Ish kreu i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Bashkim Smakaj, i cili u detyrua të dorëhiqej pas skandaleve të vazhdueshme, kishte plane të mëdha!
Burime brenda AKI-së thonë se Smakaj, bashkë me disa besnikë të tij brenda AKI-së kërkonin futjen nën kontroll të gjithë sistemit të sigurisë në vend.
Këto burime thonë se ish drejtori i AKI-së dhe njerëzit e tij gjatë procesit të verifikimit në Policinë e Kosovës kishin montuar verifikime negative për shumë zyrtarë të lartë të Policisë.
Kjo, thonë këto burime, ishte bërë me qëllim që ish kolegët e Smakajt gjatë kohës sa ishte në Policinë e Kosovës, të rehatoheshin në pozita të larta drejtuese.
“Verifikimi negativ nga AKI-ja për zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit ishte në kundërshtim me përpjekjet që këta të fundit i bënin për sigurinë në vend. Po ashtu ishin po këta zyrtarë të lartë të Policisë që morën lëvdata nga Bashkimi Evropian në Raportin e Progresit. Kjo dukej qartë se ishte strategji e Smajakt dhe njerëzve të tij”, thonë këto burime.
Plani i Smakajt në procesin negativ për krerët e lartë të Policisë ishte që Riza Shillova të emërohej drejtor i përgjithshëm i Policisë, derisa Kadri Arifi të rikthej në postin që e kishte më parë, shef i hetimeve. Arifi ishte larguar nga ky post pas skandaleve të shumta dhe fshehjës së provave.
E Riza Shillova njihet për nepotizëm brenda Policisë së Kosovës, pasi që shumë nga anëtarët e tij të familjes janë të punësuar në këtë strutkurë të shtetit.
“Bashkim Smakaj dhe njerëzit e tij ju hakmorrën edhe kundërshtarëve të Kadri Arifit në Policinë e Kosovës, duke i verifikuar negativisht”, ka shtuar tutje burimet.
Për të mos u ndalur me kaq, Smakaj dhe klika e tij deshën të influenconin edhe në sistemin e drejtësisë, duke ndërmarrë hapa të verifikimi negativ edhe për prokuror dhe gjyqtarë.
“… pati ndërhyrje edhe në disa nga politikanët e vendit që nuk ishin pjesë e sistemit të tij (Smakajt)”, thonë burimet.
Ky yrysh i Smakajt dhe planet e tij “madhore” u hetuan shpejt dhe tashmë ngjarjet kanë rrjedhur në drejtim që ai dhe njerëzit e tij mund të përballen me drejtësinë.
Bashkim Smakaj dhe Kadri Arifi janë përfolur si uzurpator të pronave. Smakaj për një parcellë tokë, derisa Arifi për një banesë që dikur i përkiste ish Shërbimit Shtetëror Jugosllav (UDB). Kadri Arifi edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetojë në këtë banesë, i papenguar.
Pas largimit nga AKI-ja, Smakaj thuhet se mund të emërohet ambasador i Kosovës në Japoni, në vend të Ahmet Shalës, i cili muaj më parë u largua nga kjo pozitë.