Jakupi “out”, Kadriu “in”

0
836

(E plotësuar)Më i rëndësishëm në partinë e kryeministrit Hashim Thaçi është bërë një anëtar “i thjeshtë” i PDK-së, Kadri Veseli, sesa njëri nga themeluesit e kësaj partie, Jakup Krasniqi. Derisa Veseli është “in” dhe i pranishëm pothuajse në të gjitha kuvendet e degëve të partisë, sektari i përgjithshëm i PDK-së vazhdon të jetë “out” dhe i “izoluar” tërësisht.

Kuvendet zgjedhore që janë mbajtur në 24 degët e partisë në pushtet nuk po arrijnë që t’ia mbushin mendjen Jakup Krasniqit për të qenë pjesë e proceseve të zgjedhjeve të brendshme, sidomos në kohën kur janë shpërfaqur edhe më shumë inatet dhe thyerjet e mëdha që ekzistojnë në mes tij dhe lidershipit të partisë dhe anëtarëve me ndikim në PDK. Krasniqi, i cili është sekretar i përgjithshëm i PDK-së nuk ka marrë pjesë në asnjë kuvend zgjedhor të degëve që po organizohen nga ky subjekt politik , madje as në degën e Drenasit prej nga vjen vetë ai.

Pavarësisht përplasjeve dhe përçarjeve brenda PDK-së, analistët politikë vlerësojnë se “izolimi” i Jakup Krasniqit mund t’i kushtojë atij personalisht, pasi që në këtë formë pamundëson ndikimin e tij në parti. Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Behxhet Shala vlerëson se mosprezenca e Krasniqit në kuvendet e degëve të PDK-së po reflekton mosmarrëveshjet që i kanë me sekretarin e partisë disa njerëz me ndikim në PDK.

“Nuk e kam të qartë se pse Jakup Krasniqi nuk merr pjesë në këto kuvende zgjedhore, në qoftë se mendon edhe më tutje të jetë njeri me ndikim për reformimin e partisë, të cilën e ka kërkuar ai së bashku me Fatmir Limajn”, ka thënë ai.

Ky analist politik nuk ka mundur të parashikojë nëse Jakup Krasniqi do të vazhdojë të jetë pjesë e strukturave udhëheqëse të partisë pas mbajtjes së kuvendit zgjedhor që është planifikuar të organizohet në janar të 2413-s. “Nuk e di se sa është serioze ajo pakënaqësia dhe ndarja e Krasniqit me anëtarët me ndikim në PDK, mirëpo mendoj se si sekretar i partisë e ka pasur për detyrë të jetë i pranishëm në procesin zgjedhor”, ka vlerësuar Shala, duke shfaqur mendimin e tij se Jakup Krasniqi duket se s’ka ambicie që të jetë serish sekretar i partisë, pasi që s’ka bashkëpunim me liderin e partisë, por edhe kryesinë e PDK-së.

Sipas tij, megjithatë nuk është në interesin e PDK-së që ta eliminojë sekretarin e përgjithshëm të partisë dhe në këtë drejtim të thellohen ndarjet apo hendeku i mosmarrëveshjeve të brendshme, pasi që siç pohoi ai, Jakup Krasniqi definitivisht është njeri më ndikim në parti.

E vetë kryekuvendari Jakup Krasniqi, i cili është njëri nga themeluesit e PDK-së, ka deklaruar se është i pakënaqur me procesin e deritashëm të zgjedhjeve në parti, duke thënë se disa zhvillime kërkojnë përgjigje të duhur, por që do të ndodhin në kohën e duhur. Krasniqi ka përjashtuar mundësinë se dikush brenda partisë do ta “qesë nga loja” atë gjatë zgjedhjeve të brendshme.

Mirëpo, njohësi i zhvillimeve politike, Nexhmedin Spahiu thotë se mosprania e Krasniqit në procesin e brendshëm zgjedhor është refleksion i mosmarrëveshjeve në këtë parti politike. Megjithatë, ai s’ka mundur të parashikojë se si do të zhvillohen ngjarjet në partinë që qeveris vendin, aq me tepër siç ka deklaruar ai “kur Hashim Thaçi është mjeshtër i akrobacioneve dhe i fiskulturave politike që di t’i bëjë vetëm ai”.

“Vërtet çdo kryetar partie sikurse ta kishte në oponencë nënkryetarin dhe sekretarin e partisë do të duhej ta kishte të vështirë procesin, por në rastin e PDK-së nuk po shihet se Thaçi i ka punët shumë ngushtë. Ajo që po reflektohet është se në këtë parti ka probleme, por jo që rrezikojnë të sjellin telashe të mëdha”, ka thënë Spahiu.

E nga ana e tij, sekretari organizativ për zgjedhjet në PDK, Basri Musmurati, ka sqaruar se mosprania e Krasniqit në kuvendet zgjedhore të degëve nuk është shenjë se ai s’do të jetë pjesë e strukturave udhëheqëse të partisë. ”Me statusin e partisë është e rregulluar se anëtarët e këshillit drejtues të partisë, anëtarët e kryesisë, ministrat dhe deputetët automatikisht janë delegatë në kongresin e partisë. Këta janë të parët që propozohen edhe për strukturat e ardhshme të partisë”, ka thënë Musmurati, i cili ka deklaruar se Jakup Krasniqi nëse s’do të jetë i pari i propozuar për strukturën udhëheqëse, do të jetë i dyti ose i treti.

PDK para Krishtlindjeve përfundon kuvendet e degëve

PDK deri më tani ka arritur që në 24 degë të partisë t’i mbajë kuvendet zgjedhore, derisa i kanë mbetur edhe 10 sosh për ta rrumbullakuar gjithë procesin e brendshëm zgjedhor.

 

Nga Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu