Ka filluar votimi për kryetar të Kaçanikut

0
791

Kaçanik, 17 qershor – Ka filluar votimi në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Kaçanikut. Të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë, që në orën 7 të mëngjesit dhe sipas organizatave monitoruese, në orët e para të votimit nuk është shënuar asnjë problem i theksuar.

Shoqëria civile u ka bërë ftesë votuesve disa ditë me radhë të dalin masivisht në zgjedhje. “Një pjesëmarrje më e madhe e qytetarëve në votime do të thoshte një legjitimitet më i madh për kryetarin që do të zgjidhet”, ka theksuar Rina Demiri, zëdhënëse e OJQ-së INPO, pas performansës me moto: “Qytetar, qeverisja fillon nga Ti – Voto!”. Aja ka thënë se vota e lirë e gjithësecilit është me rëndësi për zhvilllimin e demokracisë në rrafshin lokal dhe në atë shtetëror. “Pjesëmarrja në votime është njëra ndër format e përmbushjes së obligimit moral të qyetarëve karshi vetvetes dhe karshi shoqërisë”, ka nënvizuar Demiri.

Komisoni Komunal i Zgjedhjeve në Kaçanik ka thënë t’i ketë bërë të gjitha përgatitjet për një proces të rregullt votimi. “Ndërkohë te ne ka ardhur edhe materiali i ndjeshëm i zgjedhjeve (fletëvotimet, vulat dhe listat e votuesve)”, ka theksuar Artan Mezraja, zyrtar ekzekutiv i KKZ-së, të shtunën. Ai ka rikujtuar se në listën e votuesve figurojnë emrat e 31.473 qytetarëve kaçanikas me të drejtë vote. “Qytetarët me të drejtë vote do të kenë mundësi të votojnë në 42 vendvotime të 16 qendrave të votimit”, ka thënë Mezraja. Votuesit do të votojnë sot për njërin nga pesë kandidatët në garë: Shukri Luta (31, “VV”), Besim Ilazi (32, PDK), Sahit Bela (33, LDK), Kjani Berisha (34, AKR) dhe Tahir Çaka (35, AAK).

D4D&INPO dhe “Demokracia në veprim” do ta monitorojnë procesin e sotëm të votimit. “Vëzhgues do të kemi në të gjitha vendvotimet, sikundër edhe një ekip mobil vëzhguesish”, ka thënë Valmir Ismaili i D4D-së. Ai ka pohuar se do të monitorohet edhe procesi i numërimit të votave. Ndërkaq, “Demokracia në veprim” ka thënë se do ta monitorojë vetëm procesin e votimit nga hapja e deri në mbyllje të vendvotimeve. “Do ta kemi nga një vëzhgues vullnetar në çdo qendër votimi dhe një ekip mobil vëzhguesish”, i ka thënë KD-së Besnik Ramadani i “DV”-së.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu