Jahjaga në mes pamundësisë dhe përpëlitjeve për të mbetur presidente

0
498

Atifeti

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, bashkë me ekipin e saj, duket se ende nuk po mund të pajtohen me faktin, që në prill të vitit 2016-të do iu duhet të largohen prej Presidencës.
Medie të afërta me Presidencën, e cila shpeshherë është edhe burim informacioni për to, tashmë kanë filluar fushatën mediale si përpjekje për ta katapultuar përsëri në kalkulime politike Jahjagën.

Së bashku me disa analistë të afërt me këshilltarë të Jahjagës, ato me çdo kusht po mundohen ta paraqesin Jahjagën si një mundësi të mirë për t’u rizgjedhur presidente.

Por, burime të ORA info nga partnerët në koalicionin qeveritar thonë se gjasat që kjo të ndodhë janë pothuajse zero, mbi të gjitha për shkak se kjo ide nuk ka mbështetjen e spektrit politik. Kështu thonë për Orainfo edhe burime nga partitë opozitare.

“Besoj që të gjithë tashmë e kanë kuptuar edhe ambicien e Jahjagës, por edhe lojën e disa gazetave të afërta me njerëz të saj, që po hamendësojnë e sfidojnë sipas instruksioneve që marrin prej njerëzve të Jahjagës. Megjithatë, edhe Jahjaga, edhe njerëzit e saj, edhe medie të caktuara që po mundohen ta përfshijnë atë përsëri në kalkulime politike, e dinë që Jahjaga nuk ka ma asnjë gjasë për të qenë presidente edhe në mandatin e ardhshëm. Të gjithë e dinë si ka ardhur aty dhe si ka qëndruar deri më tash dhe po ashtu e dinë, që ma nuk ka kurrfarë gjase të mbes aty”, thotë në kushte anonimiteti, një burim i afërt me koalicionin qeveritar, duke mos dashur të merret publikisht me këtë çështje, sepse e sheh vetëm si një lojë mediale.

Ndryshe, duke u thirrur në burime ndërkombëtare, sot mediet kanë raportuar se Jahjaga mund të marrë edhe një mandat tjetër të kryesimit të Presidencës.

Kurse, në anën tjetër, në të kaluarën ka pasur raportime se edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, larg syve të opinionit, ka filluar t’i ftojë njerëzit që të bëhen pjesë e kabinetit të tij presidencial dhe se prapa skenës ai tanimë është duke u përgatitur jo vetëm për marrjen e postit të Presidentit, por edhe për agjendën e angazhimit të tij në vitin e parë si President i Kosovës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu