Ka vuajtur dënimin prej 6 vite e gjysmë, për vepren që se kishte bere

0
1419

Sedat Fejza

Sedat Fejza ka vuajtur dënimin prej gjashtë vitesh e gjysmë nën akuzuat se ka plagosur dy priftërinjtë në fshatin Mogillë në korrik të vitit 2000. Fejza tani ndodhet në shtëpi, por ka shumë për të treguar e për të rrëfyer.

Nuk heq dorë nga beteja e tij për të treguar pafajësinë dhe thotë se do të kërkojë rigjykim të rastit. Nuk më interesojnë dëmshpërblimet sepse vlera më e madhe e kësaj beteje është që unë të tregojë se jam i pafajshëm. Mauricio Salustra më mori në qafë sikurse edhe shumë arrestime të KFOR-it dhe të policisë së UNMIK-ut.

Më ndalën startin e jetës duke më shkuar jeta nëpër burgje të Bondstillit, UNMIK-ut e Dubravës. Sedat Fejza për rajonipress flet për të gjitha katrahurat e përjetuara, për rastin që mendon se është i montuar kryekëput, për luftën e tij në Gospiq të Kroacisë, për uniformën e UÇK-së në Dukagjin e Kosovë, luftën e zhvilluar në UÇK të Maqedonisë e UÇPMB të Kosovës Lindore.

Për burgun e Dubravës për të cilin thotë se i përngjan Alkatrazit të dikurshëm, për gjestin e tij në burg dhe momentet kur nga litari i vdekjes ka shpëtuar tre të burgosur, për takimin me fëmijët pas kaq vitesh. Fejza ka një porosi për sistemin e Drejtësisë në Kosovë. Më jepni rastin edhe njëherë kurse për KFOR-in kërkon që ta lënë rehat sepse mjaft ka vuajtur nga ndjekjet e tyre.

Sedat Fejza nga Mogilla e Vitisë është liruar nga burgu i Dubravës pasiqë vuajti dënimin prej 6 vite e gjysmë, dënim që e ka kontestuar në të gjitha rastet kur ai ka folur.

Megjithatë tani vitet e burgut kanë ikur e Sedat Fejza mendon t`i kthehet jetës normale. E ka të vështirë të pajtohet me faktin se ai ka vuajtur një dënim për një vepër që nuk e ka kryer. I ka të ruajtura të gjitha letrat, kontaktet, raportet, vendimet e gjykatave, dhe madje e ka siguruar edhe Ligjin penal të Kosovës për të kuptuar më shumë për veprën që i ngarkohej.

Sedat Fejza tani po e realizon ëndrrën e tij për të qëndruar afër vajzës dhe djalit për të cilët thotë se do të bënte gjithçka. Tani Sedati duhet të merret edhe me gjërat më elementare sepse vuajtjet në burgjet e ndryshme i kanë lënë pasoja dhe trauma nga më të ndryshmet.

“Nuk ndihem mirë ende, edhe pse jam në shtëpi, edhe pse po pijë kafe me fëmijët pas kaq vitesh. Ende më mundon brenga pse vuajta një dënim për një vepër që nuk e kam kryer” rrëfen Sedat Fejza, raporton rajonipress.

Fejza ka një grumbull të materialeve të cilat i ka ruajtur në burg.

“I kam studiuar të gjitha nenet e ligjet dhe pothuajse i kam mësuar përmendësh. Asnjë provë e vetme nuk është gjetur në rastin tim. As ekspertiza e gishtave nuk flet se unë isha kryesi i tentim vrasjes. Do të luftojë për këtë betejë për hir të fëmijëve të mi, për hir të fshatit po edhe vet serbëve. Në gjykimin tim ka pasur edhe një dëshmitar Novica Përzhiq i cili ka deklaruar se Sedat Fejza ditën kritike ishte duke punuar në arat e tij. Ky dëshmitar është vrarë ose helmuar qëllimisht nga serbët. Ka edhe dëshmitar të tjerë, e kryesori ishte KFOR-i i cili më ka parë fare mirë që unë isha duke e punuar tokën”.

Fejza thotë se plagosja e dy priftave në atë kohë mori konotacione të rënda me motivacion hakmarrje e urrejtje etnike.

“Tani po përgatitem për të fituar betejën për ta kthyer rastin në rigjykim. I kam falur të gjitha tashmë, edhe vuajtjet, edhe burgun, edhe deklaratat e serbëve nën presion. Gjithçka që dua ka të bëjë me luftën time për ta vërtetuar pafajësinë time. Padia do të bëhet edhe në Strasburg, edhe në Gjykatat e EULEX-it. Do kërkojë ballafaqim sepse njerëzit janë gjallë. Kam prova se ky rast ishte i montuar kurse unë isha viktimë”.

Sedat Fejza ka një qëndrim burrëror, por teksa flet për ikjet nga KFOR-i e policia e UNMIK-ut, teksa shikon fëmijët, sytë e tij e tradhtojnë për një moment.

“Pse të jetojnë tërë jetën fëmijët e mi me një barrë timen që nuk e kam kryer. Nuk e keni idenë se si kam vuajtur duke u torturuar e maltretuar nga KFOR-i e policia e UNMIK-ut. Ditën kritike KFOR-i më futën thesin në kokë dhe më dërguan në Bondstell. Edhe gruan ma kanë burgosur, kurse fëmijët sot janë të traumatizuar nga bastisjet e shumta e të shpeshta. Madje nuk e kuptojë pse tani KFOR-i sërish sillet afër shtëpisë sime”.

Sedat Fejza thotë se ka ndodhur që gjatë ikjes nga KFOR-i të ecë në këmbë zbathur në pikë të dimrit ose të zhytej në kanalizime të ndryshme vetëm për të mos rënë në duar të KFOR-it.

“Asnjëherë nuk kam ikur pse jam pjesë e fajit, por kam ikur sepse e dija që gjithçka do të përfundonte kundër meje”.

Fejza kishte jetën e mirë pas luftës.

“Isha ushtar në Gospiq të Kroacisë ku edhe u plagosa. Pastaj jam pjesëtar i katër luftërave dhe nga këto merita menjëherë hyra në TMK në vitin 2000. E doja ushtrinë e Kosovës , e doja uniformën për të cilën gati e dhashë edhe jetën. Por se po i përjetojë këto trauma e këto presione vërtet se kisha besuar kurrë” shprehet Fejza.

Fejza e pranon faktin se drejtësia e UNMIK-ut e më vonë edhe ajo e Kosovës eksperimentuan me ndjenjat e tij dhe me rastin e tij. Kur flet për Dubravën nuk len pa e përmendur një pjesë interesante.

”I kam shpëtuar nga vdekja sigurt tre të burgosur. Ua kam hekur litarin nga fyti. Ama mos harroni se Dubrava i përngjanë shumë Alkatrazit të dikurshëm. Aty ka shkelje të drejtave të njeriut” shprehet Fejza.

Fejza thotë se nuk ka ndejtur duarkryq në burg.

“I kam të shkruara mbi 50 fletore e ditar të ndryshëm. Shkrimi dhe leximi më kanë ndihmuar e shpëtuar në të kundërtën do isha sot i shkatërruar psiqikisht”.

Ndryshe Sedat Fejza nga Mogilla e Vitisë gjithmonë ka deklaruar se nuk është autor i plagosjes së dy priftërinjëve në Kllokot.

“Nuk kam qenë i implikuar në plagosjen e dy priftërinjve në Kllokot dhe s`kam fare të bëjë me ato vepra penale për të cilat jam dënuar në mungesë” pati thënë Fejza para trupit gjykues.

Trupi gjykues nuk e patë marrë parasysh as deklaratën e Novica Përzhiqit (1961) nga fshati Mogillë e Vitisë i cili patë deklaruar .

“Nën përgjegjësi të plotë materiale dhe penale deklarojë se në verën e vitit 2000 , në muajin korrik, ditën kur është shtënë në dy priftërinjtë e Kllokotit i dënuari Sedat Fejza nga Mogilla e Vitisë i dënuar për këtë rast, në kohën kur është shtënë në priftërinjtë ishte në shtëpinë e tij dhe është e pamundur që në këtë interval kohor të ketë qenë edhe në fshatin Kllokot, kur është gjuajtur në drejtim të priftërinjve. Për krejt këtë që kam parë unë i kam rrëfyer dhe treguar edhe lartmadhërisë-priftit dhe jam i gatshëm që të njëjtën dëshmi ta vërtetojë ku është e nevojshme, sepse konsiderojë që është obligim i imi qytetar që të dëshmojë për atë që kam parë me sytë e mi “pati deklaruar Përzhiq. /rajonipress/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu