Jakup Krasniqi kerkon qeveri teknike

0
728

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka hedhur idenë e krijimit të një qeverie teknike në Kosovë, pasi që ekzekutivi aktual po përballet me mungesën e numrave të nevojshëm në legjislativ.

“Në këtë fazë të zhvillimeve politike në Kosovë, zgjidhja më e mirë do të ishte krijimi i një qeverie teknike”, pohon Krasniqi, gjatë një interviste për “Zërin”, duke shtuar se nëse Qeveria nuk i ka numrat, duhet gjetur ndonjë mënyrë për ta bërë shumicën në Kuvend.

Duke folur për mundësinë e miratimit të buxhetit të vitit 2014 në Kuvend, i pari i këtij institucioni është shprehur se buxheti duhet të miratohet, por jo, siç ka thënë ai, ashtu siç ka ardhur nga qeveria. Krasniqi megjithatë nuk ka treguar nëse do ta votojë buxhetin e vitit të ardhshëm, duke u arsyetuar se votën do ta japë konform interesit të vendit.

Kryeparlamentari gjatë kësaj interviste i ka quajtur shpifje të orkestruara përfoljet që u bënë ditë më parë në media se të burgosurave në fshatin Likoc të Drenicës u ka prerë flokët dhe me të njëjtat gërshërë i ka prerë edhe buzën.

Ai po ashtu ka theksuar se Kuvendi në seancë plenare do të duhej të merrte vendimin adekuat për deputetët që bëjnë mashtrime me shpenzimet e udhëtimit.

Akuzat, shpifje e orkestruar

Zëri: Z. Krasniqi, gjatë deklaratës së tij lidhur me dëshmitarët, gazetari i RTK-së, Milaim Zeka, pas bastisjes së kryer nga EULEX-i në studiot e tij, ka zbuluar disa prej bisedave që i ka pasur me dëshmitarët e mbrojtur, duke potencuar dhe rastin e një dëshmitari, që rrëfen se kur i kanë dërguar në fshatin Likoc në Drenicë se “ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, iu ka prerë flokët dhe me të njëjtat gërshërë i ka prerë edhe buzën”. Cili është komenti juaj?

Krasniqi: Vetëm po të ishte e vërtetë, por edhe sikur të ngjasonte më të vërtetën (sa i përket anës sime), ajo që tha gazetari, e që pastaj në një formë më të butë u përsërit nga avokati mediatik dhe e përçuan bianko shumica e mediave (edhe pse dispononin me aktakuzën, e cila thoshte tjetër gjë), do të ishte e tmerrshme, do të ishte skandali i shekullit. Në cilëndo formë, po të implikohesha në veprime të tilla të dhunshme mbi njerëzit (femra apo meshkuj), të pambrojtur, nuk do ta quaja veten njeri. Për këtë çështje tani për tani po e lë me këtë përgjigje, në ndërkohë do ta them qëndrimin tim zyrtar për këtë çështje me anë të një deklarate për publikun.

Zëri: Cila është e vërteta e kësaj akuze?

Krasniqi: Shpifje e orkestruar.

Zëri: Pjesëtarë të UÇK-së, sidomos ata që janë në pozita shtetërore, po akuzohen për disa krime lufte tash e sa vjet. Sipas jush cili është imazhi i ushtarit të UÇK-së gjatë luftës?

Krasniqi: E kam thënë edhe në Tribunalin e Hagës, e kam thënë shumë herë po e them edhe tani, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka bërë krime, as të luftës e as krime ndaj njerëzimit. Krimet në Kosovë i ka bërë shteti i Serbisë. Ushtari i UÇK-së ka pasur imazhin dhe misionin e çlirimtarit, asnjë imazh apo mision tjetër nuk mund t’i vishet atij. Ndonjë përgjegjësi individuale, nëse ka ndodhur edhe nga ana e ndonjë pjesëtari të UÇK-së, fjalën për këtë duhet ta thotë gjyqësori. Sistemi i Drejtësisë e ka për obligim ta ruajë integritetin dhe dinjitetin e individit, se njeriu një jetë ka. Sistemi demokratik në epiqendër të tij i ka të drejtat individuale të njeriut.

Shumica e deputetëve që marrin para për udhëtim jetojnë në Prishtinë

Zëri: Disa deputetë të Kuvendit të Kosovës marrin mëditje të udhëtimit, ndërsa banojnë në Prishtinë. Pse nuk i verifikon Kuvendi. A do të nisë ndonjëherë verifikimin e tyre legjislativi?

Krasniqi: Kuvendi përbëhet prej dy niveleve, niveli politik (që janë deputetët) dhe Administratës së Kuvendit – shërbyesit civilë. Stafi politik (deputetët) kontrollohen prej partive politike (GP), ata nuk i nënshtrohen rregullave të administratës, përkundrazi i imponojnë shumëçka asaj edhe pa të drejtë. Deputetët dhe GP i kanë afruar listat e deputetëve udhëtarë dhe kanë kërkuar pagesat e udhëtimit. Janë diku rreth 75 deputetë që marrin paratë e udhëtimit, edhe pse shumica e tyre jetojnë në Prishtinë me familje. Unë konsideroj që partitë politike do të duhej t’i verifikonin deputetë e vet, Kuvendi nuk ka mekanizëm për këtë. Po gjithsesi do të duhej të diheshin emrat e të gjithë deputetëve që e mashtrojnë administratën e Kuvendit. Kjo çështje duhet të shqyrtohet në Kuvend dhe Kuvendi në seancë plenare duhet ta merrte vendimin adekuat për mashtruesit.

Zëri: Me cilat masa mund të përballen ata me ligj, pas verifikimit se kanë dhënë rrejshëm deklarata lidhur me adresat e tyre të banimit?

Krasniqi: Me ligj nuk është e përcaktuar një gjë e tillë, pasi ligji nuk e ka paraparë që edhe ligjvënësit janë mashtrues.

Zëri: A ka mundësi të kalojë Ligji i Buxhetit kur qeveria s’i ka votat?

Krasniqi: Buxheti duhet të miratohet, se ai është buxhet i shtetit, por sigurisht jo ashtu siç ka ardhur nga qeveria. Nëse Qeveria nuk i ka numrat, duhet gjetur ndonjë mënyrë për t’i bërë numrat e nevojshëm për miratimin e buxhetit. Në këtë fazë të zhvillimeve politike në Kosovë, zgjedhja më e mirë do të ishte krijimi i një qeverie teknike.

Zëri: Si do të votoni ju?

Krasniqi: Sigurisht që do ta shikoj çka duhet ndryshuar. Votën do ta jap konform interesit të vendit.

Zëri: A mund të shkojë Kosova në zgjedhje të parakohshme. Nëse po, kur?

Krasniqi: Kjo çështje nuk do të jetë e lehtë, por varet shumë nga qëndrimi që do të mbajnë partitë opozitare, të cilat janë përcaktueset kryesore.

 

Nga: Anita Kadriu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu