Juristët: Në Gjykatë Speciale duhet të ketë edhe gjyqtarë e prokurorë nga Kosova

0
758

koci

Avokati i njohur kosovar, Arianit Koci në një bisedë për Gazetën Blic ka thënë se në Gjykatën Speciale duhet të ketë gjyqtarë dhe prokurorë nga Kosova. Koci nuk ka dashur që të komentoj nëse shteti duhet të financoj apo jo të akuzuarit e mundshëm në këtë gjykatë.

Koci e ka komentuar edhe projektligjin për Mbrojtje Juridike dhe Mbështetje Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore, pranë Dhomave të Specializuara, që u miratua ditë më parë nga ekzekutivi.

“Qëllimi kryesor i këtij ligji është mbrojtja juridike dhe mbështetja financiare e personave të akuzuar potencial  në proceset gjyqësore dhe procedurat e ndërlidhura, për krimet e pretenduara pranë Dhomave të Specializuara. Me rëndësi është të ceket se ky ligj zbatohet ndaj çdo personi i cili akuzohet për krimet e pretenduara në procese gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, duke përfshirë mbrojtjen juridike për personat e akuzuar dhe mbështetjen financiare të anëtarëve të ngushtë të familjes së tyre për udhëtimet që ndërlidhen , me procedurat gjyqësore, që mbahen jashtë Kosovës”, thotë ai.

Sipas tij, ky ligj synon jo vetëm ta paguaj mbrojtjen juridike, por edhe ti mbështes anëtarët e familjes së ngushtë, pasi që pjesa më e madhe e veprimeve juridike në këtë proces do të realizohet jashtë Kosovës.

“Gjykata Speciale e ka fushëveprimin shumë specifik. Sipas Ambasadorit Clint Ëilliam”, ish-kryeprokurorit Special të Task Forcës Speciale Hetuese të Unionit Evropian, viktimat e krimeve që do të hetohen dhe gjykohen janë kryesisht Serbe, Romet dhe minoritet tjera, por gjithashtu edhe Shqiptarët Kosovar të cilët janë etiketuar si kolaboracionist të serbeve ose, kanë qenë oponent politik të lidershipit të UCK-së”, ka thënë Koci.

Ai thotë se krimet serbe nuk do të gjykohen nga kjo gjykatë.

“Nuk do të gjykohen krimet e Serbeve në Kosovë me këtë Gjykatë. Kriminelët serbë që kanë kryer masakra në Recak, Izbicë, Mejë, Rrezallë, Likoshan, Qirez,…, nuk do të gjykohen në këtë Gjykatë. Madje ka gjasa që shumë prej kriminelëvë që janë përgjegjës për këto krime nuk do të gjykohen fare”, ka thënë ai.

Shteti i Kosovës, sipas Kocit është para një sfide të madhe.

“Në njërën anë, jemi të vetëdijshëm që pas gjithë këtij presioni, një lloj Gjykatë është e domosdoshme”, thotë ai.

I pyetur nëse kjo gjykatë po formohet për shkak të dështimit të sistemit gjyqësor të Kosovës, Koci mendon se kjo nuk është arsyeja.

“Jo.  Kjo gjykatë nuk po formohet për shkak të dështimit të gjyqësorit Kosovar. Nëse flasim për dështime, duhet cekur se pas dyshimeve që janë ngritur ndaj gjykatave të UNMIK-ut dhe të EULEX-it, kush na garanton që e njëjta nuk do të ndodh edhe me këtë Gjykatë Speciale. Për më tepër, vet ish Kryeprokurori i SITF, ambasadori Clint Ëilliamson ka qenë në kohën e Unmik-ut, shef i shtyllës së drejtësisë”, thotë Koci për Gazetën Blic.

Ai madje pyet, si u bë që UNMIK paska qenë atëherë jokredibil e tash kjo gjykatë është kredibile?

“Mendoj që zgjidhja më e mire do të ishte, që në kuadër të kësaj gjykate të ketë edhe Gjyqtarë dhe Prokurorë nga Kosova. Kjo do të i jepte legjitimitet dhe kredibilitet kësaj Gjykate. Berllogun tonë, nëse ka duhet ta pastrojmë vet”, vlerëson ai.

Ai nuk ka dashur të jap komente nëse është i drejtë vendimi i ekzekutivit që të akuzuarve të hiqen shpenzimet nga ana e shtetit.

“Nga pozicioni i avokatit mendoj që nuk jam personi i duhur të përgjigjem në këtë  pyetje, por për këtë çështje le të vendosin deputet e Kuvendit të Republikës së Kosovë”, thotë ai.

Në anën tjetër, analisti nga Shkupi, Ramadan Ramadani thotë vendimi i Qeverisë së Kosovës për heqjen e shpenzimeve të të akuzuarve nga Gjykata Speciale, është legjitim.

“Në parim kjo është një vendim legjitim i qeverisë, por duhet kujdes të veçantë në ekzekutimin e këtij vendimi sidomos në dy aspekte: Njësimin e shtetit me të gjykuarit eventual në këtë gjykatë si dhe në reflektimin e këtij vendimi në realitetin heterogjen etnik dhe politik të Kosovës. Kjo pasi vendime të ngjashme me këto, më herët, në Maqedoni nuk patën pranim të mirë tek gjithë qytetarët dhe opinioni publik”, thotë për Gazetën Blic, analisti politik, Ramadan Ramadani.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu