Ja çka thoshte Hashim Thaçi më 23 prill të vitit të kaluar për Gjykatën Speciale (DOKUMENT)

0
809

Hasha

Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi para më shumë se një viti, saktësisht në seancën e 23 prillit të vitit të kaluar, kur iu dha drita jeshile formimit të Gjykatës Speciale kishte deklaruar ndër të tjera se Gjykata Speciale selinë kryesore do ta ketë në Kosovë, derisa do ta ketë edhe një dhomë të veçantë, në ndonjë shtet të Bashkimit Evropian.

Madje, ai para deputetëve të Kuvendit të Kosovës kishte deklaruar se Qeveria e Kosovës kishte kërkuar që selia e kësaj gjykate të jetë në vendin tonë, mirëpo sipas tij, miqtë ndërkombëtarë nuk ishin pajtuar, dhe si kompromis ishte arritur që kjo gjykatë t’i ketë dy dhoma, raporton gazeta Blic.

Mirëpo, tani pas një viti, sipas asaj që kanë raportuar mediet, kjo Gjykatë nuk do të ketë seli në Kosovë, por do të jetë jashtë Kosovës. Madje, Qeveria e Kosovës ka nxjerrë një projektligj, përmes të cilit parasheh financimin e shpenzimeve të të akuzuarve potencial dhe familjeve të tyre, në udhëtimet që i bëjnë për t’i vizituar të afërmit.

Mirëpo, të premten e kaluar, Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi ndryshimin kushtetues të propozuar nga qeveria, mbi bazën e të cilit pastaj do të themelohej Gjykata Speciale, raporton Gazeta Blic.

Opozita në vazhdimësi e ka kritikuar Qeverinë se është ikur nga letër – këmbimi i presidentes Jahjaga me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Ashton, për ristrukturimin e mandatit të EULEX-it dhe për themelimin e Gjykatës Speciale.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj madje ka akuzuar ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi për dallavere me këtë gjykatë, pikërisht duke u bazuar në këto argumente.

KËTU GJENI TË PLOTË TRANSKRIPTIN E SEANCË SË 23 PRILLIT 2014, KU IU HAP RRUGA THEMELIMIT TË GJYKATË SPECIALE

Gazeta Blic në vazhdim ua sjell një pjesë të fjalimit të Hashim Thaçit të mbajtur para deputetëve më 23 prill të vitit 2014, kur edhe u miratua ky letërkëmbim, që i hapi rrugë ndryshimeve kushtetuese, për themelimin e Gjykatës Speciale.

Qytetarët e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar luftë çlirimtare për çlirimin e Kosovës nga okupimi i regjimit të Slobodan Milosheviqit. 9 Lufta jonë ka qenë e drejtë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare të luftës. Pikërisht për shkak të kësaj, ne jemi ndihmuar edhe nga shtetet aleate të NATO-s dhe kemi arritur të fitojmë luftën.

Ne nuk kemi bërë luftë pushtuese, por çlirimtare. Kosova nuk ka qenë dhe nuk është boshti i së keqes në Ballkan. Dihet shumë mirë, dhe ju e dini shumë mirë se si është përgatitur raporti i Dik Martit. Dihet shumë mirë se kush e ka financuar dhe për çfarë arsye është bërë. Po ashtu është e qartë se lidhur me pretendimet e raportit të Dik Martit janë bërë disa herë hetime ndërkombëtare, të cilat i kanë hedhur poshtë ato pretendime. Janë zhvilluar edhe gjykime ndaj figurave të shquara të UÇK-së, dhe është dëshmuar pafajësia.

Ne e kemi pranuar formimin e Task-Forcës së Bashkimit Evropian apo SITF-it për të hetuar lidhur me pretendimet e raportit të Dik Martit dhe krejt kjo është bërë nën ombrellën e Bashkimit Evropian, saktësisht të EULEX-it. Institucionet e Kosovës, konkretisht Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë tërësisht e përjashtuar nga puna e task-forcës. Tani institucionet e Kosovës janë të ballafaquara me një imponim krejtësisht jo të ndershëm dhe jo të drejtë nga bashkësia ndërkombëtare. Kërkohet nga ne të nxjerrim ligje të veçanta, bile ta ndërrojmë edhe Kushtetutën e Kosovës, vetëm e vetëm që të mundësojmë krijimin e një gjykate speciale, e cila do të gjykojë ndonjë rast të mundshëm, i cili mund të rezultojë nga hetimi i SITF-it lidhur me pretendimet e Dik Martit.

Është një gjë shumë e vështirë, e cila do të rëndojë në ndërgjegjen tonë derisa të jemi gjallë për secilin nga ne. Por, ndërgjegjja jonë do të mbetet e njollosur në rast se ne nuk i japim përgjigje adekuate kërkesës së BE-së dhe SHBA-së për themelimin e gjykatës speciale për t’i trajtuar pretendimet për pretendimet e ngritura të raportit të Dik Martit, i miratuar nga Këshilli i Evropës në vitin 2010. Të nderuar deputetë, Ne, sa herë kemi qenë së bashku në momente të vështira, si lidership kosovar, gjithmonë kemi dalë faqebardhë. Kemi ditur ta gjejmë rrugën e duhur për të ecur përpara. Unë kam besim se përsëri do të jemi në gjendje ta bëjmë të njëjtën rrugë dhe ta marrim vendimin e përbashkët si Parlament i Kosovës.

Dje, Qeveria e Kosovës e ka aprovuar Projektligjin për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. 10 Besoj se partnerët tanë që i kemi pasur në krah në ditët më të vështira, pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, do të jenë përsëri në anën e drejtë, dhe do ta ndihmojnë Kosovën për ta pastruar këtë barrë të madhe që i është vënë në shpinë, krejt padrejtësisht. Në të njëjtën kohë, nuk do të lejojmë rishkrimin e historisë. Nuk do të lejojmë njollosjen e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne duhet ta ruajmë, deputetë të nderuar, besimin e plotë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian sepse jemi zotuar t’i ndajmë të njëjtat vlera humane dhe civilizuese.

Fundja, ne e kemi vetëm një synim, integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO, dhe miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo nuk ka alternativë. Për ta arritur këtë objektiv, ne duhet ta kalojmë këtë sfidë të padrejtë të radhës, duhet ta kalojmë bashkërisht. Duhet ta pastrojmë emrin e Kosovës nga pretendimet e bëra të padrejta në raportin e Dik Martit. Dhe, sot nuk kemi shumë opsione.

Në fakt, e kemi vetëm një opsion dhe ai është që të bashkëpunojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe ta formojmë këtë gjykatë speciale, e cila do të jetë nën juridiksionin e Kosovës, dhe një seli do ta ketë në Kosovë dhe një tjetër jashtë Kosovës, ku do të zhvillohen procedura të ndjeshme që ndërlidhen me dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur. Ky është opsioni i vetëm, deputetë të nderuar, i cili është shumë i vështirë, por ky opsion na mundëson që gjykata të funksionojë me ligjet e Kosovës dhe në partneritet me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Opsioni i dytë, të nderuar deputetë, qytetarë të Republikës së Kosovës, të cilin nuk duhet as ta marrim në konsiderim fare, është ai që të refuzojmë themelimin e kësaj gjykate. Refuzimi eventual i themelimit të gjykatës nga Kuvendi i Kosovës, përpos që do të forconte dyshimet se Kosova po pretendon ta pengojë dhe ta fshehë verifikimin e pretendimeve që përmban raporti, kjo do të kishte pasoja tjera të rënda politike për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Një veprim yni i tillë negativ eventual do t’i mundësonte Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që në mungesë të vetos nga shtetet mike të Kosovës ta miratojë një rezolutë për Kosovën për themelimin e një tribunali ndërkombëtar për Kosovën nën ombrellën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të gjykuar pretendimet e Dik Martit. Një e tillë do të kishte pasoja historike për Kosovën dhe për imazhin e saj në arenën ndërkombëtare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu