shqiptarët dhe popullsitë e tjera shpresuan për 23 vjet rresht. E drejta i la vendin nazeve dhe zëri i ndërgjegjes publike heshti përballë mynxyrave të një personi. Pikërisht, mbështetur në kapriçot e një race nënkupto atë bullgare rrezik që Evropa liberale donte të evitonte me çdo çmim, dy Fuqi (nga gjashtë të implikuara) u morën vesh midis tyre për t’i imponuar Sulltanit formimin e një shteti, që i shkëpuste shqiptarëve treçerekun e territorit të tyre. Ata i fshihnin të gjithë popujve lindorë shpresën që kishin ushqyer ndaj fjalës së nderit dhe dashamirësisë së Evropës liberale.
Duke ndarë provincat perëndimore të Shqipërisë me kryeqytetin, ky formim shkëputi përfundimisht çdo lidhje dhe komunikim midis tyre. Duke i shkëputur Shqipërisë më shumë se gjysmën e popullsisë së saj dhe tre të katërtat e territorit dhe duke e rrudhur atë në një vend të vogël bregdetar me një kryeqendër midis Durrësit dhe Vlorës, që konsiston në një rrip toke prej vetëm 10 km të gjerë, qenësia kombëtare e Shqipërisë bëhet e pamundur. Këto janë faktet që revoltojnë shqiptarët…
Atë që shqiptarët po vërejnë me tmerr është se një fuqi e errët (sllave, gjermanike ose tjetër, pak rëndësi ka) po kërkon një rrugëdalje për ekspansionin e saj. Për t’u shtrirë deri në Egje dhe Adriatik, kjo Fuqi e konsideron të domosdoshme të kalojë mbi kufomën e Shqipërisë.
Shqiptarët nuk i kundërvihen vendosjes së një administrate të rregullt, mungesa e së cilës i rëndon atyre më shumë se kujtdo populli tjetër; Ata nuk i kundërvihen as reformave pa të cilat ekzistenca e tyre kombëtare nuk mund të sigurohet; ca më pak dëshirojnë zhdukjen e Perandorisë ndaj së cilës ndihen të lidhur për shumë arsye. Por, ata parapëlqejnë vdekjen më shumë se skllavërinë dhe në këtë kontekst janë gati të vdesin të gjithë për lirinë dhe kombësinë e tyre.
Me besim në drejtësinë e popujve të qytetëruar, vëllezër të parëlindur të të cilëve me krenari e mbajnë veten, ata kërkojnë ndihmën dhe mbështetjen e Fuqive të Mëdha, të cilave në bazë të parimeve të drejtësisë, të shpallura nga Traktati i Berlinit, me mbledhjen e Komisionit Ndërkombëtar, azhornuar pas përpunimit të Ligjit Organik, u jepet tashmë mundësia të rivendosin drejtësinë dhe paqen në Lindje.

 

Nga Fatmira Nikolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu