Itali, qëllohet me vezë makina e Berishës

0
784

ROMË – Një grup mbështetësish të Aleancës Kuqezi kanë qëlluar me vezë makinën në të cilën udhëtonte kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Qytetarët me flamuj kuqezi i janë afruar makinës së Berishës dhe ai fillimisht ka menduar se janë mbështetës të tij dhe i ka përshëndetur. Në këtë moment qytetarët kanë qëlluar makinën me vezë dhe eskorta pasi ka kuptuar se ishin protestues, ka shtuar shpejtësinë në kufij të frikshëm dhe është larguar nga vendi. Një banderolë e madhe ku shkruhej ‘Berisha tradhtar’, ishte në sfond të protestuesve, raporton gazeta “Tema”.

Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë AK. “Berisha është qëlluar me vezë dhe është pritur me fërshëllima”, thuhet në një komunikatë të Aleancës Kuqezi e cila shton se “Berisha është tradhtar dhe se meriton burg përjetë”.

Policia italiane ka ndërhyrë duke shpërndarë simpatizantët e AK-së por ndryshe nga ngjarja që ndodhi në Tiranë, këtë herë nuk është shoqëruar asnjë person nga policia.

13 policë të komisariatit numër 1 në Tiranë u pezulluan nga puna, për shkak se ish-të përndjekur politikë arritën të qëllonin me qese mielli makinën e kryeministrit Sali Berisha teksa hynte në ambientet e parlamentit.

Kryeministri Berisha gjendet sot në Romë, për të marrë pjesë në Samitin e partive evropiane të qendrës së djathtë. Gjatë samitit, ndër takimet e krerëve të partive, sipas medieve greke, do të ketë edhe një takim mes kryetarit të PD-së dhe kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe kreut të partisë “Demokracia e Re”, njëkohësisht edhe kryeministër i Greqisë, Antonis Samaras.

 

Shekulli Online

F.Stafa

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu