Jo UNIKOMB, por UKSH

0
734

Para dy ditësh më ra në dorë Statuti i Unionit Kombëtar Shqiptar (UNIKOMB), edhe pse nëpër mjegull kisha dëgjuar për një nismë të tillë. E lexova me përkushtim dhe më erdhi mirë që më në fund dikush në mënyrë më pragmatike, bashkëkohore e profesionale do për t’iu qasur çështjes kombëtare.

Nga ato që janë të shkruara, mungojnë edhe shumë gjëra, sepse nuk është thënë qartas, se në këto rrethana si mund të arrijmë gjer te ribashkimi kombëtar. Nenet 21, 24 dhe 47 duhet formuluar në kudër të rrethanave, realiteteve dhe mundësive vepruese, për të qenë më efektiv, më të kapshëm dhe më besnik kauzës kombëtare.

Së pari, partia e re në bazë të statutit është e emëruar Unioni Kombëtar Shqiptar, që në Nenin 1 me shkurtesë UNIKOMB, e që duhet të dilte UKSH, si rrjedhojë e logjikshme, që e përdorin të gjitha partitë. UNIKOMB- in ose Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar, siç e kanë njohur shumë atdhetar dhe dëshmor të kombit, madje një nga pjesët e aktakuzës për Ukshin Hotin ka qenë edhe platforma politike e kësaj partie, ka pushuar së vepruari pas pësimit të zgjedhjeve të vitit 2007. Udhëheqësi i saj, Muhamet Kelmendi, ka provuar disa parti për të qenë në kreun e tyre, sepse programi i UNIKOMB- it pak mund t’i sillte karrierë politike dhe ishte vështirë të pajtohej me këtë.

Po me këtë emër është munduar të manipuloj edhe lidershipi në kuadër të PUKSH- it, Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar me seli në Tiranë. Qëllimi i tyre ka qenë që të shfrytëzojnë kredibilitetin e Hlil Alidemit- themeluesit dhe Ukshin Hotit- ideologut, gjë që nuk kam dëshirë të ndodh nga këta të sotmit.

Të gjitha këto i thash për t’ua përkujtuar, se kjo parti, qoftë në Prishtinë (pas lufte) apo në Tiranë janë të regjistruara dhe vështirë e keni ta regjistroni me të njëjtën shkurtesë. Për të qenë trashëgimtare e UNIKOMB- it duhet të thirret Këshilli Kombëtar dhe për këtë kanë të drejtë ta thirrin vetëm dy veta: Azem Bekë Hyseni si anëtar më i vjetër dhe anëtar i Kryesisë së Partisë dhe autori i këtij shkrimi i cili e udhëhoqi këtë parti gjatë viteve 1996- 2000, ndërsa të tjerët kanë humbur të drejtën statutare dhe morale për të bërë një gjë të tillë. Ne nuk jemi për të penguar veprimtarin e ribashkimit të çështjes shqiptare, por jemi për të shtyrë proceset përpara, por edhe nuk do të lejojmë të nëpërkëmbët emri i Ukshin Hotit, siç patën vepruar disa individ e organizata politike, për të cilat kam shkruar më herët, sa herë e ka lypur nevoja.

Në një takim të mbajtur javën e kaluar në Pejë, pak a shumë, u pa se do të për tu shfrytëzuar kapitali politik, filozofik e kombëtar i Ukshin Hotit nga këta nismëtar. Aty janë parë edhe disa figura politike të shterura politikisht e moralisht, madje edhe nga ata që në kohën e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë diferencuar nga Ukshini dhe veprimtaria e Tij politiko shkencore.

Juve u mbetët për të parë dhe vepruar përbrenda moralit të çështjes kombëtare, por me të tillë njerëz pjesëmarrës në tubimin e Pejës, jo se nuk do të ecni përpara, por do të jeni në thumb të kritikës nga atdhetarët, sepse kështu edhe e pësoi Muhamet Kelmendi, duke ofruar rreth vetës njerëz pa kriter kombëtar e moral.

Janë bërë mjaft eksperimente me programe, platforma e statute për çështjen kombëtare, prandaj nuk dëshirojë që edhe ju të bëni një punë të tillë.

 

Prishtinë, 14.07.2011

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu