Kadri Veselit i shuhet ëndrra për kryeministër

0
706

Hyri në politikë si anëtar i thjeshtë, por sakaq e zuri vendin e të dytit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), me ambicien që të ngjitet në majat e pushtetit për të marrë postin e kryeministrit të vendit.

Por, vetëm brenda një periudhe të shkurtër kohore kjo ambicie e Kadri Veselit u shua, pasi që me ardhjen e tij në krye të  PDK-së shumë gjëra morën tatëpjetën.

Subjekti politik ku Veseli është zëvendëskryetar pësoi debakël në zgjedhjet e fundit lokale. PDK humbi disa Komuna të rëndësishme dhe njëkohësisht partia u nda në dysh. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe deputeti Fatmir Limaji thanë lamtumirë subjektit që e krijuan 15 vite më parë, duke nisur betejën e re politike në subjektin me emrin “Nisma për Kosovën”, ku pas vetes morën zyrtarë dhe simpatizantë të PDK-së.

Tatëpjeta e Veselit

Por, jo vetëm kaq, ish-shefi i SHIK-ut pësoi “fiasko” edhe në qytetin prej nga vjen, Mitrovicë, pikërisht nga bashkëvendësit e tij, humbje kjo që e dëmtoi imazhin e tij në masë të madhe dhe “ëndrrën” për të marrë “timonin” e qeverisë dhe për të qenë lider i partisë.

Ky është vlerësimi që kanë dhënë analistët politikë rreth faktorëve që kanë ndikuar që pretendimet e Kadri Veselit për të marrë postin e shefit të qeverisë të shuhen.

Analisti Halil Matoshi thotë për gazetën “Zërin” se ish-shefi i SHIK-ut vazhdimisht ka qenë prapa skenës politike, por që i ka udhëhequr gjithë veprimet taktike dhe strategjike të PDK-së. “Inkuadrimi zyrtar i tij në PDK përkatësisht në pozitën e të dytit shkaktoi pakënaqësi të themeluesit e PDK-së, respektivisht tek Limaj dhe Krasniqi. Prandaj, Veseli është njëri nga shkaktaret e fraksionit të PDK-së. Por edhe humbja e Mitrovicës e ka dëmtuar imazhin e Veselit, si një pretendent për postin e kryeministrit dhe për të qenë lider i PDK-së”, ka thënë Matoshi.

Ndërkaq, analisti Avni Zogiani thotë se disa njerëz që u kanë shërbyer serviseve të ndryshme të sigurimit, thjesht kanë bërë punë operative për struktura tjera, gjate këtyre viteve kanë krijuar bindjen se janë të përgatitur dhe të rëndësishëm.

“Mendoj se kjo ka ndodhur me Kadri Veselin, i cili e ka bindur veten se është shumë më ndikim dhe ka zotësi speciale. Por, ka qene një zhgënjim në secilën paraqitje të tij në publik. Kur u ngrit në krye te partisë kam përshtypjen se ai shfrytëzoi po ato metoda që shfrytëzonte si shërbim i inteligjencës. Por, politika bëhet në fushë të hapur dhe zakonisht me cilësitë e një operatori të shërbimit të inteligjencës nuk shkohet larg”, ka thënë Zogiani.

Fuqizimi i Thaçit në PDK

Sipas Zogianit, ish-shefi i SHIK-ut nga koha e kyçjes në politikë nuk ka arritur të jetë bindës, duke mos i pasur cilësitë që ka pretenduar se i ka.

“Ka edhe një aspekt të kësaj se Thaçi qe përgatitur të shkojë në kandidim si President dhe prandaj supozohej se lirohet vendi i kryeministrit për Veselin. Por, fakti se PDK rrezikon të humbë shumë tani për shkak të rënies drastike të popullaritetit, ndarjes dhe arsyeve tjera, Thaçi dhe PDK nuk duan te rrezikojnë me një kandidat tjetër për president”, ka thënë ai.

Ndërkaq, njohësi tjetër i zhvillimeve politike, Fadil Lepaja, konsideron se figurat që dëshirojnë të kalojnë nga shërbimet në politikë e kanë një periudhë adaptimi, sepse natyra e punës dallon. Megjithatë, sipas tij, ish-shefi i SHIK-ut jo vetëm që është 1-shi në PDK, por është edhe i shtetit. Se Kadri Veseli synonte majat e pushtet, kjo nuk është mohuar asnjëherë edhe nga vetë lidershipi i PDK-së.

Madje, kryeministri Thaçi, i cili është kryetar i PDK-së  në një intervistë dhënë medieve kosovare pati përjashtuar mundësinë e rikandidimit të tij për një mandat të tretë, por që nuk e pati mohuar mundësinë se pasardhës i tij të jetë Kadri Veseli.

“Një gjë është e sigurt, PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet edhe në mandatin tjetër, por unë nuk dua të jem kandidat për kryeministër. Z. Veseli dhe një pjesë e madhe e lidershipit të PDK-së kanë kapacitete të fuqishme për udhëheqje, ekzekutive, presidenciale dhe legjislative. Puna e z. Veseli në PDK paraqet energji, kreativitet organizativ dhe ideor për realizimin e qëllimit dhe vizionit evropian për PDK-në në Kosovën evropiane”, pati deklaruar Thaçi në një intervistë dhënë për njërën nga mediat kosovare.

Por, tashmë duket se gjërat kanë ndryshuar dhe është pikërisht zëvendëskryetari i parë i PDK-së, Kadri Veseli, i cili e ka propozuar Hashim Thaçin për pozitën e kryeministrit për katër vitet e ardhshme.

“Kryetari i partisë, Hashim Thaçi, ka përkrahjen tonë absolute edhe për një mandat qeverisës katërvjeçar. PDK ka eksperiencën e mbi gjashtë viteve qeverisje të suksesshme në vend”, ka thënë Veseli në rrjetin social “Facebook”.

Ndërkohë që gazeta ka bërë përpjekje të vazhdueshme që të kontaktojë me zëvendëskryetarin e parë të PDK-së dhe zyrtarë të tjerë të partisë, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

 

Nga: Lumturie Blakaj


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu