Ivanoviq: Jemi takuar me Thaçin e Rexhepin

0
704

Kryetari i të ashtuquajturit Këshill Nacional Serb, Millan Ivanoviq, ka thënë se serbët e veriut të Mitrovicës janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe me ministrin aktual të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në Qendrën Spitalore në veri të Mitrovicës. Në një deklaratë për mjetet lokale serbe të informimit në Mitrovicë, Ivanoviq nuk ka precizuar se kur ka ndodhur takimi, por ka sqaruar se është biseduar për shëndetësinë.

“Me përfaqësuesit e UNMIK-ut ishin në vizitë Qendrës Shëndetësore në veri të Mitrovicës. Kemi biseduar për çështje në shëndetësi. Ata (përfaqësuesit e UNMIK-ut) kanë insistuar që të sjellin punëtorë shëndetësorë shqiptarë në spitalin në veri. Ne kemi insistuar në simetri dhe reciprocitet, që në 20 spitale të mbetura të kthehen punëtorët shëndetësorë serbë. Bisedimet janë zhvilluar me përfaqësuesin e UNMIK-ut, ndërsa Thaçi dhe Rexhepi kanë ardhur pa i ftuar. Në ato rrethana, e në prani të truprojave të armatosura të Thaçit, të cilët më vonë janë larguar me insistimin tonë, nuk i kemi shtrënguar duart, e as nuk ka pasur prezantim”, tha Ivanoviq, i cili njëkohësisht është mjek në Qendrën Spitalore në veri të Mitrovicës.

Një prej liderëve më ekstremist serbë në veri të Mitrovicës, Millan Ivanoiq, është përqendruar edhe te dialogu që do të pasojë në mes të Kosovës dhe Serbisë. “Deri me tani nuk kemi marrë pjesë në hartimin e platformës, kështu që nuk kemi të dhëna, përveç informacioneve të cilat i dëgjojnë nëpërmes medieve. Se çfarë do të ketë në këtë platformë për bisedimet, ne nuk dimë”, ka thënë Ivanoviq, i cili ka shtuar se me e rëndësishmja është që të arrihet unitet për platformën dhe nëse ajo është në pajtim me Kushtetutën e Serbisë dhe Rezolutën 1244, atëherë mund të vije deri të mbrojtja e interesave të serbëve.

Ndërsa sa i përket takimit Thaçi-Daçiq, Ivanoviq mendon se deri te ky takim ka ardhur nën presionin e madh që i është bërë Serbisë.

“Ne në këto momente jemi shpallur homofobistë, racistë, kërcënohen se do të na marrin regjimin pa viza, kështu që presionet janë të mëdha. Supozojmë se kryeministri i Serbisë, nën këto presione ka pranuar konsultimet, sepse bisedime nuk ka pasur, ndërkohë që akoma nuk ka platformë të Serbisë për bisedime”, ka nënvizuar ai, i cili ka shtuar, se po te ishte ai në vend të Daçiqit, nuk do ta pranonte një takim të tillë.

“Sikur unë të pyetesha dhe po të ndodhesha në një pozitë të tillë, do të insistoja që të bisedohet në prani të përfaqësuesve të OKB-së, krejt në përputhje me Rezolutën 1244, kështu që bisedimet në prani të znj. Cathine Ashton dhe përfaqësuesve të cilët janë mentorët kryesorë të pavarësisë së Kosovës, nuk do sjellin zgjidhje të drejtë”, tha kryetari i të ashtuquajturit Këshill Nacionl Serb, duke siguruar se bisedimet direkte të përfaqësuesve të serbëve të veriut të Kosovës me ata të Prishtinës, janë të pamundshme.

“Ne, këtu jemi zgjedhur në mënyrë legjitime në zgjedhjet në të cilat kanë marrë pjesë subjektet më të mëdha politike, ndryshe nga institucionet në jug të Ibrit, andaj unë nuk mund ta pranoj legjitimitetin dhe legalitetin e tyre. Ne duam që të bisedojmë me Prishtinën në kuadër të ekipit, i cili do të formohet nga organet tona të shtetit dhe nga qytetarët tanë, me kryeministrin dhe presidentin serb”, konstatoi ai, duke ripërsëritur, se marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve, ka cenuar interesat vitale të Serbisë.

“Me këtë marrëveshje kemi doganierët shqiptarë brenda Serbisë së pandarë. Pos kësaj kemi kufirin aty ku nuk e duam, andaj nuk kemi kurfar arsyeje që në këtë mënyrë ta pranojmë shtetin e vetëshpallur të Republikës së Kosovës. Kështu ne detyrohemi të heqim dorë nga dokumentet dhe identiteti ynë”, tërhoqi vërejtjen Ivanoviq, i cili ka shtuar se i kupton plotësisht serbët në jug, por jo edhe politikanët që kanë hyrë në institucionet kosovare.

“Sikur ata të punonim si kemi punuar ne, sot të kishim më shumë veri të Kosovës, e jo serbë, të cilët detyrohen që me letërnjoftime dhe me targa të Republikës së Kosovës të lëvizin nëpër Kosovë. Sikur të punon si ne, atëherë bashkësia ndërkombëtare do të detyrohej në zgjidhje tjera”, ka vlerësuar Ivanoviq, i cili ka pohuar se që nga formimi i shtetit të Kosovës, serbët në jug të Ibrit asnjëherë nuk kanë qenë në gjendje më të rëndë.

“Është e qartë se disa përfaqësues janë lobuar nga ana e Prishtinës dhe nën këtë ndikim kanë pranuar dhe kanë shkuar linjës së kundërshtimit më të vogël. Ata nuk kanë luftuar për interesat tona esenciale, kështu që ka ardhur deri te pozita e rëndë e serbëve në jug të Ibrit. Serbët në jug nuk është dashur t’i pranojnë zgjedhjet, asnjë nga partitë e mëdha në Serbi nuk ka rekomanduar dalje në zgjedhje, përveç disa që janë stimuluar nga Prishtina dhe të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare”, ka përfunduar Ivanoviq.

 

Nga Kajtaz Gecaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu