Jeta e 17- vjeçarit delikuent

0
837

I mituri F.S. nga Prishtina është vetëm 17 vjeçar por ka përjetuar aq shumë të “zeza” në jetën e tij sa që do të ishin shumë edhe për një jetë të tërë. Ai ka mbetur pa prindër edhe pse të dy i ka gjallë e shëndosh.

Ka fjetur në parqe e kafene me javë të tëra, pa ditur se ku e zë nata e ku e zbardh dita.

Rasti i tij është ilustrativ për thënien sipas së cilës kur para vetes keni një të mitur delikuent, në të vërtetë para jush është viktima.

Viktima të cilit familja apo sistemi i kanë bërë shumë të këqija ndaj të cilave nuk ka pasur kush të reagojë me kohë.

E tillë është jeta e protagonistit të këtij rrëfimi, përmes gojës së babait të tij.

Një jetë e tillë , me aq probleme, e ka çuar edhe në punë të këqija, si përdorimi i marihuanës, përfshirje në incidente fizike, therja me thika e shumë të tjera.

Madje, atij i ka ndodhur që në mes të ditës, në sy të shoqërisë, ta kidnapojnë me dhunë e nën kërcënimin e armës, me pretekstin se kishte vjedhur diçka, edhe më keq, kidnapuesi ishte punëtor në një gjykatë në Prishtinë.

Prindërit e F.S. ishin ndarë kohë më parë dhe i riu së bashku me motrën e tij 9 vjeçare kishin shkuar të jetojnë më nënën e tyre H.K.

Me vendim të gjykatës, pas ndarjes, babai i fëmijëve B.S rreth të dyzetave, kishte të drejtë që çdo dy javë t’i vizitonte fëmijët dhe t’i merrte të qëndrojnë me të një natë, nga e shtuna deri të dielën, gjë të cilën nuk arriti ta bëjë asnjëherë ngaqë ish-gruaja e tij nuk e lejonte një gjë të tillë.

Pas kësaj përmes një vendimi tjetër gjyqësor Qendra për Punë Sociale në Prishtinë u obligua që çdo dy javë ta bëjë pranim-dorëzimin e fëmijëve nga nëna tek babai dhe anasjelltas, gjë të cilën nuk arriti ta bënte asnjëherë, me pretekstin se nëna kishte thënë se vetë fëmijët nuk dëshirojnë ta takojnë babanë.

Kur ishte zhvendosur në një shtëpi më qira diku në lagjen “Velania” në Prishtinë së bashku me nënën dhe motrën e tij, shtatëmbëdhjetëvjeçari u akuzua nga pronari i shtëpisë se kishte vjedhur disa gjëra në shtëpinë e tij, me vlerë mbi 10 mijë euro.

Pas kësaj, djalit ia ndalojnë qëndrimin në atë shtëpi, si e ëma, si pronari i shtëpisë, dhe ai mbetet “askund”. Ditë dhe net të tëra i kaloi duke fjetur në park dhe internet kafe, derisa një dite kishte shkuar te shtëpia e babait, në lagjen “Kodra e Trimave” ku kishte lindur dhe jetuar që nga fëmijëria, dhe atë ditë pronari i shtëpisë kishte banuar me qira, i cili edhe e kishte akuzuar për vjedhje.

Ai rrëmbeu djalin, të cilit pasi i kishte shkaktuar lëndime fizike e kishte dërguar në polici.

Ishte kidnapuar nën tytën e armës

Prindi i të riut F.S. ndihet shumë i indinjuar me pafuqinë e gjykatës e policisë që vendimi gjyqësor për vizitë fëmijëve të realizohet, por megjithatë sa është i tronditur për gjendjen e djalit problematik, edhe më shumë është i shqetësuar për gjendjen e vajzës së tij nëntëvjeçare ndaj të cilës ai pohon së nëna e saj ushtron terror të vërtetë duke e kërcënuar se do ta rrahë apo ta mbysë nëse takohet me babanë e saj.

Ai tregon si një ditë kishte shkuar të pyesë për vajzën e tij në shkollë, sepse nga shoqet e saj kishte dëgjuar se po mungonte disa ditë me radhë, dhe pasi ka shkuar aty e në zyrën e drejtorit e ka takuar edhe vajzën e tij që shumë rrallë e shihte vetëm nga larg.

Me të dalë nga shkolla ai kishte takuar mësuesen e vajzës e cila e befasuar e kishte pyetur.

“Çfarë i bëre vajzës? Ajo po qan e po dridhet”,e pastaj ai bashkë me drejtorin ishin habitur sepse biseda kishte qenë normale dhe e qetë.

Më pas, vajza, nën lot e frikësuar kishte thënë se nëna e saj do ta kuptojë që është takuar me babin për të cilën do ta rrihte pasi e kishte rreptësisht të ndaluar.

Babai i këtyre fëmijëve i ka të gjitha dokumentet gjyqësore që ia sigurojnë të drejtën për takim me fëmijë, por këtë nuk po mundet ta bëjë edhe me vajzën e tij, por vetëm me djalin që tashmë po jeton në shtëpinë e tij.

Ai dyshon se edhe ish- gruaja e tij po merret me “punë të këqija” dhe se vajza e tij po përjeton tmerre shumë të rënda me nënën e saj, e cila gjithashtu kishte bërë kërkesë që babait B.S. t’i hiqet e drejta prindërore ndaj vajzës së tij, kërkesë kjo që ishte refuzuar nga gjykata.

Sidoqoftë, rasti i kësaj familjeje nuk është rasti i vetëm i këtij lloji, ku fëmijët i vuajnë pasojat e problemeve ndërmjet prindërve. Me problemet e tyre këta prindër po rrisin fëmijë të traumatizuar, të cilët nuk mund të zhvillohen normalisht në krijimin e personalitetit dhe të ardhmes së tyre.

 

Nga: Tahir Lushi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu