Kadri Veseli: Azem Syla kurrë s’ka qenë pjesëtar i SHIK-ut

0
862

Për rreth gjashtë orë, ish-kreu i Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli, ka dëshmuar para trupit gjykues ndërkombëtar në Gjykatën Supreme të Kosovës të mërkurën, në rastin “Bllaca 2”. Ish-shefi i SHIK-ut, gjatë dëshmisë së tij, ka shpalosur detaje që nga themelimi, rekrutimi i agjentëve dhe deri te shuarja e këtij shërbimi. I pari i SHIK-ut, në deklaratën e tij para trupit gjykues, ka mohuar që ndonjëri nga gjashtë personat, Sadik Abazi, Fahredin Gashi, Driton Hajdari, Bekim Syla, Shaban Syla, si dhe Shpresim Uka, të cilët akuzohen se si pjesëtarë të SHIK-ut janë përfshirë në vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe tentativë-vrasjeje e Adem Salihajt, të kenë qenë ndonjëherë pjesëtarë të SHIK-ut. “Dua të sqaroj para medieve ardhjen time në seancën e mëhershme. Edhe atë ditë kam pasur ftesë me shkrim dhe kam ardhur ta respektoj vendimin e Gjykatës. Kërkoj falje, por nuk e kam ditur që nuk mund të qëndroj në seancë, sikur kam bërë”, e ka nisur kështu deklaratën e tij Veseli. Ai ka pohuar se që nga dita e themelimit të SHIK-ut, e deri në ditën kur ky shërbim ka përfunduar misionin, në qershor 2008, ka qenë shef i këtij shërbimi.

I pyetur nga prokurorja e rastit për disa nga emrat nëse ata kanë qenë ndonjëherë pjesëtarë të SHIK-ut, Veseli ka pranuar se disa nga ta kanë qenë pjesëtarë të këtij shërbimi, duke thënë se bashkëpunëtorët e tij kanë qenë Fatmir Xhelili, Naser Krasniqi, për të cilin ka thënë se e njeh shumë mirë dhe se ka një nga djemtë më të mirë. Në mesin e bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij ai ka përmendur Elmi Reçicën, për të cilin ka thënë se ka qenë zëvendës i tij në SHIK. Ndër të tjera, Veseli ka mohuar se Xhabir Zharku, Xhevat Bislimi, e disa të tjerë kanë qenë pjesë e këtij shërbimi. Përveç këtyre, ai është shprehur se nuk e ka takuar kurrë Ibush Kllokoqin, për të cilin duket se i kishte mbetur merak ta takonte. “Ibush Kllokoqin e kam njohur si emër, por nuk e kam takuar kurrë. Ka qenë rast i keq që nuk e kam takuar kurrë, pasi kam tentuar ta kontaktoj përmes një ish-punëtori të strukturave të shërbimit inteligjent serb, por nuk kemi pasur sukses. Ky ka qenë një aspekt profesional, që çdo vend i botës e ka bërë. Kemi pasur interes të parandalojmë çdo rrezik që ka mund të vijë nga faktorët destabilizues për Kosovën. Në baza vullnetare kemi pasur bashkëpunim me pjesëtarë të strukturave inteligjente serbe”, ka pohuar Veseli, duke shtuar se asnjë person tjetër më mirë se Kllokoqi nuk ka ditë se si funksionon Shërbimi Inteligjent Serb. Ai ka thënë se Adem Salihaj është takuar me një nga punëtorët e tij të SHIK-ut dhe ka mbajtur kontakt me të, për shkak të përgjegjësisë politike që ka mbajtur, dhe takimet janë mbajtur rregullisht. Për Dajakun ai ka thënë se herën e parë që ka dëgjuar për të ka qenë atentati kundër ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe se ka qenë truproje e tij. E ndërsa për Naim Miftarin, i cili është paraqitur si ish-agjent i SHIK-ut, ish-shefi i këtij shërbimi ka thënë se ai kurrë nuk ka qenë pjesëtar i shërbimit të tij.“Naim Miftari ka ardhur në zyrën time më 1999, si përfaqësues i Ministrisë së Rendit. Ai ka tentuar të manipulojë në emër të SHIK-ut, për zhvatje, kërcënime. Ndërsa, Azem Sylën, ka thënë se e njeh një kohë të gjatë dhe, sipas tij, është meritor për lirinë e Kosovës, por asnjëherë nuk ka qenë pjesë e SHIK-ut. Sipas tij, gjithë pjesëtarët, oficerët inteligjentë, pothuajse në mënyrë absolute, të gjithë pas procesit të rekrutimit, kanë kryer një trajnim, që ka zgjatur së paku 3 muaj, janë në kryer në më shumë se 3 vende jashtë Kosovës. Veseli po ashtu ka thënë se dëshmitari i mbrojtur, Nazim Bllaca, kurrë nuk ka qenë pjesëtar i SHIK-ut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu