Ja sa para i morën haraç Vitakut, personat që janë thirrur në emër të komandant Remit e Latës

0
628

Vitaku

Ekskluzivisht për emisionin “Puls” të KTV-së, për herë të parë në Kosovë del haptas afaristi Eroll Vitaku dhe flet se si ka paguar haraç, kujt i paguar dhe në emër të kujt ka paguar haraç.
Vitaku është përfaqësues i markës sportive “Asiks” për Kosovë dhe Shqipëri i cili zhvillon këtë veprimtari prej vitit 2003 në pallatin e rinisë në Prishtinë dhe Mitrovicë.

“Unë jam sulmuar nga një grup i përbërë nga Artan Ratkoceri, jurist sipas tij, djali i axhës së tij Shkumbin Ratkoceri, jurist, i cili ka pasur edhe foto në Facebook që ka qenë kandidat për Asamblenë komunale me numër 23 të PDK-së për Komunën e Podujevës. Këta dy janë arrestuar, por jam sulmuar edhe nga dy persona tjerë që për çudi janë ende në arrati. Jam sulmuar në mes të Pallatit të Rinisë në kafiterinë ‘Blu Sky’”, thotë Vitaku në “Puls”, transmeton Koha.net.

“Për lokalin të cilin e kam me qira në Pallatin e Rinisë, qiranë ia paguaj Pallatit të Rinisë. Por, kur e kam marrë me qira, e kam marrë nga ish-qiraxhiu i cili më tha se ky lokal është i Artanit, pra do të paguash qira mbi qira – pra, haraç të legalizuar. Kam edhe dokumente e kontrata. Unë kam pranuar me marrëveshje që vetëm dy vjet të paguaj haraç, mirëpo pas dy ose tri vjetëve të ndalet kjo formë e pagesës dhe të kaloj në shitblerje të së drejtës. Ai e ka bërë këtë kontratë tek avokati, e ka përpiluar dhe vërtetuar tek avokati Visar Vehapi”, tregon më tej Vitaku.

“Kompania ime ‘ErviSport’ paguan 2050 euro në muaj, kurse Artanit, sipas kësaj kontrate, i detyrohem në avans 10500 euro në vit apo 875 euro në muaj. Pra, tri vite kam paguar sipas kësaj marrëveshjeje, pavarësisht se e kam ditë që nuk është në rregull kjo me bindjen se kjo do të përfundojë. Deri në vitin e kaluar qëndrova disi, por kriza e bëri të veten dhe nuk kisha mundësi të paguaja më. E paralajmërova që vitin 2015 nuk paguaj më”, rrëfen më tej afaristi Vitaku.

“Shtatë vjet kam paguar në këtë formë. Tre vitet e para i kam paguar nga 10500 euro në vit, dy vite tjera nga 8500 euro në vit, një vit 7500 dhe vitin e fundit 7200 euro, që i bie komplet 63200 euro të paguara në emër të harçit të legalizuar”, tregon në emisionin “Puls”, Eroll Vitaku.

Ndërkaq, akuzat më të fuqishme që vijnë nga ai kanë të bëjnë me emrat që ai i përmend kur pyetet se në emër të kujt e ka paguar këtë haraç.

“Këta djem janë thirrur gjithmonë në emër të Komandant Remit dhe Komandant Latif Gashit, pra dy deputetëve, dhe thirren në emër të luftës së UÇK-së. Unë besoj se edhe ata persona në emër të të cilëve thirren këta, janë lodhur nga këta persona që kërkojnë haraç. Më kanë kërcënuar, më janë futur në lokal duke më kërcënuar. Për këtë lloj krimi thirren në emër të dikujt apo të UÇK-së. Po ashtu, ai ka ardhur dhe më ka kërcënuar duke thënë se ‘unë kam luftuar për këtë lokal, pyeteni Enver Gashin, pronarin e butikut ‘Çarlli’. Dy plumba i ka nga unë. Vete si ka kaluar dhe jam në gjendje me vra dikë për këtë lokal’. Krejt Kosova e din që në Pallat të Rinisë ka qira mbi qira. Unë mendoj se mbi 50 për qind të afaristëve paguajnë haraç, edhe në Pallat të Rinisë, por edhe në krejt Kosovën. Këtë vet ma kanë thënë në telefon shumë afaristë, pasi jam sulmuar, por kanë frikë të dalin e të denoncojnë. Dikush e tregon e dikush nuk e tregon. Unë kam pranuar të dal i pari publikisht në emisionin tuaj se ka ardhur fundi më me këto krime dhe duhet të ndalen këto gjëra ndaj afaristëve dhe afaristët të denoncojnë këto haptas të gjithë”, thotë Eroll Vitaku.

i rrahur deri ne vdekje

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu