Kadri Veseli: SHIK-un e krijuam në Rambuje

0
905

Ish- shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Kadri Veseli ka folur edhe një herë për planet e tij për të hyrë në politikë. Ai ka treguar për mënyrën e inkuadrimit të tij në veprimtarinë ilegale për çlirimin e Kosovës, kurse ka shpjeguar se për themelimin e SHIK-ut kishte një marrëveshje mes delegacionit të Kosovës që mori pjesë në Rambuje.

Edhe një herë shfaqet Kadri Veseli. Në një intervistë për emisionin “Pressing” të KTV-së, ai ka folur mbi arsyet pse nuk mund të rrijë anash zhvillimeve politike, ndërsa ka bërë publik lajmin se do të hyj në politikë.

Veseli kësaj radhe e ka shpjeguar mënyrën e inkuadrimit të tij në veprimtarinë ilegale për çlirimin e Kosovës, qysh në vitet e hershme si student dhe mandej rrjedhat tjera deri tek krijimi i UÇK-së dhe zhvillimet tjera që përcollën procesin e çlirimit të vendit.

Ish shefi i SHIK-ut tregon se strukturat ilegale për çlirimin e Kosovës qysh herët kishin bërë përpjekje për të vënë kontakte edhe me LDK-në e atëhershme të drejtuar nga Ibrahim Rugova, porse ky i fundit kishte refuzuar t’i takonte, madje kishe anuluar edhe një takim me Adem Jasharin.

“Ne jemi munduar që të kemi komunikim me klasën e atëhershme politike. Komandanti legjendar Adem Jashari në vitin 1992 ka shkuar në aeroportin e Tiranës për ta takuar Ibrahim Rugovën, por ky i fundit nuk ka shkuar. Pra, jemi munduar që të vejmë kontakte”, ka thënë ai, duke sugjeruar që për këtë të pyeten edhe njerëzit që kanë punuar me Rugovën.

Kadri Veseli ka rrëfyer edhe mënyrën e themelimit të SHIK-ut dhe strukturën e tij. Ai ka shpjeguar se për themelimin e SHIK-ut kishte një marrëveshje mes delegacionit të Kosovës që mori pjesë në Rambuje.

“SHIK fillesat e veta i ka pas një marrëveshje e cila ka qenë e palës pjesëmarrëse të delegacionit të Kosovës në Rambuje, pra Rugova, Thaçi dhe Qosja. Me aq sa di unë kanë qenë edhe nënshkrimet e Surroit dhe Shalës… Këtë kohë formohet edhe Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK). Ka qenë fundi i marsit ose fillimi i prillit”, ka theksuar ai.

Veseli tha se vlerësimet e tashme se SHIK-u nuk kishte legjitimitet janë absurde, sepse ajo strukturë kishte legjitimitetin në kërkesat e popullit për liri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu