Jo të gjitha partitë duan rrëzimin e Qeverisë “Thaçi”

0
727

Prishtinë, 10 shkurt – Kuvendi i Kosovës nesër vazhdon seancën e mbetur të javës së kaluar, në të cilën pritet votimi i rekomandimeve të dala nga debati i javës së kaluar për gjendjen e krijuar në Universitetin e Prishtinës. Kështu është vendosur sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit. Ndërkohë opozita, përveç Vetëvendosjes, aktualisht nuk shprehet e gatshme për të votuar rrëzimin e Qeverisë.Kuvendi i Kosovës vazhdon nesër seancën e javës së kaluar, në të cilën me një riformulim të pikës së parë pritet votimi i rekomandimeve të debatit të zhvilluar për gjendjen në Universitet. Ndërkohë shefat e grupeve parlamentare shprehen qëndrime të ndryshme rreth mundësisë së rrëzimit të Qeverisë, raporton RTK. Për këtë çështje, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, nuk ka dashur të japë ndonjë përgjigjeje konkrete. Ai tha se gjithçka varet nga grupet parlamentare“Këto analiza i bëjnë analistët. Ne nuk bëjmë analiza… Përsëri kjo varet nga grupet politike dhe nga partitë politike në Kosovë”, tha ai.

Porf, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se ata janë në gjendje ta rrëzojnë Qeverinë, por kjo do të bëhet e ditur me kohë. Madje ai theksoi se janë duke punuar në këtë drejtim.

“Për aq sa në duhet, për aq edhe do ta presim atë kohë. Sigurisht ne nuk i hymë një pune që nuk mund t’i dalim zot. Kur konsiderojmë se këtë mund ta bëjmë, edhe do ta bëjmë, por nuk japim afate. Nuk është qëndrim individual qoftë edhe e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, por është çështje edhe partisë. Ne jemi duke i bërë të gjitha vlerësimet dhe me kohë do të dalim me qëndrime”, tha ai .

Visar Ymeri nga Vetëvendosje tha se ky ka qenë synim i tyre që nga fillimi. Ndërkaq Ardian Gjini nga AAK konsideron se nuk është momenti i duhur, pasi qeveria vetë është duke u degraduar dita ditës.

“Nuk ka kërkesë. Arsyeja pse nuk ka është, besoj unë, e disafishtë. E para është se po provojmë ta ndryshojmë kodin zgjedhor. Ai ka kaluar në Komisionin për Legjislacion dhe të shohim si do të shkojë kjo çështje. E kemi thënë disa herë se është me rëndësi të ndryshohet kodi. Arsyeje tjetër është se disa herë, kur ka pasur votë bllok të opozitës e kemi parë se nuk janë 61 vota në opozitë. Një çështje tjetër që duhet përmendur këtu është se Qeveria po shkon tanimë me hapa të mëdha drejt degradimit. Ka degraduar dhe nuk e dimë a do të mund të qeverisë”, theksoi ai.

Këtyre deklaratave i është përgjigjur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili tha se kjo është dëshirë e opozitës që nga fillimi i qeverisjes së PDK-së.

“Dëshira e opozitës është gjithnjë të  vijë në pushtet edhe kjo është shumë normale dhe është shumë demokratike. Për katër vite rresht i keni dëgjua të njëjtat deklarata. Unë besoj se edhe për katër vite të tjera do t’i dëgjoni  këto deklarata. Unë them se koalicioni është shumë stabil. Iinstitucionet janë stabile.  Në mënyrë absolute. Kemi  pasur qeveri edhe më herët dhe e kanë provuar  edhe disa parti politike. Por ndaluni dhe referojuni gjendjes në terren dhe e them me përgjegjësi të madhe se ky vend dhe ky popull asnjëherë gjatë historisë së vet nuk ka pasur ndryshime më pozitive se sa ka pasur gjatë mandatit qeverisës të PDK”, tha ai.

Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit vendosi që përveç vazhdimit të seancës së javës së kaluar edhe të enjten të mbahet seanca e re, ku pritet shqyrtimi i disa projektligjeve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu