Jep dorëheqje vëllai i kryeministrit

0
651

(E plotësuar) Një javë pas përzgjedhjes në pozitën e drejtorit ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), Gani Thaçi ka paraqitur dorëheqje nga kjo pozitë.

Gani Thaçi, i cili është vëlla i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, sipas burimeve të gazetës “Zëri” dorëheqjen ia ka paraqitur të martën Bordit të Byrosë.

Dorëheqjen e Thaçit e ka konfirmuar për “Zërin” kryetari i Bordit të BKS-së, Rrahim Pacolli, pa dhënë më shumë detaje rreth arsyes së dorëheqjes.

“Kam informacion se Gani Thaçi ka ofruar dorëheqjen nga drejtimi i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, mirëpo nuk e di arsyen e vërtetë të dorëheqjes, sepse ende nuk e kam shikuar dokumentacionin”, pohon Pacolli.

Pacolli ka shtuar se fillimisht duhet ta shikojë arsyen e dorëheqjes, cilat janë shkaqet që e kanë detyruar drejtorin e ri të dorëhiqet dhe kush mund të jetë zëvendësues i Thaçit në BKS dhe më pas të bisedohet për pranimin, apo jo të dorëheqjes së Gani Thaçit.

Mirëpo, burimet e gazetës bëjnë të ditur se Gani Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të BKS-së për shkak të presioneve të shumta që u janë bërë kryeministrit Hashim Thaçi nga institucionet e ndryshme ndërkombëtare e vendore në lidhje me përzgjedhjen e vëllait në krye të Byrosë së Sigurimeve.

“Ka pasur kundërshtime të shumta pas përzgjedhjes së Gani Thaçit në krye të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, prandaj ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë”, shprehet burimi.

Gani Thaçi më herët ka qenë zëvendësdrejtor i Shoqatës së Kompanive të Sigurimeve nga e cila pozitë ka kaluar si drejtor ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS).

Kjo e fundit mbikëqyret nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe e përfaqëson Kosovën në byronë ndërkombëtare të kartonit të gjelbër. Ky mekanizëm mundëson kalimin e kufijve pa paguar sigurime kufitare shtesë.

Me rastin e përzgjedhjes së Gani Thaçit drejtor të BKS-së, Rrahim Pacolli kishte deklaruar për medie se Thaçi i plotësonte më së shumti kriteret për këtë pozitë.

Jozyrtarisht mësohet se në krye të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, pas dorëheqjes së Gani Thaçit, do të vijë ish-kryeshefi ekzekutiv i Postë Telekomit të Kosovës (PTK), Nuredin Krasniqi, i cili kishte konkurruar për drejtimin e BKS-së, mirëpo Gani Thaçi ishte zgjedhur drejtor ekzekutiv.

Bordi Drejtues i kësaj byroje në konkursin e hapur më 29 shkurt e të mbyllur më 6 mars të këtij viti kishte vënë si kriter që drejtori të ketë tre vjet përvojë menaxheriale. Thaçi, sipas Pacollit, kishte 3 vjet e gjysmë si zëvendësdrejtor në Shoqatën e Kompanive të Sigurimeve.

Gjithsej ka pasur dymbëdhjetë kandidatë për pozitën e drejtorit ekzekutiv, paga e të cilit arrin shumën prej rreth 4 mijë euro.

BQK e painformuar

Në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), e cila e mbikëqyr BKS-në, thonë se ende nuk kanë marrë kurrfarë njoftimin në lidhje me dorëheqjen e drejtorit të ri të BKS-së. Megjithatë, edhe ata pranojnë se jozyrtarisht kanë mësuar se Gani Thaçi ka paraqitur dorëheqjen.

Byroja Kosovare e Sigurimit është përfaqësuese kombëtare në Këshillin e Byrove dhe është përgjegjëse për të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në sistemin e kartonit të gjelbër. Kjo organizatë kryen edhe funksionin e Fondit të Kompensimit për pagesën e dëmeve të parashikuara me këtë ligj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu