“Kasaphanet shëndetësore” të Shaip Mujës

0
966

E shtrirë mbi tavolinën e lindjes, duke qarë nga dhimbjet, nuk i afrohet askush për t’ia lëshuar njëherë sytë. E vetme në sallën e lindjes, pa ndihmën e askujt, është përballur me tmerrin për gjashtë orë. Dhe vetëm atëherë kur nis të bërtet me të madhe, “t’ia shpëtojë dikush fëmijën”, sepse ndjen se po e humb vetëdijen, një infermiere gjakftohtë i thotë se fëmija është gati të dalë dhe se duhet nisur procedurën e lindjes.

”Nisa të humbisja shikimin, nga mundi e dhimbjet që përjetova, ndjeja se po më çahej barku, doja vetëm fëmija të më shpëtonte dhe asgjë tjetër”, tregonte ajo teksa fliste për “kasaphanen” që ka përjetuar në Repartin e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare, pak muaj më parë. Pasi lind fëmijën, gjakderdhja nis t’ia përfshijë organet. E fusin urgjentisht në sallën e operimit për t’ia ndalur gjakderdhjen e brendshme dhe mezi ia shpëtojnë jetën.

Gjithçka përfundon me një kërkim-falje, dhe vetëm atëherë kur e kishin kuptuar se kjo grua, e cila gati humbi jetën për shkak të pakujdesisë së tyre, është gazetare.Tjetra me djalin e saj në duar, tërë natën i kishte lutur sa me një repart, sa në tjetrin duke iu përgjëruar mantelbardhëve t’ia jepnin një injeksion kundër alergjisë që ia kishte zënë frymën dhe gati mbyti djalin e saj 3-vjeçar. Apo, ai i cili ka paguar 6000 euro për të vënë stendat në zemrën, dhe pak muaj pas operimit, vdes nga kanceri, dhe stendat vërtetohen t’i jenë vënë pa nevojë …

Enea nëntëmuajsh, rasti i së cilës alarmoi opinionin, kur u zbulua se iu amputuan gishtërinjtë për shkak të neglizhencës së mjekëve në Kosovë. E sa e sa raste të tjera tmerri që dëgjohen të përjetojnë çdo ditë qytetarët e Kosovës, të cilët luftojnë me vdekjen përpara atyre që s’kanë fije mëshire, dhe të sëmurët i shohin vetëm si pacientë të pasdites.

Janë po këta mjekë që sot janë revoltuar dhe kanë frikë mos me Ligjin për Shëndetësi do t’iu ndalohet të mbajnë dy vende pune. Shumë prej këtyre mjekëve që u ka dalë nami se “janë më të mirët”, të cilëve nga orari i pasdites me të “sëmurë të paradites” fitojnë me mijëra euro brenda muajit, iu ka rastisur të kenë një përkrahës nga partia më e madhe në pushtet – PDK, në Kuvendin e Kosovës. Jo pse ky deputet i PDK-së e ka dertin e këtyre mjekëve, por ai e ka zorin e vet. Shumë nga këta mjekë gjatë ditës punojnë në spital, kurse pasdite janë të punësuar në ordinancën private të gruas së tij, “Anaderm”, të cilët i çojnë pacientët e QKUK-së, përmes të cilëve “mjel” me mijëra euro.

Shaip Muja me fuqinë e tij prej zyrtari të lartë të PDK-së, kur e pa se po i rrezikoheshin goxha para të majme, arriti të mbledhë nënshkrimet edhe të disa deputetëve të tjerë, secili prej të cilëve e lidh një interes me këtë “kasaphane shëndetësore”. Ai bëri çmos të mos lejojë të kalojnë nenet e Ligjit për Shëndetësi ato që kanë të bëjnë me mënyrën e punësimit të punonjësve shëndetësorë. Ku mjekët janë të obliguar të zgjedhin ose të punojnë në sektorin publik ose në atë privat. Kjo përpjekje mori mbështetje të madhe sepse nuk janë të paktë ata që vetëm për një pasdite marrin me qindra euro nga vizitat të cilat rrallë herë mund të kushtojnë 10 euro.

Këta mjekë milionerë që parkojnë BMWX5, Range Rover, Audi e të tjera vetura luksoze në oborrin e QKUK-së, nuk mund ta përballojnë kalimin e këtij ligji në Kuvend. Dhe është po ky zyrtar i PDK-së pasuria familjare e të cilit i figuron me miliona milionë euro në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), i cili po bënë çmos që të mos kalojnë nenet që ia “ndalin bukën”. Prej vitit 1999 e deri më 2012 pasuria familjare e Shaip Mujës është shtuar për mbi 2.1 milionë euro, sipas deklarimeve të pasurisë, bëhet fjalë për blerje të tokës, lokaleve, banesave. Ky zyrtar shumë i afërt me kryeministrin e Kosovës, i cili për një kohë i ka lëshuar në shfrytëzim edhe banesën në Prishtinë, ka bindur Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës e cila më 7 mars ka mbajtur seancën dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së parashtruar nga Muja.

Gjykata pasi që ka pranuar kërkesën me të cilën janë kontestuar nenet 18, 19, 41 dhe 60 të Ligjit për Shëndetësinë, 04/L-125, më 24 dhjetor 2012, ka nxjerrë vendimin për pezullimin e dispozitave të këtyre neneve. Në këtë rast pezullohen nenet që janë në interes të popullatës duke i favorizuar ata që përfitojnë nga ky vendim, Shaip Muja me “ekipin e tij”. E ndërkohë, pacientët që gjatë ditës u përplasen dyert përpara hundëve, dhe në mënyrën më johumane trajtohen, mbesin duke u endur nëpër korridoret e QKUK-së. Vëmendjen e tyre mund ta fitojnë vetëm pas orarit të punës, kurse në QKUK patjetër duhet të shkojnë, për të caktuar terminin për vizitat pas orës 16:00.

Nga Arbana Xharra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu