Ja struktura qeverisëse PDK- AAK

0
774

Qeverinë e re PDK- AAK do ta drejtoj Ramush Haradinaj, derisa kryeministri aktual, Hashim Thaçi do të kaloj në postin e presidentit, në vend të Atifete Jahjagës, e cila është pajtuar që të jap dorëheqje, për t’u “shpërblyer” me postin e ministres së Brendshme

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë pajtuar përfundimisht për hyrjen në bashkëqeverisje. Partia e kryeministrit Hashim Thaçi dhe ajo e Ramush Haradinajt janë pajtuar edhe për mënyrën se si do të ndahen postet qeveritare. Burime të besueshme të “Infokusit” brenda Qeverisë së Kosovës kanë thënë se PDK-ja dhe AAK-ja janë pajtuar që posti i kryeministrit t’i takoj liderit të Aleancës, Ramush Haradinajt, derisa kryeministri Thaçi do të kaloj në postin e të parit të shtetit- atë të presidentit. Sipas këtij burimi, dy partitë janë dakorduar edhe me presidenten aktuale, Atifete Jahjaga, që ajo të jap dorëheqje nga posti i të parës së vendit. Por, as Jahjaga nuk do të mbesë me “gishta në gojë”. Ajo do të shpërblehet me postin e ministres së Punëve të Brendshme, në vend të Bajram Rexhepit.

“Presidentja Atifete Jahjaga është pajtuar që të jap dorëheqje nga posti i të parës së vendit, dhe në vend të saj të vijë kryeministri aktual, Hashim Thaçi. Ndërkaq, Jahjaga për këtë kompromis të dhimbshëm, do të shpëblehet me postin e kryepolicës, në vend të ministrit Rexhepi”, ka thënë ky burim qeveritar.

Ministritë që do t’i marr AAK-ja

Burimi i “Infokusit” ka bërë të ditur edhe strukturën e re qeverisëse. Sipas këtij burimi, AAK-ja, pos postit të kryeministrit, që vazhdimisht ka qenë kërkesa kryesore e partisë së Haradinajt, do të marrë edhe ministrinë e Finincave, atë të Tregtisë dhe Industrisë, ministrinë e Integrimeve Evropiane, ministrinë e Shëndetësisë, si dhe ministrinë e Punëve të Jashtme, ndonëse sipas këtij burimi kërkesë e AAK-së ka qenë MPB-ja, por kjo nuk mund t’i jepet, sepse këtë do ta marrja presidentja Jahjaga. Ky burim ka saktësuar se me largimin e Aleancës Kosova e Re, të Behgjet Pacollit nga qeverisja, AAK-së do t’i takojë të paktën edhe një zëvendëskryeministër.

Burimi në fjalë ka sqaruar edhe mënyrën se si do të vij deri te realizimi i këtij skenari.
“Së pari, PDK-ja dhe AAK do të arrijnë marrëveshjen për koalicionin qeverisës.

Menjëherë pas këtij hapi, presidentja Jahjaga do të jap dorëheqje, duke i hapur kështu rrugë koalicionit qeverisës që të propozoj kandidatin për president, në këtë rast kryeministrin Thaçi. Pas zgjedhjes së tij në krye të shtetit, atëherë ai do ta nominoj Ramush Haradinajn për kryeministër, i cili pastaj së bashku me kabinetin e tij do të marrë besimin e deputetëve shumicë në Kuvend”, ka sqaruar burimi mënyrën se si do të zgjidhet qeveria e re.

Drejtuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, vazhdimisht që nga zgjedhjet e fundit, më 2010 e kanë bërë shumë të qartë qëndrimin e tyre, se ata do të hyjnë në qeveri me PDK-në, me të vetmin kusht, që atë ta drejtoj lideri i partisë, Ramush Haradinaj.

Megjithatë, të mërkurën pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi ka thënë se koalicioni aktual me AKR-në është duke funksionuar OK, duke e përjashtuar mundësinë e hyrjes në koalicion me AAK-në. “Ajo çka shihet në horizontet është se koalicioni qeverisës po funksionin kështu siç jemi”, ka thënë ai. I pyetur se afrimi i kryeministrit Thaçi me zyrtarët e partisë së Ramush Haradinajt, më saktësisht pas një takimi të zhvilluar në Pejë, mes katër zyrtarëve të lartë të PDK-së dhe AAK-së: Hashim Thaçi, Hajredin Kuçi, Blerim Shala dhe Daut Haradinaj a nënkupton edhe hyrjen në koalicion të PDK-së me AAK-në, Kuçi është përgjigjur duke thënë se, “ne nuk jemi në hasmëri me askënd. Kontaktet fizike nuk na e ndërrojnë mendjen. Por, është simbolik e mirë që të shihen njerëzit e pozitës dhe opozitës bashkë”.

Edhe zyrtarët e AAK-së mohojnë të ketë diçka konkrete rreth mundësisë së ndonjë koalicioni PDK-AAK. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi u ka thënë medieve se AAK është në pritje të lirimit të Haradinajt, dhe më pas do t’i nënshtrohet procesit të zgjedhjeve të brendshme të partisë.

Koalicioni PDK- AAK, i mundshëm

Analistët politik ndërkaq vlerësojnë se është shumë i mundshëm koalicioni ndërmjet PDK-së e AAK-së.

Zëvendëskryeredaktori i së përditshmes “Zëri”, Adrian Çollaku, ka thënë për “Infokus” se koalicioni ndërmjet partisë së Thaçit dhe asaj të Haradinajt është shumë i mundshëm. Sipas tij, janë disa arsye që këto dy parti do të futen në koalicion. Por, shton ai, arsyeja kryesore është fillimi i bisedimeve politike me Beogradin. “PDK-ja në koalicion vetëm me AKR-në në asnjë mënyrë nuk do të mund të hyj në bisedimet politike me Beogradin që pritet të fillojnë shumë shpejt. Prandaj, PDK-ja e Thaçit do të bëjë të pamundurën që ta fus në qeverisje edhe AAK-në, në mënyrë që ajo mos ta marr mbi supet e veta tërë përgjegjësinë për bisedimet politike me Serbinë, sidmos kur kemi parasysh faktin se veriu i vendit do të jetë tema qendrore”, thotë Çollaku.

Prandaj, sipas tij, AAK-ja është ajo që do të duhej t’i bëjë mirë përllogaritjet se çka do të fitoj e çka do të humbë, në rast se do të hyjë në koalicion me PDK-në./Infokusi/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu