Kapet grupi i terrorit dhe vrasjeve seriale

0
691

Policia: Julian Sinanaj ka kryer mbi 22 vrasje

Policia e Shtetit ka dhënë sot detaje lidhur me ngjarjet në të cilat është përfshirë vrasësi serial, Julian Sinanaj. Nga hetimet rezulton se, Sinanaj ka ekzekutuar dy persona në Vlorë, si dhe është përgjegjës për vendosjen e lëndës plasëse në banesën e Ardian Kollozit dhe makinën e Prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Gjithashtu, Sinanaj akuzohet se është i përfshirë në 20 vrasje të ndodhur jashtë Shqipërisë. Këto vrasje, ai i ka kryer kryesisht në Greqi. 27-vjeçari akuzohet se është pjesë e një grupi terrorist, i përfshirë në shumë krime.

Grupi i përfshirë në ngjarje kriminale në disa qytete

Për herë të parë Policia e Shtetit ka arritur të zhvillojë hetime të gjithanshme mbi persona të dyshuar si vrasës me pagesë dhe aktivitete të rënda kriminale, duke zbardhur zinxhirin e plotë që nga porositësi i vrasjeve, te ndërmjetësit e deri te ekzekutorët e vrasjeve qoftë me armë qoftë me eksploziv. Policia e Shtetit ka zbuluar një grup të strukturuar kriminal, i cili sipas të dhënave të para të hetimit dyshohet të jetë përfshirë në një sërë ngjarjesh të rënda të ndodhura në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës, në një hark kohor prej rreth 2 vjetësh.

Si rrjedhim i një operacioni të gjerë policor, pas hetimeve intensive Drejtoria e Policisë Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, Departamentin për Krimin të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë e Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë bëri të mundur dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të shtetasve:

1.Julian Sinanaj, 31 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Vlorë, i pa dënuar më parë.

2.N.Gj, 30 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i padënuar më parë.

3.Genis Bardhyl Mëhillaj, 43 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i pa dënuar më parë.

4.Andon (Erion) Ismet Mëhillaj, 39 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i pa dënuar më parë.

5.Marion Mitro, 42 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i pa dënuar më parë.

Policia ka mundur të arrestojë shtetasit J.S, N.GJ dhe Marion Mitro dhe njëkohësisht të parandalojë vrasjen e një biznesmeni, e cila ishte porositur dhe ishte duke u realizuar nga personat e lartpërmendur. Ndërhyrja në kohë e policisë bëri të mundur që të dështonte plani i vrasësve dhe të shpëtohej jeta e biznesmenit.

Mitro, porositësi i ekskluzivit për Dervishin

Në kuadër të këtij operacioni, policia ka mundur të arrestojë sot paradite në aeroportin “Nënë Tereza”, shtetasin Marion Mitro, teksa tentonte të largohej jashtë vendit. Policia e kishte nën mbikqyrje Mitron dhe ka ndërhyrë në momentin e duhur për ta ndaluar atë.

Ky shtetas dyshohet se është porositësi i lëndës eksplozive që u vendos në automjetin e Prefektit të Vlorës në datë 13 dhjetor 2013 dhe që u zbulua në hyrje të godinës së kryeministrisë.

Ndërsa Genis Mëhillaj dhe Andon (Erion) Mëhillaj janë shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka vendosur ndaj tyre masën e sigurisë arrest me burg për veprat penale “Vepra me qëllime terroriste”.

Marjon Mitro mësohet se aktualisht kryente detyrën e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Vendor në qytetin e Vlorës, ndërsa ka edhe një biznes të tij, bar kafe dhe restorant, në zonën e Ujit të Ftohtë.

Policia: Ja veprat ku janë përfshirë të arrestuarit

Nga veprimet hetimore proceduriale të kryera ka rezultuar se shtetasit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorët e dyshuar të një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, ndër të cilat:

1.Vrasja e shtetasit Sokol Veizi, më datë 26 gusht 2012 në Orikum të Vlorës;

2.Vrasja e shtetasit Agron Çela, në datë 20 gusht 2013 në Vlorë.

3.Vendosje e lëndës plasëse në banesën e shtetasit Ardian Kollozi, më datë 1 qershor 2013 në Vlorë.

4.Vendosje e lëndës plasëse në automjetin e Prefektit të Vlorës Besnik Dervishi, në datë 13 dhjetor 2013 në Tiranë.

5.Vendosje e lëndës eksplozive në motoçikletën e shtetasit E.B. në rrugën Transballkanike në Vlorë më datë 24 tetor 2013.

6.Vendosje e lëndës eksplozive në automjetin e shtetasin E.B. në Vlorë në datë 31 gusht 2013.

Gjithçka ka nisur pak ditë më parë, me arrestimin e shtetasit J.S, 30 vjeç nga Vlora, i cili ishte mbajtur në vëzhgim nga policia e Tiranës, pasi dyshohej ai autor i mundshëm i disa veprave të rënda penale dhe person më rrezikshmëri të lartë, pasi kishte njohuri të posaçme në prodhimin dhe vendosjen e eksplozivave të telekomanduar.

Ky person përveç aktivitetit kriminal në vendin tonë, dyshohet se është autor i mbi 20 vrasjeve me pagesë si dhe veprave të tjera penale të rënda në shtetin grek.

Zbulohen 10 bomba me telekomandë

Me cilësinë e provës materiale në banesën që jetonte me qera shtetasi J.S. në Tiranë u sekuestrua një arsenal i tërë armësh dhe lëndësh plasëse me telekomandat përkatëse:

1.Një Armë zjarri Pistoletë e markës CERVENA ZASTAVA me 15 copë fishekë;

2.Një Armë zjarri pistolete me dy krëhëra më 15 copë fishekë;

3.Një Armë zjarri Scorpions, zhurmë zbutës(silensiatorë;

4.Një armë zjarri pushkë automatike Mod 63 “Snaiper”;

5.Kallepe eksplozivi te dyshuar si Tritol;

6.347 cope fishekë arme zjarri të kalibrave të ndryshëm;

7.Granata dore mbrojtese copë 3;

8.Lëndë plasëse e dyshuar si C4;

9.Kapsolla elektrike detonatore copë 8;

10.Ndezes detonator per granata dore copë 3;

11.Pajisje adaptor për aktivizim nga distanca të lëndëve shpërthyese;

12.14 cope aparat telefonik celulare të markave të ndryshme;

13.Bateri telefonash celulare te markave te ndryshme copë 9;

14.Aparat fotografik i markës CANON me fotografi të personave të ndryshëm;

15.Tablet elektronik i markës SAMSUNG me pamje filmike;

16.6 copë karta memorie;

17.Targa automjeti AR 003JT, kapuc deveje, doreza për punime te ndryshme;

18.Tel përcjellës me ngjyrë të kuqe dhe të verdhë, shirita ngjitës, kaçavida të ndryshme për punime të imëta, çelësa të ndryshëm, gërshërë me dorezë plastike pajisje elektrike INVERTER, bateri 12 volt;

19.Një Jelek antiplumb, veshje të ndryshme, doreza ebaniti për armë zjarri pistoletë, doreza të gomuara;

20.Mbajtëse copë 8 kartë telefonike të kompanive të ndryshme telefonike, spina karikues, fisha dhe pajisje Bluetooth;

21.Pasaportë dhe dokumenta në gjuhën greke në emër të J.S.;

22.Libreza dhe fatura për transferta bankare ne emër të këtij shtetasi;

23.Lekë Shqipetare në shumën 52000 lekë të reja;

 

Dervishi: Në Vlorë të gjithë e dine se cilit klan i shërben Mitro

Prefekti i Vlorës, Besnik Dervishi, reagon përmes “A1 Report” në lidhje me arrestimin e Marjon Mitros, si personi i dyshuar që i ka vënë lëndën eksplozive C4 në makinën e tij.

“Nuk e njoh dhe nuk kam pasur asnjë kontakt me të arrestuarin”, ka thënë Dervishi gjatë një komunikimi për “A1 Report”, ndërsa shton se “Në Vlorë, e njohin se i kujt klani i përket dhe i shërben. Kam pasur besim tek policia dhe shteti në tërësi. Kam besim se kësaj çështjeje do t’i shkohet deri në fund”.

I pyetur nga “A1 Report” se, çfarë ka parasysh me fjalën klan, ndonjë klan zyrtar, partiak ose lokal, Prefekti i Vlorës Besnik Dervishi thotë se “kjo ngjarje dëshmoi se, krimi i organizuar mund të prekë edhe nivele të larta”.

/Shekulli Online/ E.L./

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu