Ja çfarë po kurdisin naftëtarët me Qeverinë e Isa Mustafës

0
977

Isa mustafovski

Naftëtarët kanë refuzuar e qëndruar më së gjati jashtë procesit të fiskalizimit. Ata po tentojnë të hyjnë vetë në tregun e shitjes së arkave fiskale. Express sjell rrëfimin për kompaninë që është në proces licencimi për të shitur arka fiskale, lidhje që shkon deri te zyrtarët më të lartë të LDK’së që drejton Qeverinë dhe Ministrinë e Financave

Sektori i naftës pati dalë si më problematiku në procesin e fiskalizimit – deklarimin e të hyrave në baza të rregullta për ta dhënë tatimin për arkën e shtetit. Një kohë patën refuzuar fuqishëm, një hap që deri tash ka shtyrë konsiderueshëm nxjerrjen e tatimit të këtij sektori, që për kryetar e ka kandidatin e LDK’së për deputet, Fadil Berjani.

Express mëson se për procesin e fiskalizimit, përmes kësaj lidhje naftëtarët po tentojnë të fusin në treg së paku edhe një kompani për shitjen e arkave fiskale. Deri tash kanë qenë katër kompani në garë, derisa në proces licencimi në Ministrinë e Financave (MF) dhe institucionet që i kontrollon kjo ministri (siç është Administrata Tatimore e Kosovës-ATK), derisa kjo ministri po ashtu drejtohet nga LDK’ja, nga Avdullah Hoti.

ATK’ja ka konfirmuar për Express se Komisionit për Arka Fiskale në MF ka pranuar aplikacionet e dy kompanive dhe ato janë “Service Global EU, Sh.P.K”, dhe “N.T. Global Trade”, ndërsa procesi i vlerësimit dhe licencimit nuk ka përfunduar. “N.T. Global Trade”, është në pronësi të Avni Hasanit nga Ferizaj.

Siç merr vesh Express, kompania “Service Global EU, Sh.P.K” është lidhja që naftëtarët dhe LDK’ja duan ta përdorin për të kontrolluar fiskalizimin e bizneseve të naftës.

“Service Global EU” është regjistruar në prill të viti të kaluar në Ministrinë e Tregtisë si biznes dhe është në pronësi të Jakup Gashit, Jashar Gjokes e Fehmi Avdiut. I pari (Jakup Gashi) nënshkruhet në media dhe si pronar i biznesit “Sierra-Lab” që operon si laborator për cilësinë e naftës, biznes ky që tash nuk është i regjistruar në emër të tij, por të Ejup Gashit.

Express ka marr një konfirmim nga Laboratori për testim teknik në Fakultetin Teknik të UP’së (përgjegjës për dhënien e certifikatës për arkat fiskale para licencimit) se ky biznes ka pasur së paku një takim në këtë institucion.

Gazeta Express merr vesh se në ditën e takimit në këtë laborator, në procesverbal u nënshkruan pos Jakup Gashit edhe Fadil Beriani dhe biznesmeni Ardian Muqkurtaj, pronar i biznesit “Infotech”. Në këtë laborator Express nuk është lejuar që t’i shohë procesverbalet, derisa drejtuesit e tij përmes postës elektronike nuk kanë mohuar këtë përbërje të ekipit në këtë vizitë.

Këta zyrtarë nuk kanë mohuar as që në këtë përbërje ishte Alber Hajrizaj, një biznesmen pronar i “SMARTTECH” SH.P.K. dhe i “Zaslon Kosova” L.L.C. dhe në të njëjtën kohë, edhe menaxher në ATK, që po ashtu përmes një lidhje familjare është i lidhur me biznesmenin tjetër (pjesë e procesverbalit), Ardian Muqkurtaj.

“Për ndërlidhjen e një zyrtari brenda ATK-së në procesin në fjalë, Administrata Tatimore do të trajtoj brenda procedurave ligjore të konfliktit të interesit siç është e përcaktuar për këto raste, nëse një kompani e tillë licencohet dhe vërtetohet konflikti i interesit”, thuhet në përgjigjet e ATK’së për Express.

Krejt kjo e bënë situatën një konflikt potencial të interesit, por në ATK nuk kanë komentuar drejtpërsëdrejti nëse ka konflikt interesi, por kanë thënë që do ta shmangin atë nëse ekziston.

“Lidhur me çështjen e konfliktit të interesit për marrje pjesë në procesin e fiskalizimit nga ana e naftëtarëve, ajo që është në përgjegjësi dhe në kompetencë të ATK-së dhe organi kompetent për licencimin dhe certifikimin do të bazohet në rregullativen ligjore për tu shmangur çdo konflikt interesi, në harmoni të plotë me dispozitat ligjore”, thuhet në përgjigjet e ATK’së për Express.

Express ka provuar që të marrë dhe një koment nga biznesmeni lider i “Service Global EU, Sh.P.K”, Jakup Gashi, por i njëjti ende nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Në anën tjetër, biznesmeni dhe kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani nuk e mohon që është pjesë e takimit ku “Service Global EU, Sh.P.K” nisi procedurat për licencim teknik të arkave në Fakultetin Teknik.

“Unë isha si përfaqësues i naftëtarëve në atë takim”, tha Berjani në një prononcim për Express përmes telefonit.

Express kohë më parë ka raportuar që ekziston një lidhje që po e mban të lartë çmimin e naftës në Kosovë, dhe që shpjegon mos-ndërhyrjen e Qeveris së Isa Mustafës për këtë gjë, pasi që në këtë lidhje qëndron Fadil Berjani që udhëheq Shoqatën e Naftëtarëve të Kosovës, një grumbull biznesesh që më shumë se shoqatë mund të quhen kartel.

Siç pati shkruar Express, çmimet e naftës në Kosovë janë më të shtrenjtat në regjion dhe për më shumë janë gati të njëjta te të gjitha bizneset, që çon në dyshimin se bizneset e naftës, që për kryetar e kanë Berjanin, kanë një marrëveshje për çmimet – diçka për të cilën në të kaluarën janë hetuar nga Komisioni Kosovar i Konkurrencës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu