Izraeli, Irani dhe beteja për bombën

0
802

Dymbëdhjetë orë janë një kohë shumë e gjatë për qëndrueshmëri të sportistëve derisa ata dënojnë trupat e tyre, duke e shtyrë veten në kufirin më të largët në ngjarje siç janë triatlonet ose garat me biçikleta malore. Dymbëdhjetë orë është gjithashtu një kohë shumë e gjatë për politikanët, të cilët veprojnë nën trysninë e një ultimatumi, për të parandaluar një luftë e cila do të thoshte vdekje të pashmangshme të një numri të madh të njerëzve. Në vitin 1914, rajhu gjerman i dha Rusisë 12 orë kohë për të ndërprerë mobilizimin e trupave të saj. Në vitin 1956, Franca dhe Britania i dhanë presidentit të atëhershëm të Egjiptit Gamal Naserit sasinë e njëjtë kohore për të tërhequr trupat e tij nga Kanali i Suezit, të cilin sapo e kishte nacionalizuar dhe t’i lejojë Izraelit ta shfrytëzojë përsëri atë udhë ujore. Një luftë pasoi në të dyja rastet, pjesërisht për shkak se ata të cilët kishin kërcënuar se do të përdornin forcën ushtarake e dinin që do të ishte pothuajse e pamundur që të plotësohen kërkesat e tyre aq shpejt. Me fjalë të tjera, ato donin që të eskalojë situata. Një sulm izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit gjithashtu do të përfshinte një ultimatum 12-orësh.

Siguria e Izraelit

Sipas burimeve informative në Tel Aviv, politikanët izraelitë i kanë thënë Martin Dempzit, kreut ushtarak amerikan, se lidershipi izraelit do që t’i japë Shtëpisë së Bardhë vetëm një paralajmërim prej gjysmë dite kur do të ketë vendosur që të vazhdojë me sulm ushtarak. Me fjalë të tjera, Izraeli do që të jetë i sigurt për dy gjëra: në njërën anë, që presidenti amerikan Barak Obama të mos befasohet nga sulmi i mundshëm, ndërsa në anën tjetër që ai të mos jetë në pozitë që të merret seriozisht me vendimin e aleatit të tij dhe ta anulojë atë përmes përpjekjeve diplomatike. A është kjo mënyra se si një shtet duhet të trajtojë aleatin e tij më të rëndësishëm? A është kjo mënyra se si duhet t’i bëhet trysni vetë fuqisë prej vullnetit të mirë të së cilës varet? Diskutimi lidhur me mundësinë që Irani të bindet të heqë dorë nga programet bërthamore përmes diplomacisë dhe sanksioneve apo vetëm përmes një sulmi ushtarak do të jetë çështja dominuese në Uashington gjatë kësaj jave.

Tashmë në telashe

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu do të takohet me Barak Obamën, njeriun më të fuqishëm në botë dhe njeriun të cilin Netanjahu e ka poshtëruar shpesh në të kaluarën me sjelljet e tij. Këta dy liderë të pabarabartë, të cilët qartë nuk pëlqejnë njëri-tjetrin, planifikojnë të flasin për luftën dhe paqen, dhe për një rajon i cili tashmë është në telashe. Natyrisht që takimi, i cili tashmë përshkruhet si historik para se të ndodhë, ka të bëjë me Iranin. Mbi të gjitha, megjithatë, do të jetë një bisedim mes Izraelit dhe SHBA-së, shtete këto të cilat kanë mendime krejtësisht të ndryshme në debatin lidhur me mundësinë e Teheranit për zhvillim të armëve bërthamore. Obama nuk do që Irani të bëhet me bombë, por ai gjithashtu nuk do luftë. Netanjahu, në anën tjetër, është i gatshëm të bëjë gjithçka për t’ia treguar vendin ku përket Teherani. Ai do të kërkojë nga presidenti amerikan që të marrë një qëndrim më të ashpër ndaj Iranit. Këmbëngulja e Obamës që “të gjitha mundësitë janë në tavolinë” tanimë nuk po i mjafton Izraelit. Netanjahu do që Obama të vendosë letrat e tij në tavolinë. Ai do që Obama qartë të identifikojë ‘linjën e kuqe’ të cilën do të duhet ta kalojë Irani për pjesëmarrje amerikane në një sulm ushtarak ose së paku të mbështesë një sulm nga ana izraelite, ose t’i tregojë atij nëse Izraeli në fund do të jetë i vetëm nëse vendosë të bombardojë objektet bërthamore të Iranit. Në intervistat para këtij takimi, Obama tashmë kë konfirmuar se ai do ta mbështesë Izraelin dhe se do të udhëzojë ushtrinë amerikane që ta shkatërrojë programin bërthamor të Iranit nëse kjo gjë bëhet e nevojshme. “Unë nuk blofoj”, tërhoqi vërejtjen ai. Ende nuk ekziston ndonjë dëshmi absolute se Teherani në fakt është duke e zhvilluar një bombë. Madje edhe agjencia vëzhguese bërthamore e OKB-së, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (ANEA) me seli në Vjenë, nuk ka qenë në gjendje të gjejë dëshmi të tillë. Ekzistojnë disa indikatorë mbi të cilët ANEA bazon supozimet e saj, dhe përfshirë një numër të observimeve nga inspektorët e kësaj agjencie, si dhe nga raportet të cilat i janë dërguar agjencisë nga disa agjenci individuale të informatave. Bazuar në këto informata, ANEA vjen në përfundim se nuk mundet të përjashtojë mundësinë të programi bërthamor iranian ka një “dimension ushtarak”.

 

/Der Spiegel/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu