Kah t’ia mbajë Thaçi?

0
839

Më në fund doli dikush në PDK që paska k… që, siç do të thoshte malësori: ato që ia ka falë Zoti nuk i “ban për s’randi” por ka guximin t’i thotë gjërat troç, ashtu siç janë. Dikush nga brenda vetë Partisë Demokratike të Kosovës që publikisht e kundërshtoi kryeministrin Hashim Thaçi. Është sekretari i përgjithshëm i partisë, dhe ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ai që ia bëri të qartë kryeministrit se ai nuk është Zot.

Ai madje nuk e përjashtoi as mundësinë e largimit nga PDK-ja, nëse partia do të udhëhiqet në këtë formë siç e quajti ai, diktatoriale. Por, para se Krasniqi të dalë hapur kundër Thaçit, javën e kaluar në mbledhjen e Kryesisë së partisë, atë e sfidoi fuqishëm edhe nënkryetari i parë, Fatmir Limaj.

Sipas burimeve të gazetës, Limaj i mbështetur edhe nga Krasniqi kërkuan përgjegjësi nga Thaçi për të gjitha zhvillimet në vend, duke filluar nga dialogu me Serbinë, funksionimi i koalicionit me AKR-në, marrëveshjen për zgjedhjen e presidentes, zgjedhjet e brendshme partiake e deri te privatizimi.

Krasniqi e Limaj si ndër njerëzit më të fuqishëm të partisë, si duket e kanë ndarë mendjen që ose ta demokratizojnë partinë, që rrjedhimisht nënkupton edhe qeverisjen në vend, ose të heqin dorë përgjithmonë nga partia, që e themeluan vetë. Mënyra se si ata kundërshtuan jo vetëm udhëheqjen e Thaçit, jo vetëm me partinë, por edhe me vendin, mund të konsiderohet diçka e guximshme për Kosovën edhe pse në një vend tjetër, normal e demokratik, nuk do të përbënte madje as lajm.

Ky “rebelim” i Krasniqit dhe i Limajt, nëse do të injorohet nga ana e kryetarit Thaçi, pa asnjë dilemë se do të ketë pasoja, jo vetëm për PDK-në, por edhe për funksionimin e mëtutjeshëm të Qeverisë së Kosovës. Nëse do të ndodhte largimi eventual i tyre, PDK-ja me gjasë nëse nuk do të ndahej në gjysmë, do të dobësohej tej mase, sidomos pasi kjo ndodh në kohën kur partia i është nënshtruar një sistemi diktature dhe ku vendimet i merr vetëm një njeri- Hashim Thaçi.

Reagimi i nënkryetarit dhe i sekretarit të përgjithshëm të PDK-së, me gjasë e ka zënë në befasi edhe vetë kryetarin e partisë, Hashim Thaçi, duke mos ditur ka t’ia mbajë.

Në njërën anë, Thaçi gjendet nën presionin e Krasniqit dhe Limajt për ndryshimin e mënyrës së udhëheqjes së partisë, e sidomos për mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve, në të cilat këta dy të fundit kërkojnë një garë korrekte, derisa në anën tjetër, po mundohet që pa iu nënshtruar garës korrekte partiake, të fusë në organet më të larta udhëheqëse të partisë njerëz që e mbajnë atë të fuqishëm dhe ata që i servilen…

Kjo situatë e ka futur Thaçin mes dy zjarreve. Që t’ua mbajë krahun Jakup Krasniqit e Fatmir Limajt, dhe t’i detyrojë ata që e mbajnë të fortë në parti dhe servilët që i kryejnë shumë punë, t’i nënshtrohen garës nga pika zero, që shumë prej tyre do t’i eliminonte gjatë rrugës, apo të “ndahet” përfundimisht nga ish-shokët. E bashkë me ta edhe nga një pjesë e madhe e elektoratit.

 

Nga Adrian Çollaku

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu