Jemi Vetëvendosje!, s’jemi AAK

0
760

Pas Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), edhe Lëvizja Vetëvendosje! u është kundërpërgjigjur akuzave të sekretarit të përgjithshëm të AAK-së, Burim Ramadanit, se këto dy subjekte marrin detyra nga Partia Demokratike e Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimi, në një bisedë për “Epokën e re” ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje! nuk është AAK. “Sekretari i përgjithshëm i AAK-së duhet ta dijë se ne jemi Vetëvendosje!, jo AAK. Nuk do të duhej të ndihej e konkurruar AAK-ja në këtë gjë”, ka deklaruar Selimi. Në këtë kontekst, Selimi ia ka rikujtuar Ramadanit të gjitha veprimet që ka bërë AAK-ja gjatë këtyre viteve “Nuk i mbështesim PDK-në e as Qeverinë në negociata me Serbinë. Nuk kemi nënkryetarë të paguar nga Qeveria si koordinatorë në negociata me Serbinë. Nuk ia votojmë Qeverisë ligjet diskriminuese në Kuvend sikur ai i Hoqës dhe i Qendrës Historike të Prizrenit. Nuk i kemi votuar ratifikimet e marrëveshjeve të dëmshme me Serbinë. Nuk kemi asnjë koalicion me PDK-në në asnjë komune. Nuk e mbështesim PDK-në as sot kur kërkon vende të rezervuara për serbët në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Selimi. Ai ka thënë se Vetëvendosje! është gati të bëhet bashkë me opozitën, por jo siç ka thënë ai nëpër restorante. “Nuk mund të bëhemi bashkë nëpër restorante, por në Kuvend, aq më tepër nuk jemi të gatshëm të bëhemi bashkë ‘nen sqetull’ të kryeministrit, siç jo rrallë takohen liderët opozitarë e qeveritarë”, ka thënë Selimi.
“Epoka e re”: Z. Selimi, çfarë detyrash është duke marrë Lëvizja Vetëvendosje! nga PDK-ja, pasi sekretari i AAK-së, Burim Ramadani, ka deklaruar kështu?
Selimi: Sekretari i përgjithshëm i AAK-së duhet ta dijë se ne jemi Vetëvendosje!, jo AAK. Nuk do të duhej të ndihej e konkurruar AAK-ja në këtë gjë.
“Epoka e re”: Çfarë nënkupton të ndihurit të konkurruar?
Selimi: Nuk i mbështesim PDK-në e as Qeverinë në negociata me Serbinë. Nuk kemi nënkryetarë të paguar nga Qeveria si koordinatorë në negociata me Serbinë. Nuk ia votojmë Qeverisë ligjet diskriminuese në Kuvend sikur ai i Hoqës dhe i Qendrës Historike të Prizrenit. Nuk i kemi votuar ratifikimet e marrëveshjeve të dëmshme me Serbinë. Nuk kemi asnjë koalicion me PDK-në në asnjë komune. Nuk e mbështesim PDK-në as sot kur kërkon vende të rezervuara për serbët në Kuvendin e Kosovës. Sikur vetëm njërën nga këto ta kishim bërë do ta kishim konkurruar AAK-në në aktivitetet politike, sepse të gjitha këto tashmë i ka bërë. Për këtë të fundit ia ka kaluar edhe LDK-së me bujarinë e saj për vendet e rezervuara në Kuvend.
“Epoka e re”: Sipas jush, kush prej opozitës është dorë e zgjatur e Qeverisë?
Selimi: Nuk jam i prirur të përdor terminologji të tillë si “dorë e zgjatur” apo të ngjashme. Veç një gjë dihet qartë, se po të ishte e gjithë opozita në rolin e saj siç është Lëvizja Vetëvendosje!, Qeveria Thaçi do t’i takonte së kaluarës.
“Epoka e re”: Qeveria e Kosovës vazhdimisht është kritikuar nga opozita, por asnjëherë partitë opozitare nuk kanë arritur të unifikohen dhe ta rrëzojnë këtë qeveri. Ku është arsyeja?
Selimi: Kemi kërkuar që i gjithë spektri opozitar të bashkohet për t’i dhënë fund keqqeverisjes aktuale. Edhe sot jemi të gatshëm të kemi unifikim të rolit opozitar. Pra, jemi të gatshëm të bëhemi bashkë në oponencë kundër Qeverisë, por nuk mund të bëhemi bashkë nëpër restorante, por në Kuvend të Kosovës. Aq më tepër nuk jemi të gatshëm të bëhemi bashkë “nën sqetull” të kryeministrit, siç jo rrallë takohen liderët opozitarë e qeveritarë.
“Epoka e re”: A bart përgjegjësi Lëvizja Vetëvendosje! për mosunifikimin e opozitës?
Selimi: Jemi të përgjegjshëm ndaj qytetarëve. Dihet se opozita nuk është unike, prandaj kemi këso qeverie. Por, jo rrallëherë na është kërkuar uniteti aty ku nuk do të duhej të ishte opozita. Vërtet nuk jemi unikë në disa çështje siç janë bisedimet me Serbinë dhe në agjenda të tjera të ngjashme, por ne nuk mbajmë përgjegjësi për këtë gjë. Përkundrazi, është më mirë që nuk kemi qenë së paku unikë në të keqën, për shkak se shpeshherë pikërisht për të keqën na është kërkuar unitet. E, normalisht se ne nuk e duam atë unitet në dëm të vendit.
“Epoka e re”: Nga shumëkush është vlerësuar se me këtë opozitë gjatë gjithë kohës ka qenë komode. Keni edhe ju këtë vlerësim?
Selimi: Qeveria mund të ndihej komode sikur të mos ekzistonte Lëvizja Vetëvendosje! Ne ia kemi prishur komoditetin Qeverisë në keqqeverisjen e saj. Po sikur të ishin opozitë e vërtetë edhe subjektet e tjera opozitare atëherë, përveç komoditetit, do t’ia prishnim edhe planet e këqija kësaj Qeverie.
“Epoka e re”: Kur vlerësoni se duhet të mbahen zgjedhjet parlamentare? Duhet të mbahen me apo pa reformë zgjedhore?
Selimi: Varet kush quhet reformë. Deri më tash nuk kemi parë vullnet te partia në pushtet të ketë reformë të mirëfilltë. Ajo do që nën arsyetimin e reformës të sigurojë vende të rezervuara për serbët. Në disa raste kanë gjetur edhe përkrahje edhe te ndonjë subjekt opozitar, megjithëse në disa raste edhe ka pasur kundërshtime. Por një gjë dihet, që së paku partia në pushtet nuk e do reformën, por i do vendet e rezervuara për serbët e Daçiqit. Nuk e pranojmë një gjë të tillë, po ashtu kërkojmë që edhe subjektet e tjera, sidomos ato opozitare, ta kundërshtojnë një gjë të tillë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare dihet se ka pasur manipulim të gjithë procesit zgjedhor, madje vjedhjet janë quajtur industriale për nga përmasat që kanë pasur. Por, në vend se të fajësoheshin ata që e shkelen ligjin, fajësohej pikërisht ligji. Ne e dimë se ligji nuk është i përkryer dhe më i miri i mundshëm, por në këtë rast nuk e kishte fajin ligji, por ata që e shkelen ligjin. Pra, nuk kemi problem me të njëjtin ligj, por me të njëjtit shkelës të ligjit të cilët sot e qeverisin vendin, pikërisht duke e shkelur ligjin.
Nga: Lirim GECI

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu