Ja pse Serbia kërkon hise në Liqenin e Ujmanit

0
1135

Liqeni i Ujmanit

Liqeni shtrihet në dy shtete; atë të Kosovës dhe Serbisë. Por serbët nuk mjaftohen me pjesën që u takon. Kërkojnë hise edhe për pjesën tjetër të Kosovës.

Për këtë arsye insistojnë që Ujmani të jetë pjesë e negociatave në Bruksel. Ky liqen me një sipërfaqe prej 11.9 km², cilësohet si një pasuri e madhe që ka Kosova. Dikur ai ofronte mundësi për të gjithë, por tash janë vetëm serbët ata që e shfrytëzojnë. Megjithatë, Ujmani ruan bukuritë që i ka.

Liqeni i Ujmanit shtrihet në veriperëndim të Kosovës dhe andej kufirit me Serbinë. Me një sipërfaqe prej 11,9 km² dhe thellësinë maksimale prej 105 metrash, ky liqen është më i madhi në Kosovë. Limani që ndodhet në Komunën e Zubim Potokut, Hidrocentrali dhe Trafostacioni në Vallaç, aktualisht kontrollohen nga serbët e veriut të Mitrovicës.

Liqeni furnizon me ujë më shumë se gjysmën e Kosovës dhe 20 mijë hektarë tokë, e gjithashtu ofron mundësi të mira për not, ecje si dhe për plazhe.

Kjo pjesë është shfrytëzuar para luftës nga qytetarët për ecje, piknik, plazhe si dhe për peshkim.

Por kushtet për të vizituar tani këtë vend dhe bukuritë që ofron janë të kufizuara për shkak të mungesë së sigurisë. Për serbët këtu ende janë të padëshiruara targat e Republikës së Kosovës
Ndër bukuritë që ka kjo pjesë është edhe vendi i quajtur Veli Breg. Aty ende ekzistojnë vilat në të cilat më herët janë shfrytëzuar për pushime.

Profesori Nexhmedin Spahiu, thotë se përveç se ky Liqen gjendet në territorin e Kosovës, pjesa më e madhe tij gjendet në pronat e Hasan Prishtinës

Liqeni i Ujmanit është ndër pasuritë më të mëdha të Kosovës. Vetëm 8 orë mund të punojë Korporata Energjetike e Kosovës pa ujin që e merr këtu.

Në rast të ndërprerjes së ujit i cili shërben për sistemet e ftohjes dhe avullimit në termocentralet elektrike, vendi do të përballet me një kolaps energjetik.

Akumulimi i Gazivodës është ndërtuar nga viti 1973 deri më 1977, duke iu zënë gryka lumit Ibër. Më 29 prill të vitit 2013 Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për ujërat në të cilin thuhet se resurset ujore janë interes i përgjithshëm dhe janë pasuri të Republikës së Kosovës që ruhen e mbrohen me ligj. /rtk/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu