Kadastra falsifikoi 10-hektarëshin

0
732

(E plotësuar)Prona 10-hektarëshe të cilës ia kanë mësyrë tash sa vjet grupe të ndryshme, ish-komandantë të UÇK-së, biznesmenë të lidhur me politikën e vetë politikanë, e me shumë dokumente kontestuese, është bartur zyrtarisht mbi Arben Bashotën, person ky i cili pretendon se e ka blerë 3.5 milionë marka nga serbi Marko Mitroviq, kurse ofron dëshmi vetëm për pagesën prej 600 mijë markave.

Pavarësisht që ka kaluar një dekadë kur kanë nisur telashet se kush të marr hise në pronën që dikur ka qenë shoqërore, prona dhjetë hektarëshe që gjendet në pjesën më të mirë të zonës industriale në dalje të Prishtinës, në letrat e Kadastrës Komunale të Prishtinës tashmë gjendet në emër të Arben Bashotës. Ndërkohë që në bazë të dokumenteve që posedon gazeta “Zëri” po i njëjti kadastër është stopuar tashmë nga prokuroria që të procedojë më tutje me këtë pronë nën dyshimin se i tërë procesi ka kaluar duke u bazuar në dokumente të falsifikuara.

Komuna nuk pranon të qartësojë se si ka ardhur deri te regjistrimi i kësaj prone në kadastër por tashmë kur pronës i ka vënë titullar privat në këtë rast Arben Bashota, çështjen ua lë në duar organeve të drejtësisë.

Drejtori i kadastrës Komunale, Shyqeri Spahiu, nuk pranon të flasë përkitazi me këtë rast ani pse vetë Shyqëri Spahiut, sipas Arben Bashotës, tri herë lënda e kësaj prone i është vjedhur nga zyra e tij. “Lënda është vjedhë tri herë në kadastër dhe unë kam shkuar sërish ia kam dorëzuar dokumentet komplete”, thotë Arben Bashota i cili prezanton dokumentet që tokën e ka regjistruar në Kadastër në qershor të vitit 2012.

Por Komuna e Prishtinës, përkatësisht drejtori i kadastrës, Shyqeri Spahiu, nuk preferon të japë as komentin e vetëm lidhur me këtë rast e madje as të qartësojë zhdukjen e disahershme të lëndës nga kadastra. “Ne nuk mund të japim të dhëna pronësore për palët e treta. Një gjë të tillë e ndalojnë ligjet në fuqi. Sa u përket problemeve pronësore që ka personi që përmendni, ai ato duhet t’i zgjidhë përmes organeve të drejtësisë. Komuna do të respektojë çdo vendim të saj”, ka qenë përgjigja e vetme që ka dhënë zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj.

Arben Bashota e ka regjistruar këtë pronë në kadastër, derisa në kadastër pronar i tokës para Arben Bashotës ka qenë Marko Mitroviq. Ky i fundit si pronar legjitim i tokës, në letrat e kadastrës figuron që nga viti 2004.

Prokuroria ndal kadastrën të procedojë pronën

Në bazë të dokumenteve që posedon gazeta po i njëjti kadastër është stopuar tashmë nga prokuroria që të procedojë më tutje këtë pronë nën dyshimin se i tërë procesi ka kaluar duke u bazuar në dokumente të falsifikuara. Hetuesia dyshon që edhe Marko Mitroviq e ka titulluar këtë tokë duke u bazuar në një vendim të vitit 1996. Por pavarësisht këtij vendimi, jozyrtarisht, gazeta ka mësuar se edhe në Agjencinë Kosovare të Privatizimit që është institucion i thirrur për të menaxhuar me pronën shoqërore, prona dhjetë hektarësh është në emër të Marko Mitroviqit.

Nga ana tjetër, as pas dy javë pritjesh nga Agjencia e Privatizimit përkatësisht nga zëdhënësi Ylli Kaloshi, gazeta nuk ka arritur që të sigurojë informacione zyrtare përkitazi me pronën në fjalë.

Edhe pse kjo agjenci, deri para një viti ka qenë në kontest gjyqësor me mbrojtjen e Marko Mitroviqit e me zyrtarë nga ish-ndërmarrja bujqësore në përpjekje për ta titulluar përfundimisht këtë pronë. Por, tash e një vit as gjykata nuk është duke u marrë me këtë rast dhe arsyen për moszhvillimin e këtij kontesti, nuk e tregon askush.

“Ajo pronë ka qenë pronë e kooperativës bujqësore Gorna Dobrevo” me seli në Fushë Kosovë dhe është menaxhuar nga Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”. Ndërmarrja “Bujqësia” këtë pronë e ka pasur në emër të saj edhe në letrat kadastrale. Ajo ka qenë nën emrin e “Bujqësisë” derisa është dalë një aktgjykim sipas të cilit prona është bartur në emër të një serbi nga Uglari (Marko Mitroviq). Ai pavarësisht pse në 2004-n e ka marrë atë tokë, ai kurrë nuk ka ardhur ta punojë atë, ne e kemi punuar e kemi korrur elb deri në 2008-n”, tregon historinë e kësaj toke problematike Ilami Maqastena, ish-jurist i ndërmarrjes “Bujqësia”.

Ndërkohë sipas mbrojtësit kjo tokë në vitet e 70-ta i ishte dhënë në shfrytëzim ndërmarrjes “Viadukt” nga Kroacia dhe kjo e fundit e kishte shfrytëzuar atë deri në fillim të luftës në Kroaci. “Aty përskaj rrugës kanë qenë të ndërtuara disa objekte që janë shfrytëzuar nga “Viadukti”. Rreth dy hektarë të asaj parcele ia kemi dhënë me qira Murat Tërrnavës dhe me sa di kontrata ka qenë pesëvjeçare. Ka qenë kontratë për qiramarrje ndërsa me sa di unë kontrata shkruan fort mirë që qiramarrësi nuk e gëzon të drejtën e ndërtimit të objekteve të karakterit të përhershëm por vetëm objekte të karakterit të përkohshëm”, thotë më tutje ish-avokati.

Pavarësisht që kishte pasur kontratë me të cilën nuk i ishte lejuar ndërtimi afatgjatë Murat Tërrnava, Hysen Shahini e Ismet Osmani – Curri, kishin ndërtuar në atë pjesë. Qiranë vazhdojnë ta marrin e Arben Bashota vazhdon të vrapojë pas institucioneve të drejtësisë në kërkim të pronës, për të cilën ai thotë se ka dhënë para.

Rihetim për Arben Bashotën

Arben Bashota vazhdon të këmbëngulë që prona është e tij. Atij tashmë i është stopuar parcelizimi ngase prokuroria po zhvillon hetime. Prokuroria po e heton mënyrën se si toka është regjistruar në kadastër dhe dokumentet fals mbi të cilat edhe është titulluar kjo tokë. E njëjta prokurori edhe vite më parë e ka hetuar Arben Bashotën.

Bazuar në dokumentet që ka siguruar gazeta, hetimet ndaj Arben Bashotës i ka zhvilluar prokurori Lulëzim Sylejmani.

Me një aktvendim të datës 14 nëntor 2006, Prokurori Lulëzim Sylejmani kishte bërë me dije se ka zhvilluar hetime dhe në mungesë provash ka mbyllur hetimet ndaj Arben Bashotës dhe të tjerëve që dyshoheshin se po tentojnë marrjen e kësaj toke me dokumente të falsifikuara.

“Deri te një përfundim i këtillë kam arritur nga shkaku se për të u argumentuar elementet e veprës penale të krimit të organizuar nevojitet që të ketë prova konkrete në bazë të të cilave do të provohej pothuajse secila rrethanë që i ka paraprirë marrëveshjeve për falsifikimin e dokumentacionit që i referohet parcelave të patundshmërive të cilat janë bartur në emër të personave të ndryshëm”, thuhet mes të tjerash në vendimin e prokurorit Sylejmani.

Bazuar në këto dhe elemente të tjera që ka konsideruar prokurori ai ka vendosur që asokohe të mbyllte hetimet me çka Arben Bashotës i ishte hapur edhe më rruga që ka shpie deri tek regjistrimi i pronës në kadastër.

 

Nga: Selvije Bajrami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu