Jasharajt

0
934

Në njërën anë, UÇK-ja, dhe, në anën tjetër, Adem, Hamëz e Shaban Jashari me familjen e gjerë të tyre, nuk mund të paramendohen pa njëra-tjetrën. Në fakt, s’ka vend këtu për formim fjalie me ‘në njërën anë e në anën tjetër’ dhe ‘njëra-tjetrën’ sepse s’ka këtu as dy anë e as ‘tjetër’.

Rënia heroike e 58 shqiptarëve të bashkuar, e që iu përkisnin tre brezave, të gjitha moshave dhe të dy gjinive, nuk ishte vetëm luftë për liri por edhe liri për luftë. Ata e shpallën veten të lirë individualisht e familjarisht për të luftuar për lirinë tonë kolektive e kombëtare.

Me Jasharajt nis lufta çlirimtare dhe ushtria çlirimtare. Ata filluan ushtrinë që do të luftonte dhe luftuan për ushtrinë tonë. Forcat e shumta policore e ushtarake të Serbisë po i luftonin ata tre ditë rresht në marsin e vitit 1998 sepse luftonin
ushtrinë tonë çlirimtare që po lindte në luftë me ushtrinë okupatore.

Vetëmohimi ishte edhe i paparë edhe i paimagjinueshëm, andaj beteja treditore quhet Epope kurse Adem Jashari quhet Komandant Legjendar, thua se ishte personazh e karakter legjendash të pabesueshme që u rrëfehen si përralla fëmijëve. Mbase edhe sot e kësaj dite vazhdon disi të mos besohet Adem Jashari, porsi një e kaluar e pakapërthyeshme mendërisht që i thërret në ndihmë imagjinatës përkundër logjikës.

Rrëfimi për Adem Jasharin i shndërron të gjithë në fëmijë që dëgjojnë përrallën për të fjetur por ja që pikërisht për shkak të përrallës bëhen edhe më të zgjuar seç ishin më parë.

UÇK-ja është momenti kur e drejta politike pajiset me forcë të zbatimit. Të gjitha ato që mendoheshin të kenë qenë qëllime politike në vitet e ’90-ta u rikuptimësuan si dëshira shoqërore. Nëpërmjet UÇK-së politika u zhvesh në naivitetin e saj për ta tejkaluar atë një çast më pas. UÇK-ja shënon momentin kur vetëdijesohesh për fëmijërinë dhe njëkohësisht e tejkalon atë. Ajo na ktheu në realitet për ta transformuar atë realitet (e i cili tashmë kishte ndryshuar me vetë kthimin tek ai).

Sot, institucionet zyrtare të shtetit të Kosovës e përkujtojnë Epopenë e UÇK-së së 5, 6 e 7 marsit 1998, sikurse edhe vetë UÇK-në, me një distancë të sforcuar. Ceremonitë e ndryshme shtetërore dhe qeveritare shërbejnë për të kujtuar atë që është harruar por pa nxjerrë mësim dhe që të mos nxirret mësim.

Përkujtohet e kaluara në mënyrën dhe masën që të mos mbahet mend ajo. Mbi të gjitha, ajo sillet në të tashmen si një e kaluar e shkuar përgjithmonë: e depolitizuar sepse pa aktualitetin e saj. Këso përkujtimesh konfirmojnë harresën.

Institucionet e Republikës së Kosovës realisht nuk e njohin UÇK-në. Ajo s’përmendet në Deklaratën e Pavarësisë dhe as në Kushtetutën e shtetit. Në emër të çlirimit, Kosovës iu mor UÇK-ja, ndërkaq në emër të pavarësisë, edhe TMK-ja. Ushtrinë që e krijuan dëshmorët nën pushtim, e zhbënë disa politikanë në liri. Por, liria pa ushtri është liri në rrezik, është liri e brishtë, gjithnjë e më e brishtë, deri atëherë kur nga brishtësia as nuk shihet e as nuk ndjehet liria.

Sot, nga Policia e Kosovës dhe nga Forcat e Sigurisë së Kosovës është përjashtuar fryma dhe simbolet e UÇK-së, trashëgimia dhe misioni i saj. Nuk është e rastësishme që shpallja e pavarësisë pa UÇK-në dhe ligji i shtetit pa UÇK-në kanë rezultuar me pavarësi pa sovranitet dhe me shtet pa integritet. Edhe kur (nuk) përmenden nga Qeveria, luftëtarët e UÇK-së konsiderohen si pjesë e problemit (social) në Kosovë e jo si ata që sakrifikuan për zgjidhje (politike).

Dëshmorët janë njerëz të jashtëzakonshëm; Jasharajt janë dëshmorë të jashtëzakonshëm. Dëshmorët me në krye Jasharajt gjithçka që bënë, asgjë s’e kishin për vete. Çkado që ne bëjmë për dëshmorët e bëjmë për vete si komb e si shoqëri. E, mbase, çkado që ne bëjmë për vete individualisht e veçmas, më shumë bëjmë për armiqtë tanë.

 

Shkruan: Albin Kurti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu