Jaka: Hiqeni kufirin Kosovë – Shqipëri

0
622

kuksi

Nikolin Jaka, në një intervistë për Kosovapress thotë se bashkëpunimi ekonomik ekziston vetëm si teori, si “frymë”, pasi nuk është në nivelin e duhur.

Jaka sheh pengesa gjithandej – si në radhët e gjata të makinave dhe turistëve që presin për të hyrë në Shqipëri dhe për të kaluar pushimet, ashtu edhe tek bizneset që përballen me lloj-lloj burokracish e tarifash në një kohë që dy kryeministrat flasin për unifikim e heqje kufijsh.

“Vazhdon të ketë vetëm frymë, asgjë tjetër, kemi një bashkëpunim ekonomik jo në nivelet e duhura. Unë kam komunikim me shumë kompani kosovare por dhe me miq kosovarë të cilët duan të vijnë në Shqipëri. Ka raste që për fundjavë radha në kufi shkon edhe 4 apo 5 kilometra, dhe shumica e ty re gjatë verës e shohin Shqipërinë si një pamundësi ose nga ana tjetër si një sfilatje të paimagjinueshme për të hyrë dhe për të shijuar bregdetin shqiptar. Personalisht kam kërkuar që të mos ketë kufij mes Shqipërisë dhe Kosovës. Megjithëse kemi pasur reagimin e institucioneve përgjegjëse që trafiku, problemet, kontrabanda, por unë mendoj se Evropa që nuk ka kufij nuk mendoj që i ka këto probleme, sepse organet sociale funksionojnë nëpërmjet informacioneve dhe nëpërmjet punës kërkimore dhe shkencore dhe jo nëpërmjet kufijve dhe ndalesave . Kështu që unë mendoj dhe propozoj që kufiri me Kosovën sidomos fundjavave dhe sezonin turistik të verës duhet që qarkullimi të jetë i lirë”, tha Nikolin Jaka lidhur me nivelin e bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Kosovë.

Jaka argumenton se problemi kryesor që ne, si dy shtete shqiptare, nuk kemi marrëdhënien e duhur ekonomike është se ende nuk kemi punuar për një strategji konkrete për të ditur dhe për ta pasur të qartë edhe vetë, se kush janë objektivat tona dhe ku duam të arrijmë. Madje ai shton se problemi ekziston në faktin se mes Shqipërisë dhe Kosovës marrëdhënia ekonomike funksionon me klane dhe lobime, ku përfitojnë ato biznese që janë ‘miq’ të qeveritarëve.

“Nga ana tjetër unë mendoj se ka shumë vend për të trajtuar problematikat e marrëdhënieve ekonomike. Ne akoma nuk kemi një strategji të qartë se ku duhet të arrijmë dhe cilat janë objektivat tona. Pra vazhdojmë akoma me konkurrencën e lobimeve, kush është afër qeverisë dhe qeveritarëve, dhe nuk kemi një strategji të qartë për të bërë një hartim të një ekonomie komplementare pa cenuar konsumatorin, duke ruajtur cilësinë dhe konkurrencën në treg”, tha Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë.

Jaka ndalet edhe në zhvillimet e fundit ekonomike në Shqipëri. Ai komenton nismën e qeverisë Rama për të luftuar informalitetin dhe evazionin fiskal, duke e mbështetur plotësisht këtë reformë, “pasi formalizimi i ekonomisë, siç e kanë treguar edhe vende të zhvilluara si Japonia dhe Gjermania, është rruga e vetme për një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë”.

“Dhoma e Tregtisë të paktën ka 5 vjet që kërkon jo aksion, por një reformë të qartë, një strategji të kompletuar me paketa ligjore, për një lufte eficente kundër informalitetit dhe evazionit fiskal. E kemi shprehur dhe vazhdojmë ta shprehim që evazioni fiskal dhe informaliteti nuk bëjnë asgjë tjetër veçse dëmtojnë biznesin e ndershëm dhe dëmtojnë gjithmonë buxhetin e shtetit, edhe në njëfarë mënyre dëmtojnë edhe buxhetin e qytetarëve shqiptarë. Kështu që e mbështesim nismën dhe reformën që Qeveria ka ndërmarrë për luftën kundër informalitetit. Nga ana tjetër unë mendoj dhe jam i sigurt që edhe sipërmarrja do reagojë, pra ata sipërmarrës të pandershëm të cilët janë në zonën gri të informalitetit dhe evazionit fiskal do reflektojnë dhe duhet të reflektojnë për shumë arsye dhe një ndër arsyet që unë e kam shprehur dhe vazhdoj ta shpreh është që të heqin edhe makthin nga vetja e tyre. Le të formalizohemi, le të lëshojmë kuponin tatimor, le të paguajmë tatimet ashtu siç është për ti paguar në mënyrë që shqiptarët të mësohen që vetëm me ligj dhe me rregull mund të ecet përpara”, tha më tej Nikolin Jaka lidhur me aksionin e qeverisë Rama për luftën ndaj informalitetit të bizneseve.

Përkundër disa analistëve të ekonomisë që mendojnë se ky aksion do të ketë edhe pasoja negative, Jaka thotë se nuk sheh asgjë negative në këtë operacion. Përkundrazi, ne si shoqëri duhet të mësohemi të respektojmë ligjin dhe nëse ne nuk mësohemi të punojmë nuk do realizojmë asgjë as për veten tonë dhe as për të ardhmen e brezave tanë.

“Personalisht nuk shoh efekte negative, mund të ketë analistë të ndryshëm të cilët e trajtojnë në impaktin social, duke krijuar papunësi etj, etj, unë personalisht nuk shoh asnjë lloj impakti apo efekti negativ. Pse? Se duhet të mësohemi të respektojmë ligjin dhe nëse ne nuk mësohemi të punojmë nuk do realizojmë asgjë as për veten tonë dhe as për të ardhmen e brezave tanë. Do të kujtoja dhe një rast paralel për të bërë dhe një analizë. Pas Luftës së Dytë Botërore vendet më të shkatërruara ekonomikisht por edhe moralisht ishin Gjermania dhe Japonia, por të dyja sot janë vendet më të zhvilluara në botë dhe janë vendet që kanë një ekonomi të qëndrueshme dhe qytetarë të disiplinuar. Kështu që le të marrim shembullin e tyre, të sakrifikojmë dy apo tre vjet në mënyrë që pas kësaj sakrifice për tu legalizuar dhe për tu formalizuar me ligjin, fillojmë dhe startojmë me rregulla, norma, ligje dhe reformat e duhura”, tha Nikolin Jaka.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu