Jeta dhe vepra e dëshmorit Xhemajli Berisha

0
776
Xhemaili Berisha

Liria i ka rrënjët në gjak: se po të jemi të bashkuar është bërë Shqipëria; armiku me i madh i njeriut të lirë është skllavi që e konsideron vetën të lumtur; çlirimi i atdheut është obligim jo vetëm ndaj të gjallëve, por edhe ndaj të vdekurve; lirinë nuk e meritojnë qyqarët, as frikacakët; kush nuk derdhë një pikë gjaku për tokë të vet, kush nuk jep asnjë qindarkë për të, ai s’ka të drejtë as të varroset në të. Janë këto disa nga thëniet që Xehmalji ua kishte ngulitur në mendje dhe në zemra mijëra nxënësve. Ai nuk kurseu as jetën në shërbim të çështjes madhore, çlirimin e trojeve etnike dhe bashkimin e tyre me shtetin amë. 

Xhemajli Berisha u lind më 17 prill 1958 në Brestovc të Rahovecit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Arbanë (Dushanovë) të Prizrenit, Shkollën e Mesme, Akademinë Pedagogjike, po në Prizren. Diplomoi më 18 maj 1982 në Universitetin e Kosovës, në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.

Si student mori pjesë në demonstratat e 11 marsit 1981 dhe në turmën e studentëve ku ishte i pari që brohoriti parullën “Kosova Republikë”. Po këtë ditë, më 26 mars, u arrestua dhe u mbajt një natë në burg. Xhemajliu, edhe pse studionte ekonominë, dëshira e tij ishte ta studionte historinë e letërsisë shqipe. Ai është krijues i talentuar, ku nëpërmjet shkrimeve shprehte shqetësimet jetësore nëpër fletore shënimesh, fletë ditari, sidomos nëpërmjet poezisë. Xhema mbante edhe ditarin e tij jetësor me shkrime autentike, autobiografike.

Ja se si i përshkruan në ditarin e tij ngjarjet e 11 marsit 1981: “…. Studentët ishin ngritur në grevë. Ju bashkuam edhe ne kësaj rrëmuje. Filluam të shprehim revoltën me britma. Kushtet i kemi shumë të vështira. Në një situatë të tillë s’do mend se është e paevitueshme demonstrata. Morëm udhëtimin nga qyteti. Dëgjoheshin thirrje të njëpasnjëshme: ‘Kërkojmë Republikë’, ‘Rroftë klasa punëtore’ etj. Me këto thirrje arritëm në shesh të qytetit, ku edhe u përleshëm me forcat policore. Demonstrata vazhdoi gjer në ora 16:00…”.

Xhemaljiu ishte militant i kauzës kombëtare, veprimtar i ilegales, në përpjekje për çlirimin kombëtar. Ishte i matur, i qetë dhe i vendosur, gjë që e vërtetoi edhe me qëndresën e tij finale. Xhemaljiu ishte nga ata burra që i japin rëndësi dhe peshë fjalës, që e mbajnë fjalën, që e ruajnë besën dhe nderin duke mos pasur frikë as nga ballafaqimi me vdekjen. Rëndësinë e fjalës së shkruar ai e shpreh edhe në ditarin e tij. Ja se ç’shkruan në ditarin e tij më datë 19 qershor 1981: “… Fjala ka fuqi dhe pushtet të madh. E qitur në letër ajo ka pushtet të pakrahasueshëm mbi imagjinatën e njerëzve, ajo sundon në kohë dhe hapësirë. Vetëm mendimi i kapur në rrjetën e germave jeton, vepron dhe krijon. Çdo gjë tjetër e merr era dhe e zhduk. Nëpër drejt e kulturës rrjedhin pikat e ngjyrës. Është e dobët ajo pendë që jetën e veprës se vet e mat me çastet kalimtare, është e dobët ajo pendë që nuk është e vetëdijshme se çasti duhet t’ia shtojë ato detyra dhe përgjegjësi që ia shton një shekulli i tërë…”.

Në shtator 1982 u punësua si mësimdhënës i lëndëve ekonomike në Gjimnazin e Prizrenit. Gjatë vitit shkollor 1987/88 kaloi me punë në Akademinë Pedagogjike si mësimdhënës i lëndëve profesionale ekonomike, në të cilën edhe ai ishte nxënës dikur. Veprimtaria edukativo-arsimore e Xhamajliut me nxënës ishte në nivelin me të lartë profesional. Xhemajli Berisha ishte brumosur me tiparet më të ndritshme të intelektualit guximtar qysh sa ishte në shkollën e mesme, e sidomos gjatë studimeve. Ai sfidonte pa kursim çdo dukuri negative qe shfaqej në shkollë apo fakultet, e sidomos të profesorët servilë e puthadorë të pushtetit.

Pikërisht pse i donte nxënësit, përparimin e tyre dhe të kombit, ai ishte i rreptë në kërkesa, por para se gjithash i rreptë ndaj vetvetes. E tmerronin intervenimet dhe tregtia me nota, familjarizmi dhe korrupsioni. Për këto dukuri antipedagogjike e antikombëtare Xhemajliu ngriti zërin edhe publikisht në të përditshmen e asaj kohe. “Rilindja”. Por, disa nga artikujt sfidues u penguan që të mos botohen, sepse pushtetet lokale ishin të lidhur drejtpërdrejt me pushtetin e klikës kolonizatore të Beogradit. Prandaj atyre u pengonte çdo përparim në fushën e arsimit dhe mu për këtë në secilën shkollë kishin instaluar qen roje të pushtetit, kolaboracionist të përbetuar që bënin seleksionimin negative të kuadrit arsimor. Xhemaljiun armiku e përcillte në çdo hap, e kishte në shënjestër vetëm pse ai kurrë nuk rrëshqiti në kënetën e pasioneve të imta meskine, sepse ai nuk merrej me çështjet që kanë vlerë vetëm për një ditë, një orë apo një çast. Ai aspironte vetëm çështjen madhore me vlerë të përhershme e të përjetshme, ardhmërinë e gëzuar, çlirimin dhe bashkimin kombëtar.

Xhemajliu gjithnjë ishte në mesin e të rinjve dhe fjala e tij, vepra e tij revolucionare, i frymëzonte ata dhe i parapërgatiste për beteja të reja kundër armikut.

Më 9 gusht 1985 Xhemalji Berisha shkon, pa dëshirën e tij, si shumë shqiptar të tjerë, në armatën okupatore jugosllave, në Shkofja Lloke, në Slloveni. Garnizonet e kësaj ushtrie ishin kthyer në laboratorë sprovash për të rinjtë shqiptarë. Edhe Xhemajliu në këtë laborator-burg të armatës, qëndroi për 12 muaj. Dosja e tij ishte e hapur. Sprovat përballoheshin burrërisht. Ja se si e shkruan një shoku në korrespodencën që mban datën 26 janar 1986: “…E kemi për detyrë që pikërisht në pengesa e vështirësi të dalim ngadhënjimtarë, e kemi për traditë që në të pamundurën ta gjejmë të mundurën, në të keqën ta ngjallim të mirën, në të ultën ta ngremë të lartën…”.

Ishte një kohë tmerri kur nënave shqiptare u ktheheshin bijtë e vrarë në arkivole të mbyllura hermetikisht me arsyetimin banal: “I vetëvrarë”, ose : “vrasës”, siç ndodhi me vrasjen e studentit Aziz Kelmendi me 3 shtator 1987 në Paraqin, vrasje kjo tejet mizore që ia plagosi zemrën Xhemajliut sepse Azizin e kishte shok të idealit dhe fqinjin e parë në Lagjen Arbana (dikur Dushanovë).

Kështu me durimin e tij të pashoq, pa lejuar që në ditarin e tij të jetës të këtë ndonjë zbrazësi, ndonjë ditë kotësie, mendja e tij e ndritur nuk harronte asnjë ngjarje, asnjë takim a bisedë me shokët e shumtë, polemikat, diskutimet e zjarrta në grupin e tij militant të OMLK-së, dhe të LPK-së.

Ngjarjet e nëntorit të vitit 1988 dhe ato të shkurtit 1989, të protestave dhe grevave të minatorëve të “Trepçë”-s, Xhemaljiun, e gjejnë në ballë të përpjekjeve patriotike, përmes të cilave, haptas kundërshtoi ndryshimet kushtetuese të Kosovës, të cilat okupatori serbosllav, më në fund i sendërtoi me dhunë, me zjarr e hekur. E tërë veprimtaria patriotike e Xhemajliut, me vëmendje dhe në vazhdimësi, përcillej nga shërbimi i sigurimit shtetëror serb. Më 17. 11. 1988, kur tërë Kosovën e kishte përfshirë vala e protestave për pesë dite me radhë kundër aplikimit të ligjeve diskriminuese e raciste, Xhemaljiu ishte i vetmi pedagog, i cili u priu nxënësve dhe bashkë me ta udhëtuan këmbë deri në Therandë, për të arritur në orët e vona të natës në Prishtinë duke kënduar këngë revolucionare e patriotike. Edhe me rastin e shpërthimit të grevës gjenerale më 20 shkurt 1989 të 1500 minatorëve të Kosovës, Xhemajliu ditë e natë qëndronte pranë nxënësve të tij, duke i mobilizuar shpirtërisht kundër diktaturës fashiste. Populli i sfidoi heroikisht armikun në vetëmbrojtje të ligjshme, kurse dhembjen për gjakun e qindra të rënëve në fushën e nderit, diti ta kthente ne forcë e guxim për beteja të reja në luftën e gjatë për liri.

Shumë intelektualë dritëdhënës e udhërrëfyes u arrestuan dhe u futën në kampet e izolimi, kazermat jugosllave u mbushen përplot me militante shqiptarë, kurse më trimat dhe më revolucionarët u ekzekutuan në mënyrën më mizore. Serbia i njihte shumë mirë se cilët ishin intelektualët e vërtet që herët a vonë do të dinin t’i tregonin popullit rrugën drejt çlirimit dhe t’i prinin atij ne beteja.

Pas grevës se minatorëve dhe demonstrative kundër aprovimit me dhunë të kushtetutës naciste të diktatorit Sllobodan Millosheviq më 27 dhe 28 mars 1989, policia sekrete serbe ishte tërbuar dhe e kishte në shënjestër çdo atdhetar e liridashës të Kosovës, por në veçanti ata ishin më revolucionarët e militantë pararojë.

Qysh më 20 mars 2989 kordoni policor rrethon shtëpinë e Xhemajli Berishës dhe arreston dy vëllezërit e tij, Skënderin dhe Ruzhdiun dhe i dërgojnë në burgun hetues të Prizreni. Tani ishte e qartë se UDB-ja e kishte syrin ta arrestonte Xhemajliun, që ishte truri dhe promotori i lëvizjes Çlirimtare të Kosovës, për trevën e Prizrenit dhe me gjerë. Në momentin, kur me se tepërmi i duhej Kosovës, Xhemajliu, arrestohet më 3 prill 1989, ne akademinë Pedagogjike, ku punonte si mësimdhënës. UDB-ja, bashkë me ca tradhtare e arrestojnë mësuesin e popullit, poetin militant, revolucionarin trim, dhe të lidhur në pranga e dërgojnë në burgun e Qarkut në Prizren, mu aty ku disa vite më parë kishte vuajtur dënimin e rëndë patrioti i shquar Rexhep Malaj dhe patriotë të tjerë. Po fillonte kështu një sprovë tjetër e rëndë, por Xhemajliu ishte kalitur me kohë për të përballur çdo situatë.

Presioni i parë mbi të ishte presioni psikologji, por kur nuk ia dolën ta nënshtrojnë e ta përkulin. Aty xhelatët bashkë me tradhtarët e trajtojnë mizorisht Xhemajliun trupi i kullonte gjak, por sa më shumë që egërsoheshin xhelatët e shfrynin mbi të, aq më i fortë tregohej para tyre. Ai nuk ishte nga ata që sa herë i godisnin xhelatët, tregonin shokët. Torturat zgjaten tri ditë e tri net. Xhelatët duke parë se Xhemajliu tani më ishte i alivanosur dhe nuk shpresohej të shpëtonte i gjallë nga torturat që i kishin bërë, bëjnë planin perfid të mbulimit të krimit.

E hedhin trupin e tij të pajetë nga dhoma e torturave, dhoma nr. 32, e katit të tretë të burgu, ishte ora tragjike 14 e 55 minuta, kur trupi i patriotit Xhemajli Berisha e skuqi me gjakun e tij të kulluar tokën e shenjt që e lindi.

Punëtorët e sigurimit shtetëror e dërgojnë Xhemajliun në spital në mënyrë që mjekët ta konstatojnë vdekjen dhe ta cilësojnë atë si “vetëvrasje”. Atë ditë ishte kujdestar mjeku Halil Berisha. Por, mjeku humanist e i guximshëm pa u hamendur ua përplasi në fytyrë gënjeshtrat duke thënë, “Ju vetë e paskeni vrarë mizorisht dhe tani doni ta mbuloni krimin! Dilni jashtë! Këto fjalë i kushtuan me jetë mjekut të guximshëm, kështu me 3 qershor 1989 policia sekrete dhe spiunët e helmojnë dhe e mbysin mjekun Halil Berisha.

Më 6 prill, pas tri ditë tortura, nga plagët vdekjeprurës Xhemajli Berisha, hyn në pavdekësi. Xhemajliu, ishte parimor dhe i pathyeshëm. Nga të gjitha keqtrajtimet fizike dhe psikike, u mbeti besnik qëndrimeve dhe veprimeve të tija, për lirinë e Kosovës, por, ku mbeten ata që ndihmuan në vrasjen e tij. Emrat e tyre janë të njohur sepse Xhemajliu i kishte shënuar këto emra, me qëllimin që tradhtarët të marrin dënimin e merituar.

Unë motra e Xhemajliut e gjeta një pusullë të shkruar me stilolaps me inicialet e emrave të udbashëve. Kjo pusullë që ekziston edhe sot.

Familja e Xhemajliut nëpërmjet avokatit të autorizuar ka ngritur kallëzimin penal më 29 shtator 1989 kundër katër punëtorëve të sigurimit shtetëror, në mënyrë që të ndriçohet rasti i vrasjes së Xhemajliut. Por ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi për vrasjen e Xhemajliut dhe shumë të rinjve shqiptarë që i mbytën në mënyrën me mizore. Xhemajliu, deri në fund u mbeti besnik idealeve dhe shokëve, me të cilët zhvilloi, veprimtarinë e tij atdhetare, pa dhënë asnjë fshehtësi që armiku e kërkonte. E tërë kjo qëndresë e tij, u kurorëzua me sakrificën me të shtrenjtë.

Edhe shumë gjak u dashtë të derdhet për lirinë e vendit. Amaneti i komandantit legjendar Adem Jashari dhe dëshmorëve të tjerë të lirisë na obligojnë të punojmë për të mirën e vendit.

Vepra e tyre duhet të nderohet dhe respektohet denjësisht.

Lavdi dëshmorit Xhemajli Berisha dhe dëshmorëve të tjerë të lirisë!

Shkruan:Hajrije Berisha 
(Autorja është motra e dëshmorit prof. Xhemajli Berisha)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu