Trupi gjykues ndërkombëtar i Gjykatës Themelore të Mitrovicës ka liruar të premten nga paraburgimi dhe ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për Oliver Ivanoviqin dhe Dragan Delibashiqin, të cilët bashkë edhe me tre serbë të tjerë, Ilija e Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandër Llazoviq, ngarkohen për vrasje të civilëve shqiptarë gjatë luftës, të kryera në prillin e vitit 1999 në rrugën e “Kovaçëve” në Mitrovicë dhe për vrasje, plagosje, keqtrajtim dhe dëbimin e mbi 12 mijë shqiptarëve nga veriu i qytetit, vepra të kryera me 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000.
Avokati i Ivanoviqit, Miodrag Bërklaq, ka konfirmuar se krahas ndryshimit të masës së arrestit, nga paraburgimi në arrest shtëpiak, Ivanoviqit e Delibashiqit u ndalohet t’u afrohen dëshmitarëve, ndërsa janë obliguar që t’i dorëzojnë edhe dokumentet e udhëtimit (pasaportat).
Bërklaq ka deklaruar se nuk është aspak i befasuar me këtë vendim të trupit gjykues, ndërsa supozon se arsyeja kryesore e këtij vendimi të Gjykatës është fakti se janë dëgjuar të gjithë dëshmitarët.
“Gjykata e EULEX-it në Mitrovicë më ka njoftuar dhe më ka konfirmuar se është miratuar kërkesa e mbrojtjes dhe se Gjykata ka marrë vendimin që nga sot (e premte), nga momenti i dorëzimit të vendimit do të zbatohet masa e arrestit shtëpiak për Ivanoviqin dhe Delibashiqin. Masa tjetër është ndalimi që t’u afrohen dëshmitarëve, ndërsa masa e tretë është që ata duhet t’i dorëzojnë dokumentet e udhëtimit”, ka sqaruar Bërklaq vendimin e trupit gjykues.
Ai u shpreh me bindje se që nga mbrëmja e së premtes, Delibashiq dhe Ivanoviq do të ndodhen në arrest në shtëpitë e tyre. “Arresti shtëpiak nuk është asgjë tjetër përveçse paraburgim gjyqësor që mbahet në një vend tjetër”, ka shpjeguar Bërklaq.