Jahjaga në shërbim të Thaçit

0
806

(E plotësuar) Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, do ta kthejë mbrapa Kodin Penal, vetëm nëse për një gjë të tillë është e interesuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përkatësisht Qeveria e Kosovës.

Që nga momenti që ka ardhur në krye të shtetit, secilin veprim që e ka bërë Jahjaga ka qenë në përputhje të plotë me interesat dhe politikat e ekzekutivit kosovar, ndërsa nuk mbahet mend asnjë rast kur ia ka prishur “tymin e duhanit” qeverisë.

Pjesëmarrja në datëlindjen e PDK-së dhe fjalimi emocionues para anëtarëve të kësaj partie, heshtja karshi shumë proceseve të rëndësishme në vend dhe së fundi shkuarja në një aheng vallëzimi të organizuar nga Ambasada e Austrisë, dhe “injorimi” i Ditës së Pagjeturve, nga analistët politikë shihet si degradim i imazhit të saj.

Ndërkaq, paralajmërimi nëpërmjet disa mediave se ajo tashmë ka marrë vendim që t’i kthejë në Kuvend dy nenet e Kodit Penal të Kosovës, shihet si përpjekje e saj që t’ia rregullojë vetes imazhin dhe të krijojë miqësi me gazetarët kosovarë.

Analisti Nexhmedin Spahiu thotë se po të ishte shqetësuar me fatin e gazetarisë së lirë, presidentja Jahjaga tashmë do të duhej të kishte dhënë vërejtje për dy nenet “problematike”.

“Nëse e kthen Kodin, kjo po pret që të ketë një farë mirëkuptimi nga paritë në pushtet për këtë punë. Reagimi i Hajredin Kuçit (se do të japë dorëheqje nëse miratohen dy nenet e Kodit Penal) jep të kuptojmë se këta vetëm se janë marrë vesh që t’i formulojnë nenet”, thotë ai, duke theksuar se Jahjaga do të përdoret nga qeveria që kjo e fundit ta përmirësojë gabimin e vet.

Ai thotë se presidenti i një vendi duhet të jetë i fuqishëm dhe në momente të caktuara të marrë vendime të forta, pavarësisht se ato mund mos t’i pëlqejnë qeverisë, cilësi këto, që siç thotë ai, Jahjaga nuk i ka.

Ndërsa analisti tjetër, Avni Zogiani thotë se Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme se presidentja nuk mund t’i thotë “po” një ligji që pengon gazetarinë e lirë, prandaj, duke e pasur këtë informatë po përpiqet që t’ia marrë meritat asaj për hapin e ardhshëm të saj.

“Hajredin Kuçi kur e ka pasur kohën që të veprojë në të mirë të transparencës ka vepruar kundër, do të thotë është njëri prej prodhuesve të ligjit. Në momentin kur e ka parë që për shkak të presioneve, madje edhe ndërkombëtare, nuk do të kalojë, ka dashur që të shpëtojë me fytyrë. Kjo është një hipokrizi e Kuçit që tregon se çfarë karakteri ka ky pushtet, pra është thellësisht mashtrues”, thotë Zogiani.

Ngjashëm mendon edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Alma Lama, e cila si njëra nga hartueset e Kodit Penal, vazhdimisht ka insistuar që neni 37 dhe 38 të mos jenë fare në këtë ligj.

“Zotëri Kuçi vazhdon të bëjë lojëra fjalësh me qëllimin e vetëm për të mashtruar opinionin publik dhe gazetarët sepse ai është përgjegjësi kryesor për miratimin e këtyre neneve. Në radhë të parë është përgjegjës sepse gjatë kohës sa është hartuar Kodi Penal, në grupin punues ka pasur insistim shumë të madh për t’i futur këto nene dhe ai është dashtë që të marrë parasysh mendimin e gazetarëve, dhe në rast të dytë, në Kuvendin e Kosovës ai ishte i pranishëm dhe deputetët e partisë së tij votuan pro këtyre neneve”, thotë ajo.

Por, pavarësisht nga raportimet se presidentja Jahjaga ka marrë vendim për çështjen e projekt-Kodit Penal, zyrtarët e Presidencës së Kosovës e kanë mohuar këtë.

“Kodi nuk ka ardhur ende në Zyrën e Presidencës, kurdo që të vijë do të shqyrtohet me kujdes dhe do të analizohet. Posaçërisht do të shqyrtohen dy nenet e debatueshme dhe kjo do të bëhet në bashkëpunim me të gjitha palët”, ka thënë nëpërmjet telefonit këshilltari për medie i presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu.

Hesht ministri Kuçi!

Gazeta “Zëri” ka bërë përpjekje të dielën që të marrë një përgjigje nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, rreth deklarimit të tij për dorëheqjen, dhe rreth akuzave se është deklaruar për dorëheqje pasi ka qenë i informuar se presidentja Atifete Jahjaga do t’i thotë “jo” Kodit, por ai nuk është lajmëruar në telefon, përkatësisht nuk është përgjigjur me SMS, sikurse që bën zakonisht.

 

Nga Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu